Më poshtë postimi i plotë i Bibliotekës:
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë përkujton me nderim dhe mirënjohje shkrimtarin Ismail Kadare, në 2-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Sot nderojmë jo vetëm një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe, por edhe personalitetin që i dha kulturës shqiptare një dimension të ri në hapësirën europiane dhe botërore. Me veprën e tij monumentale, Ismail Kadare u shndërrua në zërin më të njohur të letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke e bërë atë pjesë të dialogut universal të ideve, historisë dhe qytetërimit.
Trashëgimia që Ismail Kadare la pas përbën një nga pasuritë më të çmuara kulturore të kombit shqiptar. Letërsia e Kadaresë ka ushtruar një ndikim të thellë në zhvillimet kulturore, letrare dhe intelektuale të Shqipërisë, duke formësuar ndërgjegjen kulturore të brezave dhe duke afirmuar identitetin shqiptar përmes fuqisë së fjalës artistike.
Në këtë përvjetor, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë shpreh mirënjohjen më të thellë për jetën, veprën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm, një trashëgimi që mbetet e gjallë dhe vazhdon të pasurojë kulturën shqiptare dhe kujtesën kolektive.
A.K./TemA