Siguria, 1 mld lekë për ndërhyrje në rrugë - FSHZH hap tenderin, akset do identifikohen sipas nevojave të bashkive

23 Qershor 2026, 17:10Ekonomia TEMA
Siguria, 1 mld lekë për ndërhyrje në rrugë - FSHZH hap

Me një fond limit prej 1 mld lekë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për realizimin e ndërhyrjeve që synojnë përmirësimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit të rrjetit rrugor në vend.


Projekti parashikon një paketë të gjerë ndërhyrjesh në infrastrukturën rrugore, duke përfshirë rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara, stabilizimin e trupit të rrugëve dhe skarpatave, përmirësimin e sistemeve të drenazhimit, rehabilitimin e veprave të artit, si dhe vendosjen e elementeve të sigurisë rrugore.

Sipas raportit teknik, ndërhyrjet synojnë rritjen e sigurisë së qarkullimit, përmirësimin e cilësisë së udhëtimit, reduktimin e kohës së lëvizjes, si dhe zgjatjen e jetës së infrastrukturës rrugore. Projekti do të zbatohet në të gjithë territorin e vendit, bazuar në nevojat e identifikuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe prioritetet e përcaktuara nga autoriteti kontraktor.

Dokumentacioni teknik parashikon ndërhyrje në disa kategori kryesore, mes të cilave stabilizimi i rrëshqitjeve dhe mbrojtja e skarpatave, ndërtimi dhe rehabilitimi i tombinove e kanaleve kulluese, rikonstruksioni i shtresave rrugore, rehabilitimi i urave dhe veprave të tjera të artit, si dhe përmirësimi i sinjalistikës dhe barrierave mbrojtëse.

FSHZH parashikon gjithashtu që një pjesë e fondit të dedikohet posaçërisht për sigurinë në kantieret e ndërtimit, në përputhje me kërkesat ligjore për mbrojtjen e punëmarrësve gjatë zbatimit të punimeve.

1 Komente

  1. A
    ABC

    Kjo eshte nje llogjike me koke posht Firmat e ndertimit kane marr parate e tani FSHZH harxhon e 1 miliarde leke per te ndrequr ato qe ndertuesit i kane bere si syte e tyre .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje