Faleminderit që protestoni!

25 Qershor 2026, 21:40Blog TEMA
Faleminderit që protestoni!

Nga Bjorn Kasa

Edhe unë, po si si ju, jam i zhgënjyer nga një seri ngjarjesh dhe i pakënaqur me një mori eventesh. Edhe unë shumicën e ditëve ndihem pa forcë dhe pa vullnet. Por kam evoluar dhe sot nuk ja hedh më fajin komshiut, kryetarit të bashkisë, ministrit apo kryeministrit. Por bazohem në punën time dhe në përpjekjet e mija.

Shumica e lëvizjeve që premtojnë shpëtim të menjëhershëm kanë një problem të përbashkët. Dinë shumë mirë çfarë duan të rrëzojnë, por shumë më pak çfarë duan të ndërtojnë. Zemërimi është energji politike. Nuk është program qeverisës. Problemi është se ambicia e liderëve të protestës maskohet vazhdimisht si altruizëm i pastër, sikur të jetë rastësi e pafajshme që çdo “lëvizje qytetare pa lidhje partiake” përfundon, pas disa muajsh, me një konferencë shtypi ku shpallet “platforma politike” dhe një listë emrash që, çuditërisht, përfshin pikërisht ata që bënin thirrjet më të zjarrta në mikrofon.

Faleminderit që ulërisni me mikrofon.

Faleminderit që përzgjidhni më të mirët për podium.

Faleminderit që mësoni një fëmijë te gërthasë “Vdekje tradhëtarëve!”.

“Në emër të popullit je i dëbuar/dënuar.” “Tradhtari do të gjykohet.” “Të gjithë ata që nuk janë me ne, janë kundër Shqipërisë.”

Ka një moment të saktë kur çdo lëvizje fillon të humbasë të drejtën morale, kur fillon të vendosë kush është “populli” dhe kush jo.

Këto fraza nuk janë risi. Janë të vjetra sa retorika totalitare vetë. Enver Hoxha e qeveriste Shqipërinë pikërisht me këtë logjikë: populli është entitet i shenjtë, dhe ai që nuk pajtohet nuk është thjesht kundërshtar, është armik i popullit, tradhtar, agjent i huaj.

Fjala “popull” në gojën e një regjimi totalitar nuk është term demografik. Është armë juridike e pashkruar: nëse je “kundër popullit”, çdo gjë bëhet e justifikueshme kundër teje, sepse ke dalë jashtë kategorisë që meriton mbrojtje.

Faleminderit që na kujtoni si ishim dhe si jemi.

Faleminderit që na kujtoni se vetëm 13 vite më parë, gjysma e protestuesve do ekzekutohej në bulevard.

Faleminderit që zgjidhni ju se kush burgoset.

Faleminderit që tregoni me gisht ju kush është tradhëtar.

Faleminderit ju që, largqoftë ta keni në dorë, do burgosni dhe pushkatoni pa gjyq.

Por shtresa më shqetësuese mbetet fjalori i dhunës që përsëritet pa u tronditur askush. “Burg.” “Tradhtar.” “Vdekje.” Këto nuk janë metafora poetike të zemërimit, janë fjalë që mbartin peshë juridike dhe historike specifike në kontekstin shqiptar. Kur dikush thërret “vdekje tradhëtareve” ose “tradhtar i kombit” ose “burg filani e fisteku” si gjuhë rutinë politike, e jo si gjest i izoluar emocional, ai po riaktivizon fjalorin e gjyqeve të dikurshme, ku akuza nuk kishte nevojë për prova, kishte nevojë vetëm për etiketë.

Dhe ka edhe diçka tjetër, më e vogël në dukje, por po aq simptomatike: thirrjet për “t’u çuar” nga kafenetë, nga ndeshjet e futbollit në Fan Arena, nga jeta e përditshme normale, për t’u bashkuar me protestën. Logjika është: nëse nuk je në rrugë, je bashkëpunëtor i heshtur i armikut. Ky nuk është mobilizim qytetar, është kërkesë për lojalitet total, e njëjta logjikë që e bën neutralitetin të pamundur dhe e shndërron çdo zgjedhje personale, në deklaratë politike të detyrueshme.

Etiketa ndryshon nga dekada në dekadë. Struktura e përjashtimit mbetet identike, një “popull” i përcaktuar nga ata që flasin në emër të tij, një armik që meriton dënim ekzistencial, dhe një kërkesë për bindje totale që nuk lë hapësirë për dyshim, tërheqje apo jetë normale paralele.

Lëvizja që përdor gjuhën e “dëbimit” dhe “gjykimit kolektiv” nuk po lufton totalitarizmin. Po riciklon sintaksën e tij me një palë pankarta të reja.

Faleminderit ju që na mësoni revolucionin.

Faleminderit ju që nuk e keni idene se pas revolucioneve, çfarë vjen.

Historia e lëvizjeve revolucionare nuk mësohet në mitingje. Mësohet nga ato që ndodhën pas mitingjeve, dhe shpesh ajo histori është shumë më e errët se entuziazmi i ditëve të para.

Revolucioni francez nisi me liri, barazi dhe vëllazëri, dhe brenda katër vitesh prodhoi gijotinën dhe terrorin e Robespierre-it. Pastaj prodhoi Napoleonin, që e ktheu Francën në luftë me gjysmën e Europës. Revolucioni rus nisi me thirrjen “buka, paqja, toka” dhe brenda një dekade prodhoi Stalinin, kolektivizimin e dhunshëm dhe një nga periudhat më vrastare të shekullit XX. Revolucioni iranian i 1979-ës nisi me një koalicion liberalësh, studentësh dhe komunistësh kundër Shahut, dhe brenda dy vitesh ajatollahët kishin pushkatuar ose burgosur pikërisht ata që e bënë revolucionin të mundur.

Modeli përsëritet, sepse logjika është e njëjtë. Kur një lëvizje rrëzon pushtetin pa pasur plan ekonomik dhe institucional për ditën pas fitores, pushtetin e merr jo ai që ka kauzën më të drejtë, por ai që ka organizimin më të fortë. Dhe organizimi më i fortë, pas çdo revolucioni, ka qenë gjithmonë ai që e kuptoi më shpejt se kaosi krijon vakum, dhe vakumi mbushet me dhunë.

Ka edhe shembullin e kundërt, dhe ai meriton vëmendje të njëjtë. Solidarność në Poloni nuk u nis si parti politike, por nuk mbeti kurrë vetëm protestë rruge. Brenda saj kishte ekonomistë që llogarisnin koston e çdo greve, strategë që negocionin pikë për pikë me regjimin, dhe një plan konkret për tranzicionin ekonomik që u zbatua faktikisht në vitet e para të viteve ’90, i njohur si “Plani Balceroëicz”. Polonia pagoi çmim të rëndë (inflacion i lartë, papunësi e shtuar përkohësisht), por shkoi drejt Bashkimit Europian në më pak se një dekadë e gjysmë, sepse lëvizja e saj kishte gjë më të rëndësishme se zemërim: kishte plan, kishte ekonomistë në tryezë, dhe kishte durim për të zbatuar reformën hap pas hapi, jo me dekret revolucionar.

Tani të zbresim te mekanika konkrete, sepse pikërisht këtu fshihet diferenca mes protestës që ndërton dhe protestës që shkatërron.

Çdo ekonomi moderne funksionon mbi një supozim themelor: parashikueshmëria. Investitori, qoftë diaspora me kursimet e veta apo fondi amerikan me miliarda dollarë, nuk vendos kapital në një vend bazuar te dëshira e tij për të bërë mirë. Vendos bazuar te llogaritja e riskut. Çdo orë kaosi politik, çdo ditë bllokimi infrastrukture, çdo titull lajmi për “vend në kolaps” e ngre primin e riskut që ai investitor i shton vendimit të tij. Dhe prim risku më i lartë do të thotë diçka shumë konkrete, kosto financimi më e lartë për bizneset shqiptare, interesa më të larta për kreditë, vlerësim më të ulët për pronat, dhe projekte që thjesht zhvendosen drejt vendit fqinj që duket më i qetë. Dhe, po ne e kemi jetuar më parë këtë.

Kjo nuk është teori abstrakte. Kosova e ka ndjerë këtë në kurriz të vet disa herë: çdo periudhë tensioni serioz në Ballkanin Perëndimor ka shtyrë investitorët të presin, jo të hyjnë. Greqia, gjatë krizës së borxhit 2010-2015, pa fluturimin e kapitalit dhe të trurit në një shkallë që ende nuk e ka rikuperuar plotësisht, sepse pasiguria institucionale bindi mijëra biznese e profesionistë të largoheshin drejt Gjermanisë dhe Britanisë.

Faleminderit ju që bllokuat aeroportin.

Faleminderit ju që bllokoni rrugët.

Faleminderit ju që nuk e konceptoni dot të gjobiteni, se keni thyer ligjet.

Dhe pasojat e kësaj retorike nuk janë të përkohshme. Reputacioni ekonomik është aset që ndërtohet me vite dhe shkatërrohet brenda javësh. Shqipëria sapo ka filluar të ndërtojë një histori të re tregtare: lëvizja e investitorëve amerikanë, interesi për energjinë e rinovueshme, turizmi në rritje me shifra dy-shifrore çdo vit, statusi i kandidatit për në BE, që ul automatikisht koston e huazimit shtetëror. E gjithë kjo histori varet nga një gjë e vetme: bindja se Shqipëria e vitit 2026 nuk është Shqipëria e 1997-ës.

Çdo bllokim aeroporti, çdo thirrje për “izolim deri sa të bien politikanët” e rrëzon pikërisht këtë bindje. Dhe e rrëzon pa asnjë garanci se çfarë do të vijë në vend të saj. Kjo është diferenca mes protestës si presion legjitim brenda sistemit demokratik, dhe protestës si armë vetëshkatërruese që godet pikërisht atë që pretendon të mbrojë, të ardhmen ekonomike të vendit.

Faleminderit ju që na kujtoni se kush e futi Shqipërinë tonë, kur kishim sytë nga perëndimi, në Konferencën Islamike.

Faleminderit ju vëllezër kosovarë, që keni harruar se kush i dërgonte naftë dhe armatime Kasapit të Ballkanit.

Faleminderit që sot, kur vini në Shqipëri, ngeleni të mahnitur dhe krenoheni në rrjetet sociale.

Shqipëria ndodhet sot në një pikë historike të papërsëritshme: procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ka hyrë në fazën konkrete. Negociatat janë hapur. Reformat janë në vazhdim. Procesi nuk është i garantuar, mund të ngadalësohet, mund të bllokohet, por ekziston, dhe është ndoshta mundësia më e vërtetë që ka pasur ky vend që nga Pavarësia e vitit 1912. Është pikërisht momenti kur stabiliteti ka vlerë monetare të matshme, dhe nuk është thjesht virtyt abstrakt.

Dhe këtu vjen ironia e pastër e situatës: liderët që sot bërtasin “burg” dhe “tradhtar” nga mikrofoni, duke kërkuar të rrëzojnë gjithçka brenda javësh, janë të njëjtët që nesër, nëse procesi i integrimit dështon për shkak të paqëndrueshmërisë që krijuan vetë, do të dalin po aq të zjarrtë për të akuzuar Brukselin se “nuk na do” dhe se “Europën nuk e meritojmë”. Logjika është rrethore dhe e papërgjegjshme në mënyrë elegante ku çdo dështim i krijuar nga vetë lëvizja, kthehet automatikisht në provë të rëndësisë së lëvizjes. Sa më shumë dëmtojnë, aq më shumë mund të thonë “ja pra, kishim të drejtë që sistemi është i shkatërruar”.

Brukseli nuk i integron vendet në kaos. I integron vendet me institucione funksionale, me stabilitet të parashikueshëm, me aktorë që tregojnë se mund të menaxhojnë mosmarrëveshjet brenda kuadrit demokratik, jo duke bllokuar aeroporte dhe duke kërkuar dënime kolektive nga sheshi. Çdo ditë kaosi që ata e shesin si “presion mbi qeverinë” lexohet në Bruksel, në Uashington dhe në çdo bord investimi ndërkombëtar si një mesazh i vetëm: “ky vend nuk është gati”.

Faleminderit ju që keni halle dhe dilni me shpirt në protestë.

Faleminderit ju që besoni në ndryshim.

Faleminderit ju që nesër do protestonit sërisht, kundër shkalafitjes që po propozohet.

Faleminderit ju që tregoni qytetari.

Pjesën tjetër që po pret rradhën sepse nuk po vjedhin dot, do më pëlqente t’i shikoja me garuzhde varur brezit dhe me qeleshe. Pasi një shprehje përcakton shume mirë se cila ështe streha dhe e kujt është nacionalizmi.

Faleminderit ju që e dini se feja e Shqiptarit ështe Shqiptaria.

Faleminderit ju që doni të mirën e këtij vendi.

Shqiptarët kanë emigruar gjithmonë. Largimi nuk filloi me Edi Ramën dhe nuk do të mbarojë me largimin e tij.

Shqipëria është një vend me një nga densitetet më të larta të konsumit të produktit të importit, në raport me madhësinë e tregut të brendshëm. Me pak fjalë: prodhojmë pak, konsumojmë shumë nga jashtë, dhe tregu ynë është tepër i vogël për të mbajtur ambiciet e një brezi të tërë. Shqiptarët që emigruan në Itali, Greqi, Gjermani, Amerikë dhe u pasuruan atje, nuk u pasuruan sepse ndryshuan si njerëz. U pasuruan, sepse hynë në tregje ku puna shpërblehet ndryshe, ku kapitali qarkullon ndryshe dhe ku shkalla e ekonomisë lejon rritje që një treg prej dy apo tre milionë njerëzish nuk mund ta ofrojë.

Kjo është e vërteta e pakëndshme që asnjë opozitë shqiptare nuk e thotë, sepse nuk ka vota në të: largimi i shqiptarëve nuk zgjidhet me ndërrimin e qeverisë. Zgjidhet me ndërrimin e strukturës ekonomike të vendit. Kjo kërkon dekada, jo zgjedhje.

Kur dikush sot e prezanton largimin e të rinjve si argument eskluziv kundër qeverisë aktuale, bën atë që kanë bërë të gjithë opozitat shqiptare që nga viti 1992: e merr një plagë shekullore dhe e shet si krim të kundërshtarit.

Faleminderit ju të Diasporës që nuk harroni vendin.

Faleminderit ju të diasporës që zhvilloni ekonominë e vendit tuaj.

Faleminderit ju të Diasporës që jeni pjesë e zhvillimit.

Diaspora shqiptare, ata që u larguan me varka e me këmbë, ka filluar prej vitesh të investojë në vendin që la. Apartamente të blera në Tiranë, Sarandë, Vlorë. Biznese të hapura nga shqiptarë të kthyer nga Amerika, Italia, Gjermania, me kapital të fituar jashtë dhe me besim se diçka po ndryshon. Hotele, restorante, firma ndërtimi, kompani teknologjike. Të huaj jo shqiptarë po blejnë prona, po hapin biznese, po sjellin kapital në një vend që për dekada nuk ekzistonte në asnjë hartë investimi ndërkombëtar.

Ky nuk është luks. Është shenjë besimi ekonomik. Dhe besimi ekonomik është ndër mallrat më të rralla dhe më të brishta që ekzistojnë. Vjen ngadalë, ikën shpejt.

Pikërisht prandaj është e rëndësishme të kuptohet çfarë po ndodh në një nivel edhe më të madh. Ndër investitorët më të fuqishëm në botë, mbi të gjitha amerikanë, kanë kthyer sytë nga Shqipëria e vogël. Shtetet e Bashkuara, aleati ynë historik, vendi që ka qëndruar pranë Shqipërisë në sfidat dhe luftat e saj prej dekadash, po sheh potencial të vërtetë ekonomik në këtë territor të vogël mesdhetar. Kjo nuk është rastësi dhe nuk është propagandë. Është sinjal i kapitalit ndërkombëtar që lexon mundësi, aty ku të tjerët shohin vetëm probleme.

Nëse ky proces ndiqet sipas rregullave, me transparencë, me standarde mjedisore dhe me integritet institucional, mund të krijohen jo vetëm ekosisteme ekonomike, por edhe kushtet për të mbajtur gjallë ekosistemet natyrore që flamingot na kujtuan se i kemi.

Dhe këtu lind pyetja që askush në protestat e sotme nuk e shtroi me ndershmëri: bllokimi i aeroportit, destabilizimi i institucioneve, gjuha e luftës civile dhe imazhi i një vendi në kaos, çfarë i bën këtyre investimeve? Çfarë i bën apartamentit të shqiptarit të Diasporës që sapo e bleu? Çfarë i bën biznesit të të huajit që sapo firmosi kontratën? Çfarë i bën besimit të kapitalit amerikan që po sheh nga Shqipëria?

Përgjigja është e thjeshtë dhe e dhimbshme, i shkatërron, një nga një, pa zhurmë, pa llogari dhe pa asnjë plan për t’i zëvendësuar.

Ekonomia është terreni ku sloganet përballen me realitetin. Dhe realiteti ka një zakon edhe më të bezdisshëm se historia, ai nuk nuk negocion.

Qeveritë mund të ndryshojnë brenda natës. Besimi ekonomik jo.

Ai ndërtohet me vite dhe mund të humbasë me një vendim të vetëm.

Faleminderit ju që protestoni për një vend me të mirë.

Faleminderit ju që protestoni jo për ofiqe, por për zgjidhje.

Faleminderit ju që zgjidhni evolimin, nga revolucioni.

E ne tanimë kemi evoluar, për këdo qe ka harruar si ishim. Ndryshimi i këtij vendi sot ndihet kudo. Që nga mënyra si na trajtojnë fqinjët dhe aleatët. Protesta dhe reagimi ndaj protestës është pasqyra e këtij ndryshimi. Ju sot nuk keni frikë të protestoni dhe as une nuk kam frikë të kaloj aty rrotull. Ky ështe evolimi që nuk duhet stopuar.

Do kisha dashur që t’ju falenderoja edhe për propozimet konkrete dhe negociatat që do kishit bërë për ta cuar përpara Shqipërinë drejt perëndimit ku natyrshëm kemi vendin. Sepse Shqipëria nuk është me e njëjta me ’91 as me ’97 e as ajo e 10 viteve më parë. Sot ne duhet të kemi Shqipërinë institucionale, Shqipërinë e dialogut, të  bashkëpunimit dhe me sytë nga Perëndimi. Shpresoj fort t’ju falenderoj sinqerisht sa më parë.

3 Komente

  1. D
    Dire Straits !!!!

    Ouuuuuu sa shkrim te gjate qe paske bere o gazetaruc i deshtuar......me siguri 3 kocka do te te jape bojaxhiu sot !!!!!

    Përgjigjjuni
    1. U
      Ur 8tc86v

      Nuk bir nene as bir k...ve qe ka durim ta lexoje kete carcaf mediokriteti e servilixmi.

      Përgjigjjuni
      1. V
        Vëzhguesi

        Ekselent!

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje