Avokatët Rezart Kthupi, Romeo Kara dhe Edmond Petraj, si dhe gazetari Egon Loli, kanë diskutuar në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, lidhur me ecurinë e protestave që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, të nisura për të kundërshtuar investimin në Zvërnec.
Gjatë fjalës së tij, avokati Kthupi tha se përmes protestave është shprehur mllefi i shoqërisë ndaj klasës politike aktuale.
Kthupi shtoi se problemi që ka Shqipëria sot nuk është vetëm kryeministri Edi Rama, por edhe 140 deputetët e Kuvendit, që sipas tij kanë marrë peng vendin.
“Ky është mllefi i shoqërisë ndaj një klase politike. Protesta e ka arritur. Nëse do të arrijë atë që është objektivi i fundit politik, dorëheqja e kryeministrit, kjo mbetet për t’u parë. Sa kohë akoma ka njerëz që protestojnë, protesta është gjithmonë në ushtrim e sipër dhe kryeministri ka gjithë kohën e botës të japë dorëheqjen. Problemi nuk është vetëm te kryeministri, por edhe te 140 deputetë që kanë marrë peng këtë vend”, tha mes të tjerash Kthupi.
Nga ana tjetër, avokati Romeo Kara vlerësoi protestat, duke thënë se ato vranë frikën e popullit për t’u ngritur për të drejtat e tyre.
Por avokati Kara shtoi se mes protestuesve ka edhe deputetë dhe eksponentë të lartë të PD-së. Ai tha se deputetët e PD-së nuk mund të dalin në protestë, pa u ndarë më parë nga Sali Berisha.
Me ironi avokati Kara tha se nuk mund të ngrihen 300 mijë shqiptarë për të hequr Edi Ramën nga pushteti dhe për të vendosur në vend të tij djalin e Fahri Balliut, Klevisin.
“Unë mendoj se nuk ka për të dështuar në konceptin e ndikimit historik protesta. Mund të ketë një ashilacion. Fatkeqësisht e ka atë ashilacion. Por unë mendoj që protesta shënon vetëdijen e një populli, i cili mendon që demokracia me përfaqësim ka marrë fund dhe ka atë vlerën do të thoja... Aty ka njerëz, edhe ish-gjyqtarë që kanë ikur nga sistemi, që dalin. Pra në radhë të parë, ky popull u mësua të vrasë frikën. Një popull që çohet fiton, një popull që guxon e përballet, fiton. Dhe është fatkeqësi që njerëzit që pretendojnë se janë zgjedhur me votë, t’i bëjnë këtij populli atë që i kanë bërë. Padrejtësia këtu është bërë normë. Edhe unë fëmijët e mi po i mbaj me zor për t’i thënë që s’mund të jetë model suksesi anti-vlera, krimineli.
Ne na e kanë neveritur këtë jetë këta. Jo vetëm që s’ka drejtësi, por ke marrë gjithë pasuritë kombëtare. Ky vend ekziston të hanë këtu 10 barkderra dhe të vuajnë shqiptarët. Nëse shkojnë këta të Berishës atje, pa deklaruar ndarjen nga Berisha, atëherë ata nuk janë më protestues, por manipulues të protestës. Nuk mund të thuash ‘Rama në burg, Berisha pak më pak në burg’. Këta të PD nuk rrinë pa ngrënë. Këta pilafin e hanë gjithmonë. Tani të heqim Ramën dhe të marrim çunin e Fahriut, kjo nuk na shkon, të çohemi 300 mijë veta për çunin e Fahriut. Këta duan të vdesin në karrige. O është gëzuar Saliu tani që është zvogëluar protesta...”, tha mes të tjerash Romeo Kara.
Ndërkohë për gazetarin Egon Loli, këto protesta e kanë bërë të qartë para shqiptarëve se vendi ynë sipas tij po qeveriset nga një personazh që nuk është në pushtet falë legjitimitetit dhe mbështetjes popullore.
“Në rendin e simbolikës, jo vetëm për qytetarët apartiakë që janë në shesh, kjo protestë realizoi atë që e bëri shumë të qartë që Shqipëria sot qeveriset nga një personazh që është në pushtet jo falë legjitimitetit dhe mbështetjes popullore, por falë forcës”, tha mes të tjerash gazetari Egon Loli.
Nga ana tjetër, avokati Petraj tha se fillimisht protestat ishin efektive dhe nisën për shkak të pakënaqësive të qytetarëve me klasën politike.
Por Petraj shtoi se më pas, Sali Berisha angazhoi strukturat e PD-së në protestë, duke tentuar që ta përçajë dhe ‘kapë’ atë.
Lidhur me kërkesat e paraqitura në protestë nga Dritan Goxhaj, avokati Petraj tha se ato janë të njëjtat me ‘kërkesat e nxjerra nga Flamur Noka me vendimin e Kryesisë së PD-së, që i ka bërë kërkesa në Parlament’.
“Protesta edhe sikur të mbyllet sot, për mua nxori disa gjëra në pah, e para njëherë që theu frikën. Theu frikën dhe qytetarët dolën në rrugë. Unë kam insistuar pse nuk del një grup përfaqësues, që ta marrë përsipër protestën dhe ta menaxhojë si duhet. Qytetarët dolën në rrugë sepse u kishte vajtur në majë të hundës. Tani ku u gabua te protesta. Gabimi i protestës ishte që nuk nxori liderin dhe ekipin.
U gabua me pjesën e një leximi të disa kërkesave që çuditërisht 1 javë përpara i nxjerr Flamur Noka me vendimin e Kryesisë së PD-së, që i ka bërë kërkesa në Parlament. Pra përveç dorëheqjes së Ramës, 4 pikat e tjera që kanë lexuar protestuesit i ka çuar në Parlament PD. Në fillim Berisha po e shante protestën. Pas ditës së tretë të protestës, Berisha u thotë të vetëve ‘hiqeni xhaketën e politikanit paradite dhe shkoni në protestë pasdite’. Kjo nuk ndodh, është pa sens”, tha mes të tjerash avokati Petraj.
Lini një Përgjigje