Nga Harold James, Project Syndicate
Dija konvencionale thotë se kundërshtitë autokrate etnonacionaliste kundër kapitalizmit global dhe demokracisë liberale janë duke nxitur politikat e shekullit të 21-të. Megjithatë, zhvillimet e kohëve të fundit kanë treguar se revolta politike është shumë më e nuancuar. Në një epokë zhvillimesh të vrullshme teknologjike dhe ndryshimesh ekonomike, njerëzit shohin vazhdimisht nga e shkuara. Por nostalgjia mund të frymëzojë si etnonacionalistët, ashtu edhe ata që kërkojnë t’i rezistojnë autokracisë.
Ky këndvështrim mund të na ndihmojë të kuptojmë përse Donald Trump është ngjitur dy herë në pushtet në SHBA me premtimin se do të rikthejë madhështinë kombëtare. Ndërsa shmëkush e ka të vështirë të kuptojë paradoksin e një presidenti antiglobalist që ndjek pareshtur “ujdi” anekënd botës, Europa Qendrore dhe Lindore mund të kenë çelësin për ta rikornizuar problemin. Mes viteve 1989 dhe 1991, ky rajon prodhoi një nga tërmetet politike me më shumë pasoja të shekullit të 20-të. Njerëzit u mobilizuan pas një vizioni të liberalizmit dhe demokracisë të përziera me nacionalizmin për të kundërshtuar internacionalizmin e epokës së komunizmit Sovjetik.
Sot rajoni përbën epiqendrën e një rikthimi të nacionalizmit kundër autokracisë, por gjithashtu kundër cenimeve të huaja. Dy shenjat më dalluese të këtij rreshtimi të ri politik mposhtja dërrmuese e Viktor Orbanit nga Peter Magyar në zgjedhjet e prillit në Hungari dhe rezistenca e Shqipërisë ndaj planeve të familjes Trump për ta kthyer ishullin e Sazanit në një destinacion turistik pa shije.
Teksa nuk ka një shpjegim të vetëm për fitoren e Magyar, është e pamundur të injorohet theksi që ai vuri tek identiteti kombëtar, korrupsioni dhe ndërhyrjet e huaja në politikën hungareze. Trump, Zv. Presidenti JD Vance, Tucker Carlson dhe të tjerë populistë të djathtë amerikanë, qartësisht donin ta përdornin Hungarinë për të ndërkombëtarizuar lëvizjen MAGA, ndërsa ndërhyrjet e Presidentit rus Vladimir Mutin në punët e brendshme të Hungarisë nuk pëbëjnë ndonjë secret. Në prag të zgjedhjeve, demonstruesit hungarezë ringjallën një thirrje që asociohet me revoltën antisovjetike të 1956-ës: Ruszkik haza! (Rusë shkoni në shtëpi!).
Në Shqipëri publiku po mobilizohet kundër planit të Ivanka Trump dhe Jared Kushner për të ndërtuar një resort luksoz bregdetar në Sazan, si edhe për të zhvilluar plazhe në atë çka aktualisht është një rezervë e jetës së egër në zonën e Pishë Poro-Nartës. Shpresa e Ivankës për të plotësuar dëshirat e elitës botërore të sjell menjëherë në mendje propozimin pa sens dhe imoral të babait të saj, për ta shndërruar Gazën në një resort luksoz bregdetar. Shqiptarët e kanë kuptuar dhe kanë nisur një fushatë populiste për të mbrojtur si plazhet e tyre të paprekura, ashtu edhe vlerat e tyre. Ata i shohin zhvillimet turistike për shtresën e miliarderëve si një mallkim dhe jo si beki. Zhvillimet dhe investimet e reja duhet të promovojnë mirëqenien e shqiptarëve në vend që t’i shërbejnë një industrie shfrytëzuese.
Revoltat e fundit kundër korrupsionit dhe cenimit nga të huajt mund të çojnë drejt një modeli të ri mobolizimi politik. Ajo çfarë po shohim nuk është shprehja e të njëjtit etnonacionalizëm agresiv që shfaq MAGA në SHBA, por diçka tjetër.
Konsideroni një tjetër paralele historike. Në kryeqytetin lituanez të Vilniusit, ku shumëkush shqetësohet se mund të jetë shenjestra e radhës e Kremlinit, një ekspozitë e ardhshme do të shfaqë për publikun kurorat e rizbulara së fundmi nga Dukati i Madh i Lituanisë i shekullit të 16-të, një shtet që dikur shtrihej nga Baltiku deri në Ukrainën moderne. Tri figura kyçe janë në qendër të kësaj ekspozite: Aleksander Jagiellon, Mbret i Polonisë dhe Dukë i Madh i Lituanisë; nëna e tij, Elisabeta e Austrisë, e cila solli në jetë katër djem që u kurorëzuan mbretër; dhe Barbara Radziëill, bshkëshortja e dytë e Sigismundit të Dytë, Mbret i Polonisë dhe Dukë i Madh i Lituanisë. Që të trija këto kurora vijnë nga një epokë e artë e një dinastie që lidhte bashkë shumicën e Europës Qendrore.
Zbulimet mbartin historinë e tyre interesante. Ndonëse trupat e mbretërve polako-lituanezë u zbuluan aksidentalisht më 1931-in në atë që atëherë ishte shteti i pavarur i Lituanisë, ato u fshehën në fillim të Luftës së Dytë Botërore për t’u rizbuluar vetëm në 2024-ën. Tashmë, kurorat mbretërore shërbejnë jo vetëm si simbole kombëtare, por gjithashtu edhe si kujtesa të një të kaluare të përbashkët. Kur ishin në përdorim, kurorat përfaqësonin autoritetin legjitim të asaj që studiuesit modern i quajnë mbretëri të përbëra: rrjete të ndërlikuara martesash që lidhnin bashkë Kastijen, Aragonin dhe Kataloninë apo Anglinë, Uellsin dhe Skocinë.
Për Magyar-in, kurora e Shën Stefanit e shekullit të 11-të, është gjithashtu një pikë reference qëndrore. Pasi një fotografi e tij, ku ai lutej para kurorës së ekspozuar në Hollin e Kupolës të parlamentit hungarez u bë virale, Magyar e përdori këtë moment për të këmbëngulur që të gjithë deputetët e rinj të parlamentit të betoheshin mbi atë artifakt të shenjtë.
Edhe kurora e Shën Stefanit është simbol i një monarkie të përbërë dhe i qëndresës së Hungarisë përballë humbjeve dhe tërheqjeve të së kaluarës. Ajo është mbajtur nga Jagiellonian, mbret i Hungarisë, Luigji i Dytë kur vdiq në një kanal në betejën e Mohacs në 1526-ën. Pasi njerëzit e tij e gjetnë kurorën në baltë në përroin Csele, ajo do të mbahej thuajse nga çdo sundimtar Habsburgas deri në fund të monarkisë (vetëm Jozefi II, i njohur për sekularizmin e tij agresiv nuk e ndoqi traditën). Kurora më pas u nxorr fshehurazi nga Hungaria në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe u mbajt në Fort Knox, Kentucky bashkë me rezervën e arit të Amerikës derisa u rikthye në 1978-ën.
Në secalin rast, shtete të vogla europiane po ngrenë idenë se autoriteti legjitim mund të vijë vetëm nga një histori e përbashkët. Kanë gjetur një mjet të fuqishëm me të cilin mund të luftojnë një projekt të huaj etnonacionalist që në të vërtetë nxitet nga interesa tregtare, politike dhe ushtarake. Kur vendoset përballë kurorave autentike mesjetare që vazhdojnë të mbartin kuptim në një epokë cinizmi, dhuratat e arta por pa shije të Trump-it nuk kanë shumë shance për të fituar.
*Harold James është Profesor i Historisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit Princeton, si edhe autor më së fundi, i librit me titull “Seven Crashes: The Economic Crises that Shapet Globalization.”
Lini një Përgjigje