Vapa dhe problemet me zemrën, kardiologia: Të rinjtë të diagnostikohen, kujdes me tensionin e pijet energjitike

4 Korrik 2026, 16:25Shëndeti TEMA
Vapa dhe problemet me zemrën, kardiologia: Të rinjtë të

Temperaturat e larta janë kthyer, në një kërcënim serioz për shëndetin e të rinjve tek të cilët janë shtuar problemet kardiake. Mjekja Eva Duraku thotë se për disa prej tyre kjo vjen si mungesë e  diagnostikimit të hershëm, apo edhe e neglizhimit të simptomave.

Tek ata që vuajnë dhe e dinë, sigurisht mund të jetë më e kontrolluar situata, por tek ata që nuk janë të diagnostikuar ose që mund të kenë probleme të pazgjidhura nga ana terapeutike, atëherë kjo përbën një rrezik të shtuar përsa i përket kësaj stine. Edhe mosha 30-40 vjeçare deri në 50 vjeç janë shumë të rrezikuar sidomos nëse ato paraqesin një faktor rreziku si tensioni i lartë, yndyrnat e larta ose diabeti i pakontrolluar”, tha mjekja.

Krahas duhanit dhe alkoolit, mjekët rendisin edhe një tjetër faktor që po rrezikon moshat e reja.

Ka dhe mosha të reja të cilët nuk kanë këto faktorët e lartpërmendur, pra nuk janë përdorues të drograve, të duhanit, të alkoolit, por që kanë faktorë të tjerë rreziku siç është hipertensioni në moshë të re, siç është obeziteti, yndyrnat e larta, një dietë jo korrekte dhe kjo mund të akumulohet në një periudhë jo shumë të gjatë kohore dhe të japi pasoja shumë shpejt, një sinjal sado i vogël, një marramendje, një ndryshim në vlerat e tensionit, gjendjet e të fiktit. Kemi pasur shumë gjendje të fikti kohët e fundit të cilat mund të sinjalizojnë probleme me tensionin si të lartë ashtu dhe të ulët pasi mund të kemi dhe rënie të tensionit, probleme të aritmisë. Nuk duhet në asnjë lloj mënyre që të neglizhohen”, theksoi mjekja Duraku.

Kujdesi i shtuar dhe këshillat e mjekut mund të parandalojnë rrezikun veçanërisht tek ata që ekspozohen ndaj temperaturave të larta për shkak të punës.

Janë disa kategori të cilët punojnë në këto kushte, drejtuesit e mjeteve, policët ose kategori të tjera që janë pak më të ekspozuar, gjithmonë të hidratohen, të marrin ujë me vete, të mbulojnë kokën me kapele ngjyrë të lehtë, të bardhë dhe të jenë gjatë gjithë kohës alertë ndaj simptomave”, u shpreh mjekja.

Pavarësisht moshës apo të ndjerit mirë, të dhënat klinike dëshmojnë se askush nuk është i pathyeshëm ndaj patologjive kardiake.

Gazetare: E. Hasanbelli    

Lini një Përgjigje