Konspiracija

27 Qershor 2026, 20:50Kulturë Ardian Vehbiu

Vjen darka dhe njeriu, kur nuk është në protestë – për shembull, ngaqë gjendet me mijëra kilometra larg Bulevardit – kërkon të vërë pak rregull në morinë e informacionit që i ka derdhur dita përpara.

Mendja racionale kërkon fakte, në mënyrë që të niset prej tyre dhe të ndërtojë shpjegime. Nëse faktet nuk i gjen dot a nuk ia japin, do të kërkojë të paktën shpjegimet nga një mendje tjetër. Dhe këto nuk po mungojnë.

Ndoshta e ka fajin algoritmi (!), por gjithnjë po më dalin përpara, në Facebook dhe gjetiu, video të shkurtra dhe jo shumë të shkurtra, me monologë të disa personazheve të cilët, në rrethana normale, do t’i kisha quajtur konspiracistë.

Disa prej tyre i njoh të paktën që nga kohët e Covid-it, dhe ua mbaj mend gjërat e çuditshme që thoshin atëherë, siç ua mbaj mend edhe ca parashikime (absurde), që nuk iu realizuan. Nëse këtyre zotërinjve u ka mbetur ndonjë farë autoriteti, ky ngrihet pjesërisht mbi harresën e publikut.

Dhe pjesërisht mbi dëshirën e të njëjtit publik, për t’u ushqyer me fjalën e tyre.

Këta njerëz zhonglojnë jo vetëm me shpjegimet, por edhe me faktet (faktoidët) me të cilat i ushqejnë këto shpjegime. Çfarë u mungon, janë provat për çfarë sjellin si “fakte”.

(Nuk po flas për falsifikatorët dhe fabrikuesit, se këta banojnë gjetiu.)

Dikur konspiracistët – të paktën në Perëndim – bënin emër duke i artikuluar “teoritë” e tyre në artikuj dhe libra të ilustruar; në filma dokumentarë dhe në programe televizive, shpesh bardhezi (bardhezija rrit besueshmërinë, meqë përçon vërtetësinë e të shkuarës).

Sot puna u është lehtësuar: mjafton një podkast, një ndenjëse e rezervuar në një tryezë “debati” televiziv, një mikrofon intervistash, ose edhe thjesht një video selfie, për ta përcjellë “namatisjen” e radhës.

Si pa u vënë re, e kanë realizuar kapërcimin nga trualli i medias së shkruar tek oraliteti – ose komunikimi gojor.

Në kontekstin oral – ose dytësor, ose digjital të mediave dhe të rrjeteve sociale – konspiracistët më shumë se të arsyetojnë dhe argumentojnë, kujdesen që të rrëfejnë histori. Ose më mirë, historira. Disa nga këto histori i kanë gjetur të gatshme, në rrëfimet e kolegëve të tyre të famshëm në SHBA dhe gjetiu. Të tjera i kanë vjelë nga videot në YouTube dhe në forumet konspirative. Ka edhe histori që i kanë konfabuluar vetë, me teknika tashmë të sprovuara.

Historitë e rrëfyera rreken të shpjegojnë, dhe shpesh ia arrijnë ta bëjnë, me kusht që t’ua besosh premisat.

Tani, në mjedisin tradicional të mediave të shkruara, histori të tilla duan për prova; meqë thjesht autoriteti i rrëfyesit (reporterit, gazetarit investigativ, publicistit, historianit) nuk mjafton. Prova nuk është element opsional i rrëfimit, por themeli i tij.

Mirëpo rrëfimtarët për të cilët flas nuk mendojnë kështu. Disa ia lënë barrën e provës një kospiracisti tjetër, nga i cili e kanë kopjuar rrëfimin të gatshëm; të tjerë mendojnë se kujtojnë që rrëfejnë “flasin vetë”, dhe nuk kanë nevojë për prova që të besohen. Disa shpresojnë se kanë aq autoritet te publiku i tyre, sa ky t’ua pranojë historitë me të parë. Të tjerë gjykojnë se motivet e tyre janë aq të drejta e fisnike – për shembull, demaskimi i një politikani të korruptuar – sa publiku do t’ua falë mungesën e provave. Ka edhe që nuk e kuptojnë dhe as e ndiejnë se gjërat që thonë duhen provuar.[1]

Dhe nëse të gjitha këto ndodhin në një mjedis ku fjala e shkruar ia ka zënë vendin fjalës së folur, dhe alfabetizimi (literacy) oralitetit, atëherë roli social që rrëfimtarët e tanishëm konspiracistë po marrin përsipër – dashur pa dashur – është ai i rapsodit.

Në kulturat orale (që nuk e përdorin teknologjinë e shkrimit) rapsodi përpiqet që, me rrëfimin e tij, të sistemojë perceptimin e realitetit nga komuniteti; komunitet i cili, ditët e sotme, është një grup a tribu digjitale. Për ta bërë këtë, mjafton vetë akti i rrëfimit, në rrethana specifike – si dikur lahuta, lira ose ndonjë instrument tjetër shoqërues. Rapsodit askush nuk i kërkon prova.

Shumë nga historitë që rrëfehen sot, nga konspiracistët por jo vetëm, janë të llojit rapsodik; por Muji dhe Halili atje janë kalorës të së keqes, të cilët duhen rrëzuar nga kali.

Kemi mbërritur kështu në një fazë kur dikush del në ekran dhe, pa iu dridhur qerpiku, tregon historinë si ky apo ai politikan vajti këtu dhe atje, u takua me këtë apo atë politikan, sulltan ose bankier, i premtoi këtë apo atë, dhe këta e paguan me qese floriri ose i dhanë këtë apo atë ultimatum e kështu me radhë. Kur bëhet fjalë për “heronjtë” e rrëfimeve të tilla rapsodike, tipologjia është në thelb e njëjta: riprodhimi narrativ i formulës si dikush ia shiti shpirtin e vet së keqes.

Modelin absolut për konspiracione të tilla e ofrojnë teoritë e komplotit për kastën e atyre që ia lëvizin fijet botës, duke shantazhuar rivalët dhe ndonjëherë edhe kundërshtarët.

Problemi me historitë që tregojnë rapsodët e tanishëm të mediave dhe të rrjeteve sociale shqip nuk është se këto janë gënjeshtra. Mund të jenë të tilla, por mund të jenë edhe të vërteta. Ose edhe, me më shumë gjasë, të jenë një kombinim a thurje e gënjeshtrave, gjysmë-gënjeshtrave dhe të vërtetave; ku morali nuk rrjedh nga ai i pjesëve individuale që janë thurur së bashku, por diktohet nga vetë teknika e thurjes.

Që të besohen, teoritë dhe rrëfimet e konspiracistëve duket sikur nuk kanë (më) nevojë për prova; por vetëm mirëkuptimin e publikut. Dhe publiku këtë mirëkuptim ua jep, madje i mirëpret, sepse është i përgatitur psikologjikisht për të besuar.

Duke ekzagjeruar pak, mund të thuhet se një shoqëri që e përcjell dhe e shpërndan informacionin me teknika të oralitetit, përfshi edhe ato të mediave digjitale, nuk bën dot më pa rapsoditë e konspiracistëve.

Pakënaqësia, madje zemërimi i publikut me klasën politike në pushtet, e kombinuar me pafuqinë për të bërë diçka kundër kleptokracisë dhe arrogancës, ia trullos, madje ia narkotizon skepticizmin individit racional. Në kuptimin që, kur dikush dëgjon për hebrenjtë e Izraelit që po blejnë toka në Shqipëri për t’u shpërngulur këtu; për Iranin që lëviz fijet e protestuesve me agjentët e vet; për Ramën që u ka dhënë besën fuqive okulte të hebrenjve, që të ruajë pushtetin e të shpëtojë kokën; për Sazanin që blerësit hebrenj do ta përdorin për t’u fortifikuar në Adriatik e nga ku të kërcënojnë Europën; për palestinezët që do t’i zbarkojnë “në Myzeqe” e kështu me radhë, traumatizohet aq fort në arsye, sa nuk do ta vërë dot në dyshim shpjegimin që i ofron “rapsodi”. Përkundrazi, do të ngushëllohet me të.

Rrjeti tani është i mbushur me këto “shpjegime”, të cilat funksionojnë si rrugë të shkurtra drejt së vërtetës që fshihet pas realitetit; për to nuk sillen prova dhe as mund të sillen, sepse ngjarjet dhe faktet që mund të shërbenin si prova janë të gjitha sekrete.

Në shumë talk shows dhe round tables të orëve të natës, dialogut dhe debatit ua kanë zënë vendin rrëfimet e fakteve të fshehta, nga njerëz që “dinë” dhe që tani na ndihmojnë që ta kapërcejmë edhe ne murin që ndan errësirën nga drita e së vërtetës.

Do t’ju kallëzoj për një komplot të madh, të thonë, por mos prisni që të sjell prova, sepse provat janë sekrete!

Skandali i fundit, në historinë e elitave amerikane – ai i Jeffrey Epstein-it – u ka shërbyer konspiracistëve si provë e tërthortë se kanë pasur të drejtë me të gjitha gjërat që kanë thënë më parë; sepse ai skandal ka nxjerrë në dritë një teknikë të sofistikuar të shantazhit, me të cilat operatorë të së keqes, si Epstein-i (dhe miqtë dhe mbrojtësit dhe porositësit e tij), arritën të vënë në kontroll elitën, duke e komprometuar seksualisht.

Por maskarallëku i Epstein-it tani është provuar.

Ndërsa rrëfimet, baladat dhe historitë që i ofrohen publikut shqiptar nga rapsodët konspiracistë mbeten të paprovuara. Aq më tepër, ngaqë shumë prej këtyre mbahen mend – për ata të cilëve u punon akoma kujtesa – për gjepurat që kanë thënë, në raste të ngjashme (si gjatë krizës së Covid-it) – soliditeti i teorive të tanishme mbetet për t’u testuar me kujdes.

Si pasojë e ndërrimit të regjistrit, nga ai i shkruar në atë të folur, ky lloj “raportimi” sistemues i ngjarjeve dhe i motiveve përkatëse po i largohet vetvetiu nevojës për të sjellë prova, për t’iu afruar statusit të thashethemeve (angl. rumors), si ligjërim që qarkullon pa pasur një subjekt që t’i dalë zot dhe të mbajë përgjegjësi për të.

Sipas psikanalistit Mladen Dolar, që thashethemeve u ka kushtuar një studim tani së fundi, karakteristikë e thashethemeve është indiferenca ndaj kriterit të vërtetësisë. Përkundrazi, teoritë konspirative kërkojnë bindjen, të paktën e atyre që u besojnë, se janë të vërteta, por gjithnjë të rrezikuara nga përpjekjet institucionale për t’i groposur.

Nevojën për prova pritet tani ta neutralizojë fjalëza e gjithëfuqishme “dihet”.

Megjithatë, dhe mu për shkak të kësaj afërsie tipologjike me thashethemet, bota e rrëfyer nga teoritë konspirative nuk përkon tërësisht me botën reale – meqë ngjarjet tek e para janë produkt i ligjërimit të Tjetrit dhe gjenden të varura pezull në një limbo midis së vërtetës dhe të pavërtetës (trillimit, gënjeshtrës), ku edhe janë më të mbrojtura ndaj përpjekjeve – racionale – për t’i verifikuar.

Ky status, që vjen e konsolidohet sa herë që një teori e tillë rimerret nga rapsodi ose në mediat, u jep teorive konspirative një fuqi magjike, në kuptimin që “vërtetësia” e tyre vjen e imponohet si e dhënë primare.

Rreziku epistemologjik – nëse mund ta quaj kështu – ka të bëjë drejtpërdrejt me normalizimin e këtij rrëfimi në mediat, madje edhe në komunikimin institucional. Deri edhe kryeministri Rama, në qendër të akuzave të shumëfishta këto ditë, dhe që u kërkonte mediave italiane “të sillnin prova” për projektin me gjasë të korruptuar në Zvërnec, nuk e ka pasur për gjë të përmendë vazhdimisht Iranin, si të përfshirë në organizimin e protestave të Tiranës, por pa sjellë ndonjë provë. Edhe këtu përsëritja dhe rimarrja e hipotezës kërkon t’ia zërë vendin provës.

Mënyra të tilla të informimit, nëpërmjet narrativës rapsodike (se nuk po dua ta quaj përrallë), kanë përfituar edhe nga kriza e rregullimit të fjalës së lirë, në epokën e Internetit, kur cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha mund të këputë të trasha dhe t’ua dhurojë këto – falas – dhjetëra-mijëra konsumatorëve të etur për dëfrim apo, për ta thënë me fjalë të mëdha, epistemologji rapsodike.

Mirëpo fjala, sa më e lirë që të jetë, aq edhe ka nevojë për t’u mbështetur në prova, që të besohet. Dhe aq më shumë vlen kjo, në kontekstin e krizës tjetër – asaj të autoritetit.

Me autoritetin kanë abuzuar, dhe po vazhdojnë të abuzojnë të gjithë ata që, nga pozita të pushtetit, duan t’i imponohen publikut (ose, çka është e njëjta gjë, të bindur se kanë monopolin e së vërtetës – ose i ka vajisur Zoti). Prandaj është gjithnjë mirë që autoriteti të merret në pyetje. Dhe të verifikohet hap pas hapi. Madje edhe kur thjesht të thotë mirëmëngjes.

Çfarë nuk është asnjëherë mirë, është që irritimi i publikut me autoritetin tradicional të shfrytëzohet për të rrëzuar edhe “autoritetin” e nevojës për prova dhe vërtetësi, qoftë edhe nga ata që duan të relativizojnë të vërtetën.

(Ata që pëllasin për të vërtetën “e tyre” përballë “të atyre të tjerëve”.)

Kur një rapsodie konspirative provat i mungojnë, kjo mungesë provash nuk mund të përdoret pastaj për ta konfirmuar të vërtetën e rapsodisë!

Nëse e vërteta është lepur, por arsyeja dhe racionaliteti nuk kanë në dispozicion mjet tjetër veç qerres, atëherë lepuri duhet të kapet me qerre.

Kjo duhet t’u vlejë edhe atyre pak konspiracistëve që mirëfilli duan t’i shërbejnë publikut, duke e afruar me të vërtetën; qoftë kjo edhe vetëm tyrja.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

[1] Paçka se kundërshtojnë veten, kur vihen të çmontojnë – me precizion orëndreqësi – çdo rrëfim autoritar, duke zbuluar atje kontradikta dhe mungesë të mbështetjes me prova. Siç bëjnë kur sulmojnë statistikat zyrtare të Covid-it (me të drejtë), por nuk zbatojnë as një të dhjetën e rigorozitetit, kur u duhet të provojnë entuziazmin për, të themi, ivermektinën.

1 Komente

  1. P
    Protesta

    Sa je lodh mor burrë leri të thyejnë dhëmbët

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje