"Energjia pa drejtim ka kosto" - Protesta, historiani Marenglen Kasmi sjell krahasimin me 1914-ën (VIDEO)

26 Qershor 2026, 16:15Sociale TEMA
"Energjia pa drejtim ka kosto" - Protesta, historiani Marenglen Kasmi

Historiani dhe autori Marenglen Kasmi, i ftuar në podcastin “Apostrof”, ka komentuar protestën e ditëve të fundit, duke e krahasuar atë jo me vitin 1997 apo Revolucionin e Qershorit 1924, por me ngjarjet e viteve 1914–1915, në kohën e kryengritjes kundër Princ Vidit.

I pyetur se cilën periudhë historike i kujton protesta aktuale, Kasmi tha se sheh më shumë ngjashmëri me vitet 1914–1915.

“Më shumë e shikoj si 1914–15”, u shpreh ai, ndërsa solli si shembull një episod nga dokumentacioni gjerman i kohës, sipas tij të cilit gjatë kryengritjes kundër Vidit, përfaqësuesi gjerman i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit kishte shkuar në Shijak, ku kishte gjetur një grup fshatarësh të mbledhur.

“Për çfarë jeni mbledhur?”, i kishte pyetur ai. Përgjigjja, sipas Kasmit, kishte qenë: “Do bëjmë revolucion.”

Por kur përfaqësuesi gjerman i pyeti “kundër kujt?”, askush nuk ishte në gjendje të jepte një përgjigje të qartë.

“Askush nuk thoshte dot një mendim të pjekur se çfarë donin vërtet njerëzit. Dhe për fat të keq e shikoj si sot”, tha Kasmi.

Sipas tij, edhe protesta aktuale nisi me një kauzë konkrete, atë të mjedisit dhe flamingove, por më pas u zgjerua drejt thirrjeve për revolucion, pa artikuluar qartë se kush e drejton, çfarë kërkon dhe ku synon të shkojë.

“Filloi me flamingot, pastaj vjen një kohë që revolucioni e fsheh kokën si struci, nuk artikulohet se kush janë, çfarë janë dhe si e shikojnë”, u shpreh ai.

Kasmi shtoi se edhe pas më shumë se 25 ditësh protestë, sipas tij, ende nuk është e qartë se cilët janë organizatorët realë të saj.

“Edhe sot që flasim, dita e 25-të, 26-të që mund të jetë, ne ende nuk dimë se cilët janë vërtet organizatorët e saj. Dhe kjo e ka marrë koston”, tha Kasmi, duke iu referuar tkurrjes së numrit të pjesëmarrësve.

Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00.

2 Komente

  1. N
    Nroqi

    Shumica e protestuesve jan berishistet haxhiqamilsa,ata duan pushtet qe te vjedhin dhe te vrasin per te rujt vjedhjen,kete kan bere keto 35 vjet.

    Përgjigjjuni
    1. K
      K

      Kjo eshte protesta e rrumpalles,prandaj nuk nxjer koke,se koka duhet te mbaj pergjegjesi,keta duan shkaterrim po pa mbajtur pergjegjesi.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje