Ndërsa në Tiranë “revolucioni i flamengove” po bëhet simbol i një debati qytetar për të sotmen dhe të ardhmen, në Bruksel po ndodhnin lëkundje tektonike në arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Njëri debat i përket së sotmes; tjetri mund të përcaktojë të nesërmen. Po ne, a jemi gati për NATO 3.0? Përgjigjja nuk matet me numrin e deklaratave politike dhe as me fotografitë në samitet e Aleancës
Nga Kristaq Xharo
Ka lajme që konsumohen brenda një dite dhe ka deklarata që ndajnë epokat.
Fjalët e Sekretarit amerikan të Luftës, Pete Hegseth, se “për një kohë shumë të gjatë NATO ka qenë një tigër prej letre dhe një rrugë me një kah. Kjo merr fund tani”, nuk ishin një provokim retorik. Ato ishin një diagnozë. Më pas ai e bëri edhe më të qartë filozofinë e asaj që e quajti NATO 3.0: një NATO që rikthehet te fuqia ushtarake, te parandalimi real dhe te një Evropë që merr drejtimin e mbrojtjes konvencionale të kontinentit. “Evropa nuk ishte menduar të ishte një varësi e Shteteve të Bashkuara”, - tha ai. “Ajo ishte menduar të ishte një fuqi ushtarake aleate me një Amerikë të fortë.”
Me pak fjalë, nuk po ndryshon vetëm NATO. Po ndryshon kontrata e pashkruar që ka mbajtur gjallë arkitekturën euroatlantike për më shumë se shtatëdhjetë vjet.
Edhe pse ka ende nga ata që e konsiderojnë këtë vetëm një episod të lidhur me administratën Trump dhe shpresojnë se gjithçka do të rikthehet si më parë sapo të ndryshojë administrata në Uashington, ky nuk është asgjë tjetër vetëm një mendim ngushëllues, por jo realist. Vetë liderët kryesorë evropianë po pranojnë se Trump nuk e shpiku këtë kurs; ai vetëm pati guximin ta artikulonte pa diplomacinë tradicionale. Prej më shumë se një dekade, administratat amerikane, pavarësisht ngjyrave politike, kanë kërkuar të njëjtën gjë: një Evropë që mban një pjesë shumë më të madhe të barrës së mbrojtjes.
Ndryshon gjuha, por jo strategjia. Ndryshojnë presidentët, por jo gjeografia.
Amerika e shekullit 21 e ka të pamundur të përqendrojë të njëjtën vëmendje në Evropë, Indo-Paqësor dhe Lindjen e Mesme. Kjo nuk është çështje dëshire. Është çështje prioriteti strategjik. Prandaj, është më e besueshme për këtë zhvillim nuk ka më kthim pas.
Dhe nëse Amerika po rishpërndan përgjegjësitë, pyetja e parë nuk i drejtohet Shqipërisë, por Evropës: a është ajo gati të marrë rolin që Uashingtoni po i kërkon të mbajë? Në teori, përgjigjja është po. Evropa ka ekonomi ndër më të mëdhatë në botë, industri të avancuar, universitete elitare dhe kapacitete të jashtëzakonshme teknologjike. Në praktikë, përgjigjja është shumë më komplekse. Për më shumë se shtatë dekada, siguria e kontinentit është mbështetur mbi garancinë strategjike amerikane. Ndërsa pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Evropa shijoi të ashtuquajturin “dividend të paqes”: shpenzimet për mbrojtjen u ulën, industria ushtarake u tkurr dhe shumë qeveri filluan ta konsideronin luftën si një kapitull të mbyllur të historisë. Sot, historia po ua kujton se ajo nuk mbyllet kurrë; vetëm ndryshon adresë.
Sot gjithçka po ndodh në drejtim të kundërt. Gjermania flet për Zeitenwende, Polonia po ndërton ushtrinë më të madhe tokësore në Evropë, vendet nordike po rikthejnë konceptin e mbrojtjes totale, ndërsa uzinat e municioneve po punojnë me ritme që nuk janë parë prej dekadash. Megjithatë, vetë liderët evropianë pranojnë se fuqia amerikane nuk zëvendësohet brenda një mandati qeverisës. Besimi ndërtohet me vite; kapacitetet ushtarake ndërtohen me dekada. Europa është e ndërgjegjshme për kapacitetet dhe mundësitë e veta...
Po ne...a jemi gati për NATO 3.0? Sigurisht që përgjigjja nuk matet me numrin e deklaratave politike dhe as me fotografitë në samitet e Aleancës. Ajo matet me atë që një shtet është realisht në gjendje të prodhojë në kohë paqeje dhe të përdorë në kohë krize. Për fat të keq, këtu fillon paradoksi ynë.
Duket se ne kemi një aftësi të habitshme për të shkatërruar me entuziazëm atë, që më pas e kërkojmë me dëshpërim. Në fillim të tranzicionit ne nuk e reformuam industrinë ushtarake, nuk e modernizuam, nuk kërkuam partnerë strategjikë që ta transformonin. Zgjodhëm zgjidhjen më të lehtë: ta çonim pothuajse në pikën zero. Uzinat u shkulën për skrap, laboratorët u mbyllën, specialistët u shpërndanë dhe bashkë me makineritë humbi edhe kultura e prodhimit. Sot, kur pothuajse e gjithë Evropa po investon miliarda euro për të rindërtuar industrinë e mbrojtjes, ne vazhdojmë të debatojmë nëse një industri e tillë është ende e nevojshme. Historia rrallëherë tallet kaq haptazi me një vend dhe ndoshta asnjëherë mund të jetë përsëritur në njëvend tjetër.
Po, do të ishte gabim ta kufizonim problemin vetëm te industria ushtarake. Ajo ishte vetëm viktima më e dukshme e një filozofie shumë më të gjerë. Shkatërruam ekonominë prodhuese dhe e zëvendësuam me ekonominë e importit. E çuam arsimin në pikën më të ulët dhe u habitëm pse mungojnë inxhinierët. Mohuam historinë dhe u ankuam se rinia humbi identitetin. Dobësuam institucionet dhe u çuditëm pse qytetarët humbën besimin te shteti. U mësuam të konsumojmë gjithçka dhe të prodhojmë pothuajse asgjë. Në emër të modernitetit, na bindën se çdo gjë e jona e mëparshme ishte e keqe...dhe çdo gjë e huaj përherë më e mirë. Nuk ishte thjesht një tranzicion; ishte çmontimi i vetëbesimit kombëtar dhe ndërtimi i kulturës së varësisë.
E më tej edhe pyetja më e pakëndshme: a ishte shkatërrimi deri në “zero” i industrisë ushtarake vetëm një gabim ekonomik? Apo ishte pjesë e një procesi më të madh, që dobësoi çdo kapacitet strategjik të shtetit? Historia na mëson se si pushtuesit dhe sunduesit nuk kanë kërkuar kurrë vetëm të çarmatosin një komb. Ata kanë kërkuar gjithmonë t’i heqin aftësinë për të prodhuar fuqi. Sepse një vend që nuk prodhon bëhet i varur. Një vend i varur humbet lirinë për të zgjedhur. Dhe një vend që humbet aftësinë për të zgjedhur, herët a vonë humbet edhe aftësinë për të vendosur mbi fatin e vet.
Duke vazhduar për NATO 3.0, pa Kosovën panorama do të ishte gjysmake. Për një çerek shekulli siguria e saj është mbështetur mbi praninë e NATO-s dhe lidershipin amerikan. Nëse Shtetet e Bashkuara reduktojnë gradualisht praninë e tyre ushtarake në Evropë, kjo nuk do të thotë se Kosova mbetet vetëm. Por do të thotë se arkitektura e sigurisë hyn në një fazë të re, ku pesha e Evropës dhe e vetë shqiptarëve bëhet më e madhe se kurrë.
Pyetja nuk është nëse kemi një Plan B. Pyetja është nëse kemi më në fund një strategji, që nuk kufizohet te blerja e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, por që rindërton ekonominë prodhuese, industrinë e mbrojtjes, arsimin teknik, mbrojtjen civile, sigurinë kibernetike dhe koordinimin strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sepse siguria nuk fillon te kufiri; ajo fillon shumë më herët, në shkollë, në laborator, në uzinë dhe në cilësinë e institucioneve.
Ndoshta ky është kuptimi i vërtetë i NATO 3.0. Nuk është fundi i NATO-s dhe as largimi i Amerikës. Është fundi i një epoke ku shumë vende e morën sigurinë si një e drejtë të fituar dhe jo si një përgjegjësi të përditshme. Është fundi i iluzionit se liria mund të ruhet pafundësisht nga sakrifica e të tjerëve.
Sepse historia nuk ka mëshirë për kombet që presin. Ajo respekton vetëm ata që përgatiten. Historia nuk pyet kurrë se kush ishte aleati ynë më i madh. Ajo pyet vetëm një gjë: kur erdhi çasti i provës, a ishim një komb që priste të mbrohej... apo një komb që kishte vendosur ta mbronte vetveten?
*Kristaq Xharo, ish-kolonel i Forcave të Armatosura, lektor për Çështjet e Sigurisë në Universitetin Europian të Tiranës. Ky shkrim u botua si pjesë e projektit “Lista Liberale – MonitoringDemocracy and Free Market Economy in Albania”, i zhvilluar nga Instituti PASHKO në bashkëpunim me Media MAPO.
Lini një Përgjigje