Akademia e Shkencave përkujton me nderim shkrimtarin akademik Ismail Kadare në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta

1 Korrik 2026, 10:44Kulturë TEMA
Akademia e Shkencave përkujton me nderim shkrimtarin akademik Ismail Kadare

Ismail Kadare, shkrimtar, poet, eseist dhe akademik është figura më e ndritur e letërsisë moderne shqiptare, i përkthyer dhe i lexuar në mbarë botën, shkruan Akademia.

Ai lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960).

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); "Ëndërrimet", (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976).

Vepra e tij i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë, të letërsisë dhe gjuhës shqipe, të botës shqiptare, dhe është bërë pjesë cilësore në trashëgiminë e letërsisë botërore.

Letërsia e Ismail Kadaresë është botuar në 50 gjuhë dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore. Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja, që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.

Që nga viti 1994 ai është anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Akademiku dhe shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare është fitues i çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (“International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Aëard”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino”, “Park Kyong-ni”).

Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
U nda nga jeta më 1 korrik 2024. A.K./TemA