Përtej diagnozës së mjekut ...

1 Korrik 2026, 12:17Sociale Nga Elisa Dedja

Ishte e hënë pasdite. Mami im kishte shqetësime shëndetësore.

Lë një takim me doktor Markun, ndoshta i vetmi emër në gjinekologji tek i cili hyra me bindjen se po trokisja në derën e duhur. Vizita mbaroi. Ai u alarmua, por nuk e humbi qetësinë. Ka njerëz që edhe kur të japin lajme të vështira, nuk ta rrëzojnë botën. Ta mbajnë mbi supe për pak çaste, derisa të marrësh frymë.

Unë, ndërkohë, po lexoja fytyrat. Në ato ditë nuk dëgjon më vetëm fjalët por mëson të lexosh heshtjet, shikimet, pauzat. Truri yt nuk kërkon më diagnozë. Kërkon një rrugëdalje.

Të nesërmen, nën një agim të qetë dhe një diell përvëlues, ajo hyn në skaner. Pesëmbëdhjetë minuta. Një teknik i ri, i qetë, që punonte me një përkushtim që nuk shkruhet në asnjë diplomë.

Pastaj dera e radiologut.

Hapet një derë e ftohtë dhe përballë gjej një njeri që, për një moment, më dha ndjesinë se kishte harruar se përtej filmave radiologjikë kishte njerëz. Disa rreshta të shkruar mbi një fletë të bardhë mjaftuan të krijonin një dramë të tërë. Është e çuditshme si ndonjëherë jeta të godet me të mirën dhe të keqen njëkohësisht. Njëra të jep shpresë, tjetra ta rrëmben. Dhe ti mbetesh në mes, duke u përpjekur të kuptosh se cila është e vërteta.

Agimi tjetër solli një tjetër procedurë. Cistografinë. Besoj se do ta shoh ende në ëndrra për shumë kohë.

Mamaja veshi atë përparësen e hollë të pacientit. Ecën drejt sallës me mjekët që për ta ishte një ditë e zakonshme pune. Nuk i fajësoj. Askush nuk mund ta mbajë çdo ditë peshën emocionale të qindra pacientëve. Por familjarët e jetojnë ndryshe. Për ne, ato hapa drejt sallës janë një kujtim që nuk fshihet kurrë.

Procedura mbaroi shpejt. “Gjithçka përfundoi mirë,” më tha mjeku. “Do të vijë sapo t’i dalë narkoza.”

Por përgjigjet ende mungonin.

Analiza. Ekzaminime. Pritje.

Pastaj shtrimi në spital.

Spitali është një vend i çuditshëm. Hyn si i huaj dhe, pa e kuptuar, fillon të njohësh infermierët, sanitarët, turnet e natës, zhurmën e karrocave dhe heshtjen e korridoreve. Ai vend që nuk doje ta njihje, bëhet përkohësisht adresa jote.

Dhe mes gjithë asaj lodhjeje, gjeta shumë njerëzi. Mjekë, infermierë e punonjës që e bënin punën me zemër. Sepse edhe në spital, dashuria ekziston. Vetëm se vishet me përparëse.

Por përgjigjja që prisja nuk erdhi.

Mjeku që e ndiqte prej kohësh, si në privat ashtu edhe në shtet, më tha diçka që nuk do ta harroj: nuk dinte çfarë zgjidhjeje t’i jepte, sepse nuk ishte përballur më parë me një patologji të tillë.

Sinqeriteti është virtyt.

Por në atë moment kuptova se ekziston një pyetje më e madhe.

A mbaron misioni i mjekut aty ku mbaron eksperienca e tij?

Apo pikërisht aty fillon?

Sepse ka raste që nuk gjenden në libra. Nuk janë kapituj në literaturë. Janë njerëz. Dhe njeriu nuk pret që mjeku të dijë gjithçka. Pret që ai të mos ndalojë së kërkuari. Të telefonojë një koleg. Të konsultojë një qendër tjetër. Të kërkojë një mendim të dytë, të tretë, të dhjetë.

Mjekësia nuk matet vetëm me atë që di.

Matet edhe me atë që je i gatshëm të kërkosh, kur nuk di.

Ndoshta, në fund, diferenca mes eksperiencës dhe literaturës nuk është numri i viteve apo i librave të lexuar.

Është kurajo për të mos e lënë kurrë një pacient vetëm, përballë një fjalie që fillon me: “Nuk kam hasur kurrë një rast të tillë.”

Gjendja u bë kritike.

Alarmi u ndez.

Në ato çaste nuk ekziston më as dita, as nata. Ekziston vetëm zëri i monitorëve dhe ankthi që të shtrëngon frymën. Sirena e ambulancës u bë tingulli që ndante frikën nga shpresa, ndërsa rruga na çoi drejt Spitalit Shtetëror të Tetovës.

Aty ndodhi diçka që nuk do ta harroj kurrë.

Pashë mjekë që nuk u fshehën pas pamundësisë së rastit. U mblodhën si ekip. Diskutuan, analizuan, debatuan dhe morën një vendim të madh: ta merrnin përsipër këtë betejë.

Nuk dëgjova askënd të thoshte: “Nuk bëhet.”

Dëgjova vetëm njerëz që kërkonin mënyrën si të bëhej.

Përballë një patologjie të rrallë, nuk zgjodhën rrugën më të lehtë. Zgjodhën përgjegjësinë.

Dhe ia dolën.

Sot, mamaja ime gëzon shëndet të plotë.

Për shumë njerëz, kjo mund të jetë thjesht një histori mjekësore e suksesshme. Për mua është prova se diferenca nuk qëndron vetëm te literatura apo te eksperienca.

Literatura të mëson atë që është shkruar.

Eksperienca të mëson atë që ke parë.

Por ka raste që nuk i përkasin asnjërës.

Ato fitohen nga njerëz që kanë kurajën të bashkojnë dijen, përvojën, përulësinë dhe guximin për të mos hequr dorë.

Prandaj, në fund të këtij rrugëtimi, nuk mbaj mend vetëm diagnozat, analizat apo sallat e operacionit.

Mbaj mend fytyrat e atyre që vendosën të luftonin bashkë me ne.

Sepse mjekësia arrin nivelin e saj më të lartë kur shkenca dhe njerëzia ecin krah për krah.

Dhe në Spitalin Shtetëror të Tetovës, unë pashë pikërisht këtë.

Përtej diagnozës së mjekut ...

1 Komente

  1. G
    Gjysho Gjyshi

    Singëll je me çupë ? Në se po, na jep mundësinë të lidhemi, se na u rritnë çunat. Mbase na ecën…..????

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje