Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nderohet me medalje në samitin ndërkombëtar kushtuar 100-vjetorit të Kongresit të Parë të Turkologjisë

30 Qershor 2026, 16:17Kulturë TEMA
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nderohet me medalje në samitin

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u nderua me Medaljen Përkujtimore të 100-vjetorit të Kongresit të Parë të Turkologjisë në Baku, akorduar nga Akademia Kombëtare e Shkencave e Azerbajxhanit, si shenjë vlerësimi për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunimin shkencor dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale ndërmjet dy akademive.

Në këtë veprimtari, Akademia e Shkencave e Shqipërisë u përfaqësua nga akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, me ftesë të presidentit të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit, akad. Isa Habibbeyli.

Gjatë fjalës së tij në punimet e samitit, akad. Gëzim Hoxha theksoi se përvjetori i 100-të i Kongresit të Parë të Turkologjisë përbën një moment të rëndësishëm për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike. Ai vuri në dukje se marrëdhëniet ndërmjet Akademisë Kombëtare të Shkencave të Azerbajxhanit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë po hyjnë në një fazë të re përmes nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi për bashkëpunim shkencor, i cili pritet të hapë mundësi të reja për projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime akademike dhe bashkëpunim ndërdisiplinor ndërmjet komuniteteve shkencore, shkruan Akademia.

Ai nënvizoi se historia e Shqipërisë, ashtu si ajo e shumë vendeve të përfaqësuara në samit, dëshmon se qytetërimet zhvillohen përmes dialogut, ndërveprimit dhe shkëmbimit të ideve, e jo në izolim. Në këtë kuadër, trashëgimia kulturore e periudhës osmane përbën një shtresë të rëndësishme të identitetit historik dhe kulturor të vendit.

Duke folur si arkeolog, ai theksoi se studimi i stratifikimit kulturor të Shqipërisë, ku monumentet e periudhës osmane bashkëjetojnë me trashëgiminë ilire, romake, bizantine, mesjetare shqiptare dhe më pas evropiane, e ka forcuar bindjen se trashëgimia kulturore duhet kuptuar si një proces i vazhdueshëm historik, në të cilin çdo periudhë pasuron dhe nuk zvogëlon rëndësinë e atyre që e kanë paraprirë.

Akad. Hoxha u shpreh i bindur se bashkëpunimi ndërmjet dy akademive do të sjellë rezultate të rëndësishme shkencore dhe do të thellojë kuptimin e lidhjeve historike, gjuhësore, arkeologjike dhe kulturore që kanë bashkuar rajonet përkatëse përgjatë shekujve.

Në përmbyllje të samitit, akademiku Gëzim Hoxha u nderua me Medaljen Përkujtimore të 100-vjetorit të Kongresit të Parë të Turkologjisë, akorduar nga Akademia Kombëtare e Shkencave e Azerbajxhanit, në vlerësim të pjesëmarrjes së tij aktive dhe kontributit në këtë veprimtari shkencore.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje