Historiani dhe profesori i Oksfordit, Timothy Garton Ash, ka theksuar në analizat e tij mbi demokracinë se problemi nuk qëndron tek fakti që qytetarët kërkojnë shumë, por tek fakti se institucionet ofrojnë shumë pak.
Protestat që nisën kundër një investimi në zonën e mbrojtur të Zvërnecit nuk janë më vetëm për Zvërnecin. Siç ndodh shpesh me lëvizjet qytetare që zgjasin dhe fitojnë mbështetje, shkaku fillestar është tejkaluar nga një pakënaqësi më e gjerë dhe më e thellë.
Në protestat e Tiranës sot nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër një projekti të caktuar. Dëgjohen slogane si “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Shqipëri e Re”. Në këtë kuptim, nuk kemi më thjesht një protestë mjedisore, por një protestë politike. Madje, në thelb, një protestë kundër një sistemi politik që një pjesë e qytetarëve e percepton të shkëputur nga interesat e tyre dhe të përqendruar në mbrojtjen e vetvetes.
Fakti që këto protesta nuk organizohen nga partitë tradicionale, por megjithatë arrijnë të mbushin sheshet, është ndoshta elementi më domethënës i tyre. Në demokraci, qëndrueshmëria është po aq e rëndësishme sa edhe numrat. Kjo protestë duket se i ka të dyja. Dhe një protestë që vazhdon për javë të tëra kërkon jo vetëm vëmendje, por edhe përgjigje.
Pikërisht këtu fillon përgjegjësia e qeverisë.
Një qeveri mund të mos pajtohet me protestuesit. Mund të argumentojë se projektet e saj janë të dobishme. Mund të mbrojë vendimet e veta. Por nuk mund të sillet sikur mijëra qytetarë që protestojnë prej javësh kërkojnë thjesht një sqarim teknik. Sepse ajo që ata po artikulojnë, në thelb, është mungesa e besimit.
Dhe besimi nuk rikthehet me deklarata, por me reforma.
Nëse qytetarët po kërkojnë një Shqipëri që nuk është në shitje, atëherë përgjigjja duhet të jetë ndërtimi i mekanizmave që e bëjnë më të vështirë kapjen e shtetit nga interesa private. Nëse kërkohet një “Shqipëri e Re”, atëherë duhen ndryshime që u japin qytetarëve më shumë kontroll mbi politikën.
Një pikënisje e natyrshme do të ishte reforma zgjedhore. Për vite me radhë, shqiptarët kanë votuar listat e hartuara nga drejtuesit politikë duke prodhuar një parlament ku besnikëria ndaj kryetarit ka më shumë peshë sesa llogaridhënia ndaj qytetarit. Një sistem që u jep zgjedhësve fuqi reale për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre do të ishte një sinjal i qartë se politika po i kthehet qytetarit.
Por kjo, në vetvete, nuk mjafton.
Qeveria mund të hapë gjithashtu diskutimin për referendume mbi çështje me interes publik, transparencë të detyrueshme për kontratat strategjike, konsultime reale për projektet që prekin pasuritë natyrore, si dhe forcim të kontrollit parlamentar mbi vendimmarrjen ekzekutive. Mund të rihapet debati edhe për kufizimin e mandateve dhe për rregulla më të forta kundër përqendrimit të pushtetit politik.
Asnjë nga këto masa nuk do t’i japë fund menjëherë protestave, por do të dërgonte një sinjal të qartë se qeveria e ka kuptuar natyrën e pakënaqësisë.
Sepse historia tregon se protestat më të vështira për t’u menaxhuar nuk janë ato që kërkojnë rrëzimin e një vendimi, por ato që kërkojnë rikthimin e besimit. Dhe kur qytetarët dalin në rrugë duke refuzuar jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën tradicionale, problemi nuk është më thjesht qeveria. Problemi është perceptimi se vetë sistemi ka pushuar së funksionuari për ta.
Në një moment të tillë, përgjigjja më e rrezikshme është mungesa e përgjigjes. Sepse boshllëku politik rrallë mbetet bosh për shumë gjatë. Herët a vonë, dikush do të përpiqet ta mbushë atë dhe ndoshta edhe me kosto per stabilitetin e vendit.
Ne kohen kur pati nje bum teoria e "ngrohjes globale" , filluan te beheshin studime te pafundme per ndikimin e gjerave te ndryshme ne ngrohjen globale , studime qe thithnin shume leke......Ishte nje biolog qe sapo kishte perfunduar detajet e nje studimi mbi jeten e ketrave. Por asnje organizem nuk po i jepte financim ...U mendua sa u mendua dhe vendosi qe ta ndryshonte studimin e tij ne " Ndikimi i ketrave ne ngrohjen globale"......pas kesaj vershuan leket edhe per te !!!!!.........................sot mund te perfitosh si gazetar nese kthen ne artikuj teorite halucinante te funderrines Pallosh !!!!!
Ngjan me Ekspoziten Shqiperia e Re e komunizmit