Akademia e Shkencave: Kujtojmë në përvjetorin e lindjes akademikun dhe gjuhëtarin e shquar Idriz Ajeti

26 Qershor 2026, 14:10Kulturë TEMA
Akademia e Shkencave: Kujtojmë në përvjetorin e lindjes

Akademik Idriz Ajeti, një nga figurat më të ndritura të albanologjisë, lindi më 26 qershor 1917 në fshatin Tupallë të Jabllanicës së Epërme. Pas shkollimit fillor në Banjën e Sijarinës dhe të mesëm në Shkup, ai vijoi studimet universitare në Zagreb e më pas në Beograd, ku mbrojti doktoratën me temën "Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë" (1958).
Karriera e tij akademike dhe institucionale është e lidhur ngushtë me Universitetin e Prishtinës, ku, nga viti 1960 e deri në fund të jetës, dha mësim dhe formoi breza të tërë studiuesish. Ai ishte profesor ordinar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, dekan i Fakultetit Filozofik, rektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit Filozofik në Prishtinë (1960), u themelua revista shkencore "Gjurmime albanologjike" (1962), ndërsa në vitin 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Ai mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë, ku u përcaktuan rregullat drejtshkrimore të gjuhës standarde shqipe, dhe ishte një nga nënshkruesit e vendimeve të tij.

Veprimtaria e tij shkencore është e gjerë dhe e gjithanshme. Ndër veprat e tij kryesore janë: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hyrje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor, 1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike) (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe (1971, përgatitur dhe redaktuar prej tij), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I (1982), II (1985), III dhe IV (1989), si dhe Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë, Tiranë dhe qendra të tjera janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ai hartoi gjithashtu tekste shkollore për nxënësit e shkollave të mesme dhe për studentët e Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Idriz Ajeti për dy mandate ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa ishte edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shkruan Akademia.

A.K./TemA

1 Komente

  1. K
    Kujtimi

    I vetmi albanolog serioz dhe shembullor nga Kosova.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje