“Vrasësi i heshtur” po prek edhe të rinjtë, kardiologia: Stili i jetesës mund të ulë ndjeshëm vdekshmërinë
Sëmundjet kardiovaskulare nuk janë më një problem që lidhet vetëm me moshat e thyera. Në episodin e ri të podcastit Apostrof, mjekja kardiologe Ëngjëllushe Meçe Hasani paralajmëron për rritjen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës edhe te të rinjtë, duke e lidhur këtë fenomen me stilin e jetesës, mungesën e aktivitetit fizik, obezitetin, gjumin e çrregullt, stresin, duhanin, vaping-un dhe valët ekstreme të të nxehtit.
Në bisedën me Bjorn Runa, Hasani shpjegon pse sëmundjet kardiovaskulare cilësohen shpesh si “vrasës të heshtur”. Sipas saj, një nga problemet kryesore është se faktorë si hipertensioni, yndyrnat e larta në gjak apo obeziteti mund të zhvillohen për vite me radhë pa dhënë simptoma të qarta.
“Një person mund të ketë tension të lartë dhe të mos ndiejë as dhimbje koke, as marramendje, por kjo nuk do të thotë se dëmtimi nuk po ndodh,” thotë Hasani. Tensioni i lartë i gjakut, kur mbetet i pakontrolluar, dëmton gradualisht enët e gjakut dhe organet jetësore, duke rritur rrezikun për infarkt, goditje në tru, probleme me veshkat dhe komplikacione të tjera serioze.
Një nga pikat më shqetësuese të intervistës lidhet me fëmijët dhe të rinjtë. Kardiologia thotë se hipertensioni te fëmijët është rritur në mënyrë të ndjeshme krahasuar me të kaluarën. Nëse dikur shifrat ishin rreth 4%, sot ato arrijnë në 7–8%.
Sipas saj, problemi lidhet ngushtë me obezitetin dhe mungesën e aktivitetit fizik. Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se shumica e fëmijëve nuk kryejnë aktivitetin fizik të rekomanduar. Kjo bën që rreziku kardiovaskular të nisë shumë më herët sesa mendohet zakonisht.
Hasani ndale gjithashtu edhe te rëndësia e gjumit dhe roli i stresit, dy faktorë që shpesh nuk merren aq seriozisht sa dieta, duhani apo aktiviteti fizik. Sipas saj, mungesa e gjumit cilësor, pagjumësia, ankthi dhe stresi kronik ndikojnë drejtpërdrejt në tensionin arterial dhe në mënyrën se si punon zemra.
Biseda ndalet edhe tek faktorët e pakontrollueshëm nga individi, siç është edhe klima dhe vera që karakterizohet nga temperatura gjithnjë e më të larta dhe një periudhë më e gjatë. Hasani shpjegon se gjatë temperaturave të larta zemra detyrohet të punojë më shumë për të ndihmuar trupin të ruajë temperaturën normale. Djersitja e tepërt sjell humbje lëngjesh dhe elektrolitesh, duke rritur rrezikun për dehidratim, marramendje, lodhje, rritje të pulsit apo çrregullime të ritmit të zemrës.
Kjo është veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit, personat me hipertension, pacientët kronikë dhe ata që marrin mjekime kardiovaskulare. Kardiologia thekson se pacientët nuk duhet të ndryshojnë apo ndërpresin mjekimet vetë, por duhet të konsultohen me mjekun, sidomos gjatë periudhave me temperatura ekstreme.
Megjithatë, mesazhi kryesor i intervistës nuk është fatalist. Përkundrazi, Hasani thekson se parandalimi ka një ndikim të madh. Sipas të dhënave të cituara në bisedë, ndryshimi i stilit të jetesës mund të ulë ndjeshëm vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare.
“Ushqimi është shëndeti juaj, ilaçet janë ushqimi juaj,” thotë ajo, duke theksuar rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik, gjumit cilësor, shmangies së duhanit dhe kontrolleve periodike.
Mesazhi i kardiologes është i qartë: shëndeti i zemrës nuk duhet të nisë kur shfaqet dhimbja e gjoksit apo kur ndodh urgjenca. Ai duhet të nisë shumë më herët, që në moshë të re, me zakone të përditshme dhe kontrolle të rregullta që mund të zbulojnë në kohë “vrasësin e heshtur”.