Vala rekord e të nxehtit që ka përfshirë Evropën nuk po ndikon vetëm në shëndetin fizik, por edhe në atë mendor. Sipas studimeve shkencore, temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë lodhje njohëse, vështirësi në përqendrim, nervozizëm dhe përkeqësim të çrregullimeve mendore, veçanërisht tek personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
Studimet tregojnë se ekspozimi ndaj temperaturave të larta ul aftësinë për t’u përqendruar dhe për të ruajtur vëmendjen. Ndërsa tek punonjësit e ekspozuar për periudha të shkurtra, si zjarrfikësit, këto efekte janë të përkohshme, valët e të nxehtit që zgjasin me ditë apo javë mund të kenë pasoja më serioze.
Një studim i Universiteti i Oksfordit, i publikuar në vitin 2023, zbuloi se gjatë periudhave me temperatura të larta, shtrimet në spital për çrregullime mendore rriten me 9.7% krahasuar me periudhat normale. Gjatë valës së të nxehtit në Kanada në vitin 2021, personat me skizofreni kishin trefish më shumë gjasa të humbnin jetën.
Ekspertët shpjegojnë se nxehtësia ndikon në shëndetin mendor duke reduktuar aktivitetin fizik, kontaktet sociale dhe cilësinë e gjumit. Studimet sugjerojnë gjithashtu se temperaturat e larta mund të ndryshojnë ekuilibrin e neurotransmetuesve dhe komunikimin mes qelizave nervore në tru.
Më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të rinjtë. Një studim i botuar në American Journal of Psychiatry tregon se çdo rritje me 1°C e temperaturës mesatare mujore shoqërohet me një rritje prej 2.97% të rasteve të vetëvrasjes tek të rinjtë 15–24 vjeç. Studiuesit theksojnë se ndikimi i valëve të të nxehtit në shëndetin mendor duhet të trajtohet si një emergjencë në rritje e shëndetit publik.
Lini një Përgjigje