
Agron Gjekmarkaj i ka kushtuar një dedikim të veçantë mikut të tij Mark Marku, pedagog, publicist dhe kritik i letërsisë. Gjekmarkaj thotë se:
“Gjashtëdhjetë vjet jetë janë një stinë e gjatë, por për njerëz si ti ato nuk maten me kalendarin; maten me gjurmët që lënë te të tjerët. Kam fatin që mbi tridhjetë prej këtyre viteve t’i kemi përshkuar si miq, në besim të ndërsjellë, në kauza të përbashkëta, në ditë të lehta e në sprova që i japin kuptim miqësisë.
Për mua ke qenë gjithmonë besë dhe shpresë. Një njeri tek i cili fjala nuk ndahet nga karakteri, dija nga përulësia, bindjet nga dinjiteti. Je ndër njerëzit më të ditur, më të ndershëm dhe më të drejtë të këtij vendi; intelektual i rrallë, profesor e publicist me peshë, por mbi të gjitha njeri me virtyte të larta njerëzore e qytetare, në jetën private po aq sa në atë publike.
Në një kohë kur zhurma shpesh mbulon vlerën, ti ke zgjedhur qetësinë e dijes, forcën e argumentit dhe fisnikërinë e karakterit. Kjo është arsyeja pse je i çmuar jo vetëm nga miqtë, por edhe nga ata që të njohin përmes veprës dhe shembullit tënd.
Të uroj jetë të gjatë, shëndet, gëzim familjar dhe po atë dritë mendimi që ke shpërndarë gjithmonë. Le të mbeten të hapura udhët e bisedave tona, të miqësisë sonë dhe të idealeve që na kanë bashkuar.
Dhe, siç shkruante Pablo Neruda: “Të lindësh nuk mjafton; për të rilindur kemi lindur. Çdo ditë.” Uroj që çdo ditë e re të të gjejë me të njëjtin pasion për jetën, dijen dhe të mirën.
Gëzuar 60-vjetorin, Mark!”
Lini një Përgjigje