“E treta, e vërteta” e Festivalit “Jehona e Vjosës”

29 Qershor 2026, 20:31Kulturë TEMA

 
Nga Feti ZENELI


 “E treta, e vërteta” e Festivalit “Jehona e
"Ku ka këngë, ka edhe jetë" - kjo thënie e urtë popullore përmbledh në pak fjalë një të vërtetë të madhe njerëzore: aty ku jehon kënga, sidomos ajo popullore, rreh më fort edhe zemra e jetës. Sepse kjo lloj kënge nuk është vetëm melodi apo harmonizim zërash; ajo është historia e shkruar në zemrat e njerëzve të thjeshtë, e përcjellë me frymë e shpirt për publikun. Është kujtesë, identitet, frymëzim dhe shpresa që lidh brezat. Përmes saj, një popull ruan historinë, nderon të kaluarën dhe ringjall shpirtin e vendlindjes, duke i dhënë jetë gurëve, rrugëve dhe kujtimeve që koha përpiqet t'i zbehë.
Këtë domethënie e mishëroi më së miri Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”, i cili në edicionin e tij të tretë, më 26 dhe 27 qershor, e shndërroi Memaliajn në një skenë të madhe të traditës shqiptare. Për dy ditë me radhë, qyteti u mbush me grupe artistike, banorë e vizitorë nga treva të ndryshme, duke rikthyer gjallërinë që dikur e karakterizonte. Memaliaj, i cili gjatë viteve të tranzicionit demokratik është prekur ndjeshëm nga shpopullimi dhe largimi i banorëve, u rizgjua sërish nga tingujt e këngëve, vallet shumëngjyrëshe dhe zërat e njerëzve që u kthyen për të festuar rrënjët e tyre. Për një çast, rrugët, sheshet dhe zemrat e qytetit rifituan ritmin e dikurshëm, duke dëshmuar se kënga ka fuqinë të rikthejë jo vetëm kujtimet, por edhe vetë jetën.
Nuk është rastësi që ky festival këtë herë përkoi me 27 qershorin, ditën e festës së qytetit të Memaliajt, një datë e ngulitur thellë në kujtesën historike të banorëve. Në vitet e monizmit, që nga mbrëmja e 26 qershorit, mijëra njerëz nga fshatrat e zonës mblidheshin te Rrepet e Dervenit, buzë Vjosës, ku e kalonin natën mes këngëve, valleve dhe kujtimeve, për të përkujtuar rezistencën e 27 qershorit 1943 kundër pushtuesve italianë. Ishte një festë ku historia dhe folklori shkriheshin natyrshëm në një të vetme, ku heroizmi i së kaluarës merrte jetë përmes këngës, ndërsa gëzimi i së tashmes ushqehej nga krenaria për sakrificat e paraardhësve. Edhe sot, “Jehona e Vjosës” vazhdon këtë traditë, duke dëshmuar se një qytet nuk jeton vetëm nga ndërtesat apo rrugët e tij, por mbi të gjitha nga njerëzit, kujtesa dhe kënga që nuk resht kurrë së jehuari. Sepse “Polifonia dhe kënga jonë e vjetër janë si gurët e kalave - mbajnë peshën e shekujve pa u shembur”.
 
“Nxënësi” dhe “mësuesi” që i dhanë jetë një ëndrre
 
Çdo vepër që lë gjurmë në jetën e një komuniteti ka një histori të vetën. Përpara se të bëhet realitet, ajo lind si një mendim, piqet si një dëshirë dhe pret njeriun e duhur që t’i japë jetë. Kështu ndodhi edhe me Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”, një aktivitet që sot është kthyer në identitet kulturor të Memaliajt, por që dikur ishte vetëm një ëndërr e heshtur në mendjen dhe shpirtin e një njeriu që e kishte bërë kulturën mision të jetës së tij.
Në fjalën e përshëndetëse të ceremonisë së hapjes, drejtori dhe udhëheqësi artistik i festivalit, Viktor Aliu, zbuloi me një thjeshtësi mbresëlënëse fillesën e kësaj nisme:
"U desh të piqeshin kushtet dhe të vinte momenti i duhur për të realizuar këtë projekt. Kontakti i parë dhe propozimi që i bëra ishte me kryetarin e bashkisë, të sapozgjedhur në këtë detyrë, z. Albert Mala, i cili më dëgjoi me vëmendje dhe e mirëpriti propozimin tim, duke më mbështetur plotësisht për këtë ide."
Në këto pak fjali fshihet e gjithë filozofia e suksesit të këtij festivali. Idetë, sado të bukura qofshin, nuk mjaftojnë të ekzistojnë. Ato kanë nevojë për mirëkuptim, besim dhe përkrahje institucionale. Vetëm atëherë vizioni shndërrohet në realitet.
Viktor Aliu lindi më 1 janar 1962 në fshatin Kalivaç të Tepelenës. Formimi i tij intelektual është sa i gjerë, aq edhe i larmishëm. Fillimisht kreu studimet e larta në degën Histori-Gjeografi, duke fituar profesionin fisnik të mësuesit. Më pas, i shtyrë nga etja për dije, përfundoi një fakultet të dytë në fushën Juridike, ndërsa studimet i kurorëzoi me një Master Shkencor në të Drejtën Civile në Tiranë. Megjithatë, shpirti i tij nuk mund të kufizohej vetëm brenda auditorëve universitarë apo fushës së ligjit. Ai e ndiente se arti dhe kultura ishin pjesë e pandashme e qenies së tij. Për këtë arsye u specializua edhe në fushën e regjisë artistike, duke krijuar një profil të rrallë, ku ndërthuren dija akademike, ndjeshmëria artistike dhe aftësia organizative.
Në rrugëtimin e tij profesional ka mbajtur shumë detyra e përgjegjësi, por një ndër më fisniket mbetet ajo e mësuesit. Për pesë vite me radhë, nga shtatori i vitit 1992 deri në shtator të vitit 1997, ai dha mësim në ciklin e lartë të shkollës “Sami Musaj” në vendlindje. Nuk ishte thjesht një pedagog që përcillte njohuri; ai ishte një edukator që formonte karaktere, ushqente dashurinë për dijen dhe rrënjoste te nxënësit respektin për kulturën dhe identitetin kombëtar. Midis atyre bankave u ul edhe një nxënës i ri me emrin Albert Mala, i cili vite më vonë do të merrte drejtimin e Bashkisë së Memaliajt. Koha ndryshoi rolet, por nuk ndryshoi respektin. Edhe sot, pavarësisht funksionit të lartë që mban, Alberti vazhdon t’i drejtohet Viktorit me fjalën e thjeshtë, por plot kuptim: “professor”.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe simbolika më domethënëse e historisë së këtij festivali. Nuk është thjesht bashkëpunimi ndërmjet një drejtuesi vendor dhe një organizatori artistik. Është vazhdimësia e një marrëdhënieje të ndërtuar mbi respektin, edukimin dhe besimin reciprok. Është një shembull se si fara që mbillet dikur në klasë, mund të japë fryte të çmuara në jetën publike shumë vite më vonë.
Është përmendur edhe herë të tjera se ideja për organizimin e këtij festivali nuk lindi në një mbledhje zyrtare, as në ndonjë projekt të hartuar mbi tavolina administrate. Ajo lindi shumë më herët, në heshtjen krijuese të një artisti që nuk reshti kurrë së ëndërruari. Për vite me radhë, kjo dëshirë trokiste në ndërgjegjen e Viktor Aliut, por mbetej pezull, sepse mungonte dora që ta mbështeste. Drejtuesit e mëparshëm të Bashkisë së Memaliajt nuk e konsideruan si përparësi një nismë të tillë kulturore. Për disa, ajo ishte thjesht një ide e bukur; për të tjerë, një projekt që mund të priste pafundësisht.
Por historia shpesh ndryshon drejtim kur ndryshojnë njerëzit që marrin përgjegjësi. Me zgjedhjen e Albert Malës në krye të Bashkisë, ndryshoi edhe qasja ndaj kulturës. Ai e kuptoi se një qytet nuk zhvillohet vetëm me investime në beton, asfalt apo ndërtesa. Ai ndërtohet edhe mbi kujtesën, identitetin dhe trashëgiminë shpirtërore të banorëve të tij. Prandaj ai jo vetëm e dëgjoi me vëmendje projektin e ish-profesorit të tij, por e bëri atë pjesë të vizionit të institucionit që drejtonte.
Sepse çdo vizion ka nevojë për një dorë që ta mbështesë. Ashtu si kënga labe nuk mund të ekzistojë pa ison që e shoqëron, edhe projektet e mëdha nuk mund të realizohen pa bashkimin e mendjeve dhe vullneteve. Harmonia nuk lind nga zëri i vetëm, por nga shumë zëra që gjejnë ritmin e përbashkët. Pikërisht kjo harmoni njerëzore dhe institucionale u bë themeli mbi të cilin u ngrit “Jehona e Vjosës”.
Në këtë kuptim, festivali është shumë më tepër sesa një aktivitet artistik. Ai është fryt i bashkëpunimit të dy brezave, i besimit mes mësuesit dhe nxënësit, i respektit që i mbijeton kohës dhe funksioneve. Është dëshmi se arsimi nuk përfundon në ditën kur mbaron shkolla; ai vazhdon të jetojë në mënyrën se si ish-nxënësit ndërtojnë të ardhmen e komunitetit të tyre.
Edhe vetë emri “Jehona e Vjosës” bart një simbolikë të fuqishme. Nuk është zgjedhur rastësisht. Vjosa, lumi i fundit i egër i Evropës, është metaforë e lirisë, e qëndrueshmërisë dhe e vazhdimësisë. Ajo rrjedh e papërkulur ndër shekuj, duke sfiduar pengesat dhe duke ruajtur natyrshmërinë e saj. Po kështu ka mbijetuar edhe folklori shqiptar. Ai ka kaluar luftëra, pushtime, ndryshime sistemesh dhe emigrime masive, por nuk është shuar kurrë. Ka vazhduar të jetojë në odat e burrave, në sofrat familjare, në dasma, në festa e në kujtesën e popullit. Prandaj “Jehona e Vjosës” synon të bëhet pikërisht kjo jehonë: një zë që buron nga brigjet e Vjosës dhe përhapet në të gjithë hapësirën shqiptare, duke kujtuar se tradita nuk është një relike e së kaluarës, por një organizëm i gjallë që merr frymë me çdo brez.
Qëllimi i festivalit është po aq i qartë sa edhe fisnik: promovimi, motivimi dhe ruajtja e trashëgimisë së vyer shpirtërore të folklorit burimor shqiptar. Por misioni i tij më i madh mbetet edukimi i brezit të ri me dashurinë për këngën, vallet, kostumet dhe zakonet tradicionale. Sepse, siç shprehej me urtësi kompozitori dhe dirigjenti austriak Gustav Mahler: “Tradita nuk është adhurimi i hirit, por ruajtja dhe përcjellja e zjarrit”.
Në fund të fundit, një kulturë nuk jeton në muze apo në faqet e librave. Ajo jeton në zemrat e njerëzve. Nëse nuk përcillet te brezat që vijnë, ajo zbehet dalëngadalë, si një këngë që askush nuk e këndon më. Për këtë arsye, “Jehona e Vjosës” nuk është vetëm një festival folklorik. Është një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen; një skenë ku ngjiten artistët e rinj përkrah mjeshtërve; një vend ku trashëgimia nuk arkivohet, por këndohet, vallëzohet, përjetohet dhe duartrokitet. Dhe në qendër të kësaj nisme qëndron ende i njëjti mision fisnik i Viktor Aliut: jo ta mbajë këngën vetëm për vete, por ta shpërndajë atë si dritë, që të ndriçojë kujtesën dhe shpirtin e brezave që do të vijnë.
Megjithatë, edhe vizioni më i qartë dhe vullneti më i palëkundur nuk mjaftojnë për të ngritur e për të mbajtur në këmbë një veprimtari me përmasa mbarëkombëtare. “Shpatullat” e një njeriu të vetëm, sado të forta të jenë, mbeten të pamjaftueshme për të përballuar peshën e një misioni kaq fisnik. Suksese të tilla janë gjithmonë fryt i bashkimit të energjive, i ndarjes së përgjegjësive dhe i harmonizimit të kontributeve të shumë njerëzve e institucioneve. Në fund të fundit, urtësia popullore nuk e ka thënë më kot se “bashkimi bën fuqinë”.
Edhe Viktor Aliu nuk ngurron ta ndajë meritën me të gjithë ata që besuan në këtë nismë dhe u bënë pjesë e saj që në hapat e parë. Me mirënjohje ai vlerëson mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, e cila i dha festivalit dimension institucional dhe kombëtar; kontributin e vyer të shoqatës atdhetare-kulturore “Tafil Buzi”, që prej vitesh punon për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë shpirtërore; si edhe përkushtimin e znj. Enkeleda Fejzo dhe të Shoqatës "ALBAccess Open", të cilët dhanë ndihmesën e tyre në organizimin dhe realizimin e këtij aktiviteti. Këtyre u bashkohen dhjetëra artistë, drejtues grupesh folklorike, specialistë të kulturës, punonjës të bashkisë, sponsorë, vullnetarë dhe dashamirës të traditës, të cilët, secili sipas mundësive dhe rolit të vet, u bënë gurë themeli në ndërtimin e kësaj feste të madhe të folklorit shqiptar.
Në të vërtetë, “Jehona e Vjosës” nuk është vepër e një individi, por rezultat i një bashkëveprimi të bukur njerëzor, ku secili dha një pjesë të zemrës, të mundit dhe të përkushtimit të tij. Dhe pikërisht kjo e bën këtë festival më të madh se vetvetja: ai nuk i përket vetëm organizatorëve të tij, por gjithë komunitetit, gjithë artistëve dhe çdo shqiptari që beson se trashëgimia kulturore është një pasuri që ruhet më mirë kur ndahet me të tjerët.
 
“E treta, e vërteta” e Festivalit “Jehona e Vjosës”
 
Në urtësinë popullore shqiptare ka shprehje që i kanë mbijetuar shekujve, sepse në thjeshtësinë e tyre mbartin përvoja të gjata njerëzore. Njëra prej tyre është proverbi: “E treta, e vërteta”. Në pamje të parë duket si një shprehje e zakonshme e ligjërimit të përditshëm, por në të vërtetë ajo mbështetet mbi një traditë shumë më të lashtë kulturore dhe filozofike, ku numri tre simbolizon plotësinë, përmbushjen dhe përsosmërinë.
Qytetërimet e lashta i kanë dhënë këtij numri një vend të veçantë. Për grekët e lashtë, sidomos për Pitagorën dhe shkollën pitagoriane, treshja përfaqësonte harmoninë dhe ekuilibrin e universit. Në traditën romake u përjetësua shprehja latine “Omne trium perfectum” - “Gjithçka që vjen në tresh është e përkryer”. Edhe në kulturën popullore evropiane është rrënjosur bindja se përpjekja e tretë është ajo që sjell përfundimin e dëshiruar, sepse përvoja e dy herëve të para piqet dhe shndërrohet në sukses.
Në këtë kuptim simbolik, edicioni i tretë i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar "Jehona e Vjosës" përfaqëson pikërisht momentin e pjekurisë së tij. Dy edicionet e para hodhën themelet, krijuan besimin dhe fituan simpatinë e artistëve e të publikut; ndërsa edicioni i tretë dëshmoi se kjo nismë nuk është më një eksperiment kulturor, por një institucion artistik që ka zënë vend të rëndësishëm në kalendarin folklorik shqiptar.
Mjafton të shohësh shtrirjen gjeografike të pjesëmarrësve për të kuptuar përmasën që ka marrë ky festival. Gjatë këtyre tre viteve, mbi 900 artistë popullorë kanë ngjitur emocionet, talentin dhe pasurinë shpirtërore të trevave të tyre në skenën e Memaliajt. Ata kanë ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, duke e shndërruar festivalin në një mozaik të gjallë të kulturës sonë kombëtare.
Nga Drenica heroike e Legjendarit Adem Jashari, Deçani, Klina, Ferizaj, Ansambli “Shote Galica” i Drenasit dhe Medvegja, e deri te Struga dhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqiptarëve në Shkup, për të vijuar me Ulqinin, çdo trevë solli në Memaliaj zërin, kostumin, melodinë dhe shpirtin e saj.
Jehona e festivalit ka kapërcyer edhe kufijtë e Ballkanit. Në këtë skenë kanë ardhur artistë të diasporës shqiptare, si grupi “Malli i Mërgimtarit” nga Greqia, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë Qemal dhe Kozeta Zylo, themeluesit dhe drejtuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Nju York, të cilët prej vitesh mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar te fëmijët e emigrantëve. Prania e tyre dëshmoi se folklori shqiptar nuk njeh kufij administrativë; ai jeton kudo ku rreh një zemër shqiptari.
Po aq mbresëlënëse ishte edhe përfaqësimi nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Në skenën e “Jehonës së Vjosës” u ngjitën grupet polifonike nga Tepelena, Gjirokastra, Delvina, Saranda, Himara, Piluri, Vlora, Selenica dhe Mallakastra, duke sjellë mjeshtërinë e polifonisë labe, këtë pasuri të rrallë të trashëgimisë sonë shpirtërore. Krahas tyre, publiku pati mundësinë të shijojë vallet, këngët dhe rapsoditë e Tropojës, Malësisë së Madhe, Matit, Dibrës, Tiranës, Kamzës, Librazhdit, Gramshit, Përmetit dhe Kolonjës, duke krijuar një panoramë të plotë të folklorit shqiptar, nga Alpet në brigjet e Jonit.
Në këtë mënyrë, Memaliaj u shndërrua për dy net me radhë në një hartë të gjallë etnografike të kombit shqiptar. Nuk ishte thjesht një festival ku grupet interpretonin njëra pas tjetrës. Ishte një takim i madh kulturash krahinore, ku çdo trevë ruante individualitetin e saj, por njëkohësisht bëhej pjesë e identitetit të përbashkët kombëtar.
Rritja e vazhdueshme e interesit për këtë festival është ndoshta treguesi më bindës i suksesit të tij. Drejtuesit e aktivitetit pranojnë se çdo vit numri i kërkesave për pjesëmarrje ka ardhur në rritje. Veçanërisht në këtë edicion të tretë, ata shprehën keqardhjen që nuk arritën të përfshinin të gjitha grupet që kishin shprehur dëshirën për të qenë pjesë e festivalit. Kufizimet financiare, kapacitetet akomoduese dhe mundësitë organizative nuk lejuan pranimin e çdo kërkese. Paradoksalisht, kjo pamundësi nuk përbën një dobësi të festivalit, por dëshmon autoritetin dhe besueshmërinë që ai ka fituar në një kohë kaq të shkurtër.
Në edicionin e këtij viti, skena e “Jehonës së Vjosës” mirëpriti 24 grupe artistike, ansamble folklorike, shoqëri kulturore, rapsodë, instrumentistë, valltarë dhe formacione muzikore, të cilët gjatë dy netëve sollën para publikut thesaret më autentike të trevave të tyre. Çdo interpretim mbante vulën e origjinalitetit, të tabanit popullor dhe të trashëgimisë së trashëguar brez pas brezi. Nuk pati vend për imitimin apo spektaklin artificial; gjithçka buronte nga folklori autentik, nga kënga e lindur në odat shqiptare, nga vallja që kishte kaluar brez pas brezi dhe nga kostumet që ruanin ende aromën e historisë.
Publiku që mbushi për dy mbrëmje radhazi Sheshin “Minatori” në Memaliaj nuk ndoqi thjesht një varg interpretimesh artistike të renditura sipas programit. Ai u bë pjesë e një udhëtimi të rrallë shpirtëror nëpër të gjitha trevat shqiptare, ku çdo këngë, çdo valle dhe çdo tingull mbante aromën e vendlindjes nga kishte buruar. Në atë skenë u ndërthurën madhështia e polifonisë labe me epikën e këngëve të Veriut; isua jehonte si oshëtima e kanioneve të Kurveleshit, ndërsa lahuta dhe çiftelia kumbonin si gjëmimi i maleve të Sharrit, Karadakut e Alpeve Shqiptare. Ritmet e valleve të Kosovës u shkrihen natyrshëm me elegancën e valleve të Shqipërisë së Mesme, me meloditë e Juglindjes dhe me gjallërinë karakteristike të krahinave të tjera shqiptare.
Në atë skenë nuk u takuan vetëm artistë, por u bashkuan simbolet më përfaqësuese të identitetit tonë kombëtar. Aty u përqafuan plisi me qylafin, fustanella me xhubletën, jeleku i Labërisë me xhamadanin e Kosovës; aty u dëgjuan dialekte të ndryshme, por një gjuhë e vetme zemre. Ishte sikur për dy net me radhë të flitej sërish gjuha e lashtë e Ilirisë, ajo gjuhë që nuk njeh kufij administrativë, por vetëm rrënjë të përbashkëta. Nga brigjet e Bistricës dhe të Vjosës, përgjatë Semanit e Shkumbinit, deri në luginat e Drinit, Valbonës e Bunës, të gjitha rrjedhat shpirtërore të kombit u derdhën simbolikisht në Memaliaj. Vetëm arti popullor e ka këtë fuqi të jashtëzakonshme: të bashkojë troje që politika i ka ndarë, të afrojë njerëz që gjeografia i ka larguar dhe të rikujtojë se folklori është pasaporta më e vjetër dhe më e besueshme e identitetit shqiptar.
Ajo që binte menjëherë në sy ishte rritja e ndjeshme cilësore e këtij festivali. Përvoja e tre edicioneve kishte lënë gjurmë të dukshme në nivelin artistik të grupeve pjesëmarrëse. Interpretimet ishin më të përpunuara, paraqitja skenike më dinjitoze, harmonitë vokale më të pastra, vallet më të disiplinuara dhe më elegante, ndërsa instrumentistët dëshmuan mjeshtëri teknike, ndjeshmëri artistike dhe besnikëri ndaj burimit folklorik. Çdo grup përpiqej të sillte jo vetëm këngën apo vallen e krahinës së vet, por edhe dinjitetin e traditës që përfaqësonte. U kuptua qartë se “Jehona e Vjosës” nuk është më vetëm një skenë prezantimi, por është shndërruar në një akademi të pashkruar të folklorit shqiptar, ku artistët frymëzojnë njëri-tjetrin, shkëmbejnë përvoja, konkurrojnë me dinjitet dhe rriten profesionalisht nga një edicion në tjetrin. Pikërisht kjo garë fisnike ka bërë që festivali të mos mbetet i njëjtë, por të ngjitet çdo vit një shkallë më lart në cilësi dhe në prestigj.
Nuk ishte aspak rastësi që, në përfundim të festivalit, edhe pse juria ndau 22 çmime dhe vlerësime, shumë artistë dhe drejtues grupesh mbetën me ndjesinë se ato nuk mjaftonin për të nderuar nivelin e lartë artistik që u shpalos në skenë. Kjo nuk ishte shenjë pakënaqësie, por dëshmi se pothuajse çdo grup kishte ardhur me vlera të denja për t'u vlerësuar. Në fund të fundit, fituesi më i madh nuk ishte një ansambël, një rapsod apo një valltar i veçantë. Fitues ishte vetë folklori shqiptar, i cili për dy net me radhë dëshmoi se vazhdon të jetojë me të njëjtin vitalitet, me të njëjtën hijeshi dhe me të njëjtën forcë bashkuese që ka pasur ndër shekuj.
Dhe pikërisht këtu merr kuptim të plotë proverbi i moçëm shqiptar: “E treta, e vërteta”. Edicioni i tretë nuk ishte thjesht vazhdimësi numerike e dy të parëve, por çasti kur “Jehona e Vjosës” dëshmoi se kishte hyrë në moshën e pjekurisë së saj artistike dhe organizative. Ajo nuk është më një nismë që kërkon të provojë veten, por një institucion kulturor që ka fituar besimin e artistëve dhe të publikut, një ngjarje që tashmë pritet me interes në kalendarin kulturor mbarëshqiptar. Nuk është më vetëm jehona e brigjeve të Vjosës, por jehona e një kombi që, përmes këngës dhe valles, vazhdon të ruajë kujtesën, të forcojë identitetin dhe të përcjellë te brezat zjarrin e pashuar të traditës së tij.
 
Përtej çmimeve…
 
Në çdo aktivitet konkurrues, sapo ndalin duartrokitjet dhe mbyllet sipari i skenës, nis një tjetër “garë” - ajo e gjykimit të vendimeve të jurisë. Kjo është një dukuri sa e vjetër, aq edhe e pashmangshme. As festivali “Jehona e Vjosës” nuk mund t’i shpëtonte kësaj logjike njerëzore. Në fund të fundit, historia e festivaleve, konkurseve dhe veprimtarive artistike në mbarë botën ka dëshmuar se nuk ka ekzistuar kurrë një juri që të ketë kënaqur plotësisht të gjithë pjesëmarrësit.
Arti nuk është matematikë. Ai nuk matet me vizore, nuk peshohet me kandar dhe nuk llogaritet me formula. Për këtë arsye, çdo vlerësim artistik mbart një dozë interpretimi estetik, sado profesionale të jenë kriteret mbi të cilat mbështetet. Ajo që për njërin është interpretimi më i mirë, për një tjetër mund të mos jetë i tillë. Pikërisht këtu lind edhe pakënaqësia, e cila shpesh nuk është pasojë e mungesës së meritës, por e perceptimit personal të meritës.
Megjithatë, po të analizosh me qetësi atë që ndodhi në Memaliaj gjatë dy netëve të festivalit, bëhet e qartë se juria pati përballë një detyrë jo të lehtë. Në skenën e ngritur në Sheshin “Minatori” u ngjitën dhjetëra grupe folklorike, ansamble, këngëtarë, valltarë, instrumentistë dhe rapsodë, të cilët shpalosën para publikut një pasuri të jashtëzakonshme artistike. Për dy netw me radhë u interpretuan këngë dhe valle burimore, të mbështetura fort mbi traditën, tabanin dhe trashëgiminë popullore shqiptare. Ishte një mozaik ritmesh, melodish, kostumesh dhe zërash që vinin nga treva të ndryshme, por që bashkoheshin në një identitet të përbashkët kulturor.
Siç vlerësoi edhe kryetari i jurisë, Xheladin Beqiri, festivali dëshmoi një nivel të admirueshëm artistik, me grupe e formacione muzikore cilësore, me vokale të fuqishme, melodi autentike dhe ritme që ruanin besnikërisht karakterin e folklorit shqiptar. Sipas tij, kjo skenë është tashmë një hapësirë ku artistët jo vetëm prezantojnë vlerat e tyre, por provojnë dhe matin nivelin profesional përballë publikut dhe specialistëve të fushës.
Por pikërisht sepse festivali synon cilësinë, juria nuk mund të mjaftohej vetëm me vlerësimin e anëve pozitive. Krahas arritjeve, u evidentuan edhe mangësi që ndikuan në renditjen përfundimtare. Disa grupe shfaqën probleme disipline, mungesë organizimi në hyrjen dhe daljen nga skena, mospërputhje në veshjet tradicionale apo në paraqitjen e kostumeve brenda të njëjtit formacion. Madje pati edhe raste kur disa ansamble e tejkaluan ndjeshëm minutazhin e përcaktuar nga rregullorja, duke u penalizuar deri në përjashtim nga konkurrimi. Këto nuk ishin vendime arbitrare, por pjesë e respektimit të rregullave që garantojnë seriozitetin dhe barazinë e konkurrimit.
Nga ana artistike, skena solli një larmi të admirueshme interpretimesh. U ngjitën këngëtarë me përvojë të gjatë, që zotëronin skenën me siguri dhe qetësi profesionale, duke ruajtur pastërtinë e intonacionit dhe duke administruar me mjeshtëri emocionet e interpretimit. Krahas tyre u paraqitën edhe shumë zëra të rinj, plot energji dhe pasion, me vokale të fuqishme që premtojnë një të ardhme të sigurt për folklorin shqiptar. Ndonëse disa prej tyre kishin ende nevojë për përvojë skenike, dëshira, talenti dhe dashuria për këngën popullore ishin të dukshme.
Në veçanti, juria vlerësoi pasurinë e interpretimeve polifonike. Në këtë festival u dëgjuan marrës me zëra të fuqishëm e autoritarë, por edhe marrës melodiozë, të qetë dhe të ngrohtë, që e sillnin këngën me elegancë dhe ndjenjë. U dalluan kthyes të shkëlqyer, “grykë mjalti”, që orientonin me mjeshtëri rrjedhën melodike të këngës dhe harmonizonin elementët e saj, ashtu siç u evidentuan edhe raste kur kthyesi nuk arriti të shkrihej natyrshëm me marrësin dhe hedhësin, duke e zbehur ritmin dhe forcën e interpretimit.
Po kështu, në skenë u dëgjuan hedhës me timbër të pasur e tingull të kristaltë, që i jepnin këngës lartësinë dhe shkëlqimin e duhur artistik. Disa arritën ta ruanin këtë cilësi deri në fund të interpretimit, ndërsa në raste të tjera u vunë re vështirësi në ruajtjen e tonikës, sidomos në pjesët kulmore të këngës. Juria evidentoi gjithashtu iso harmonike dhe të konsoliduara, por edhe raste kur elementët e grupit nuk arritën sinkronizimin e nevojshëm, duke sjellë stonime apo prishje të ekuilibrit melodik.
Një kapitull më vete përbënin vallet. Ato dëshmuan energji, disiplinë, sinkron, harmoni lëvizjesh dhe respekt ndaj karakterit tradicional shqiptar. Shumë formacione koreografike spikatën për seriozitetin artistik, elegancën e ekzekutimit dhe për ruajtjen e autenticitetit folklorik, duke dëshmuar se vallja shqiptare vazhdon të mbetet një nga shprehjet më të bukura të identitetit tonë kulturor.
Pikërisht përballë kësaj larmie vlerash dhe nivelesh artistike, puna e jurisë u bë jashtëzakonisht e vështirë. Nuk bëhej fjalë për të ndarë të mirët nga të dobëtit, por për të dalluar nuancat mes shumë interpretimeve të mira. Për këtë arsye, edhe pse u shpërndanë 22 çmime dhe vlerësime, ishte e natyrshme që disa pjesëmarrës të mbeteshin me ndjenjën se meritonin më shumë. Madje, paradoksi është edhe më i madh. Shpesh nuk mbeten të pakënaqur vetëm ata që nuk marrin asnjë çmim. Ka raste kur edhe fituesit largohen me ndjesinë se nuk janë vlerësuar aq sa meritojnë. Dikush mendon se juria nuk e ka kuptuar vlerën e interpretimit të tij. Kështu, edhe kur merr një trofe në dorë, njeriu mund të largohet me një boshllëk në zemër, sepse krahasimi me të tjerët shpesh bëhet më i fortë se gëzimi për vlerësimin e marrë.
Në të vërtetë, kjo nuk është domosdoshmërisht pasojë e një vlerësimi të gabuar, por shpesh buron nga një tipar i natyrës njerëzore. Secili artist e sheh interpretimin e vet përmes emocioneve, mundit dhe sakrificave personale që ka bërë për ta sjellë atë në skenë. Ai njeh çdo provë, çdo orë lodhjeje dhe çdo pengesë që ka kapërcyer. Juria, ndërkohë, gjykon vetëm atë që sheh dhe dëgjon në ato pak minuta interpretimi. Këto janë dy këndvështrime të ndryshme, të cilat jo gjithmonë takohen në të njëjtën pikë.
Prandaj, edhe në “Jehonën e Vjosës”, si në çdo festival serioz, pakënaqësitë nuk duhen parë si shenjë dështimi, por si një pasojë e natyrshme e konkurrimit. Ato janë, në një farë mënyre, hija që ecën pas çdo gare ku përballen vlera të shumta artistike. Kur niveli i pjesëmarrësve është i lartë dhe diferencat mes tyre bëhen gjithnjë e më të vogla, edhe përgjegjësia e jurisë bëhet shumë më e vështirë. Në këto raste, vendimet nuk ndajnë domosdoshmërisht të mirët nga të dobëtit, por shpesh zgjedhin mes shumë të mirëve.
Por në fund të fundit, festivali nuk mund të reduktohet te lista e fituesve. Çmimet janë vetëm një moment ceremonial; ndërsa arti mbetet. Një diplomë mund të harrohet, një trofe mund të mbulohet nga pluhuri i viteve, por një këngë e kënduar bukur, një iso që të drithëron shpirtin apo një valle që ndez duartrokitjet e publikut jetojnë shumë më gjatë në kujtesën kolektive.
Prandaj, përtej çmimeve, fituesi i madh i këtij festivali ishte vetë folklori shqiptar. Ishin traditat tona, zërat tanë, vallet tona dhe ai shpirt i pashtershëm krijues që vazhdon të jetojë nga brezi në brez. Dhe kjo është një fitore që nuk mund ta japë e as ta marrë asnjë juri. Historia e artit ka dëshmuar vazhdimisht se juritë mund të harrohen me kalimin e viteve, ndërsa artistët e vërtetë mbeten në kujtesën e popullit. Në fund të fundit, juria jep çmime, por është koha dhe publiku ai që jep pavdekësinë.
 

 

 


 

 

 

 

 
 

Lini një Përgjigje