Akademia e Shkencave: Kujtojmë sot, në përvjetorin e lindjes, albanologun dhe studiuesin e shquar Robert Elsie

29 Qershor 2026, 10:05Kulturë TEMA
Akademia e Shkencave: Kujtojmë sot, në përvjetorin e lindjes,

Robert Elsie është një nga figurat më të njohura të kulturës shqiptare në botë.
Ai lindi më 29 qershor 1950 në Vancouver të Kanadasë.

Studimet universitare i kreu në Universitetin e British Columbia dhe doktoraturën në Universitetin e Bonn, duke u specializuar në gjuhësi dhe studime klasike.

Që nga fundi i viteve ’70 vizitoi shpesh Shqipërinë dhe Kosovën, duke u lidhur ngushtë me kulturën shqiptare dhe duke u bërë një ndër njohësit më të thellë të saj.

Karriera e tij përfshin punën si interpret në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe më pas në organizata ndërkombëtare si BE, NATO, OKB dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ku shërbeu në procese të profilit të lartë. Si studiues, ai botoi mbi gjashtëdhjetë libra dhe qindra artikuj kushtuar letërsisë, folklorit, dialekteve dhe trashëgimisë gojore shqiptare. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Histori e Letërsisë Shqiptare”, “Dictionary of Albanian Literature”, përkthimi i :Lahutës së Malcisë”, si dhe antologjitë e poezisë moderne shqiptare.

Elsie dokumentoi me rigorozitet gjuhën shqipe, duke regjistruar dialekte e këngë popullore në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Itali, Greqi e Turqi, duke i ruajtur si pasuri të çmuar për brezat.

Ai ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga viti 2000, transmeton akademia.

Robert Elsie u nda nga jeta më 2 tetor 2017 në Berlin, ndërsa sipas dëshirës së tij u preh në Theth.

Trashëgimia e pasur e Robert Elsie-t mbetet në panteonin e studiuesve më të shquar të albanologjisë, si një urë e fortë mes kulturës shqiptare dhe botës.

1 Komente

  1. R
    Respekt

    Ishte albanologu i huaj me produktiv dhe me objektiv.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje