Parku Arkeologjik Apoloni deklarohet si “pasuri kulturore e paluajtshme”

1 Korrik 2026, 13:15Kulturë TEMA
Parku Arkeologjik Apoloni  deklarohet si “pasuri kulturore e

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për deklarimin e Parkut Arkeologjik Apoloni si “pasuri kulturore e paluajtshme”, duke përcaktuar gjithashtu kufirin, zonifikimin dhe planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij.

Sipas vendimit, statusi i ri i jepet Parkut Arkeologjik Apoloni në përputhje me hartën e zonifikimit dhe koordinatat në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), të cilat janë pjesë përbërëse e aktit.

Po ashtu, qeveria ka miratuar planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e parkut, me qëllim forcimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e menaxhimit të një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike në vend.

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ngarkohet për publikimin e hartës së re në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin e vendimit sipas legjislacionit në fuqi.

Për zbatimin e vendimit ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Njësia e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Apoloni, si dhe Bashkia Fier.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. A.K./TemA

1 Komente

  1. G
    Gezim Mahilaj

    A miund te shpjegoj dikush se, c'do te thote "Pasuri kombetare e palujteshme" ?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje