“Unë jam miku, jo armiku yt”, Rama dedikim protestuesit të ulur para Kryeministrisë: Protestat, errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë

23 Qershor 2026, 08:10Politika TEMA
“Unë jam miku, jo armiku yt”, Rama dedikim protestuesit të

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestën e qytetarëve para kryeministirisë.


Postimi i plotë:

MIRËMËNGJES I DASHUR PROTESTUES

Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij.

Ti i je bashkuar vorbullës thithëse të turmës, sepse beson sinqerisht se po mbron diçka të çmuar.

Ndoshta ti ke frikë se vendi po shkon drejt humnerës. Kapitalistët e huaj do të gllabërojnë natyrën. Zogjtë e rrallë të Shqipërisë do të vdesin. Atdheu yt ka dalë në shitje.

Ose ndoshta ti nuk je i shqetësuar për zogjtë e as nuk e di fare ku bie tamam laguna e Nartës. Po mbase je i zemëruar ngaqë ke një hall tëndin. Hall pune me pronarin që të trajton si robot. S’të paguan orët jashtë orarit. Të jep gjysmën e rrogës në të zezë. Hall shëndeti në familje. Largqoftë me nënën e sëmurë që ka nevojë për ilaçe të shtrenjta. Hall prone me shtëpinë në periferi që ende nuk legalizohet apo me tokën në fshat që ende nuk regjistrohet…

Nuk e di çfarë halli ke tamam. Po di që ke një hall që jo vetëm nuk ta zgjidh askush, po as nuk ta qan kush. Besoje ose jo, po unë e ndjej brengën tënde. Sepse jo vetëm të kuptoj, po edhe të mirëkuptoj, ngaqë jam po aq i zemëruar sa ti me pronarin e pasur që kujton se pasuria i jep të drejtë të sillet si zot i fatit tënd. Me nëpunësin a drejtorin që atij i shërben pa kushte, ndërsa ty as nuk të hedh sytë. Jam i zemëruar me arrogancën e kujtdo që detyrën ndaj teje e ushtron si pushtet mbi ty.

Por pikërisht sepse brenga jote më dhemb dhe arsyet e tua më gjejnë të bindur për legjitimitetin e tyre, unë nuk të shoh dot ashtu. Vetëm. Si një peshk jashtë ujit, pasi dallga e madhe që e nxorri në breg është tërhequr e tëra. Dhe ata që të thirrën për t’u bërë “deti i Shqipërisë së re”, pa pronarë arrogantë, pa nëpunës që i përulen lekut dhe përbuzin njeriun, pa halle shëndeti e pronash, pa të huaj që investojnë në tokat tona e pa investime private në brigjet tona, sot nuk janë askund.

Ata që në studiot televizive të komentuan mbrëmë me entuziazëm si njeriu i popullit, që më në fund po lan hesapet me qeverinë dhe kryeministrin e korruptuar, ndërkohë që për vete, prej vitesh të gjata paguhen më shumë nën dorë se sa mbi dorë për të shpifur dhe sharë mua me libër shtëpie, tani po flenë në shtëpitë e bollshme të blera me ulje të forta nga “oligarkët”. Mbi  dyshekë të butë të blerë me  “lëmoshat” e zeza mijëraeuroshe të këtyre të fundit.

Ata që ranë nga kali i pushtetit në tërë këto vite dhe nuk e panë kurrë tek vetja po tek kali arsyen e rënies, e që gjetën tek ti dritën e shpresave të humbura duke të ngritur në qiell, po pinë me shoshoqin kafet e mëngjesit të herët. Mezi presin që ti sonte të jesh më i zemëruar, më i paduruar, më i çartur në protestën tënde kundër regjimit që i la pa kalë, pa roje, pa vartës. Shkurt pa shijen e pashoqe të pushtetit që sa më i kotë të jesh aq më shumë të mungon.

Influencerat, blogerat e kullerat që të bënë të ndjehesh heroi i tyre, duke të dhënë për herë të parë në jetë ndjesinë dehëse të pushtetit që ka shpirti i luftëtarit të dalë nga radhët e popullit mbi të kamurit, të famshmit, të njohurit dhe pse jo, troç, edhe ndjesinë e fortë të mashkullit që si në një përrallë, u bë idhulli i femrave të paarritshme të botës së luksit, kanë fluturuar edhe ata larg, me krahët e orgazmës për vrullin e mbrëmshëm të lajkeve e të follouersave, të cilët hynë në gjinjtë e në shalët e tyre si protestues, por tanimë do të mbeten në listën e tyre si klientë të reklamave për vilat, hotelet, kremrat, parfumet dhe brekët joshëse për skllevërit e algoritmit.

Ikën edhe karvanet e “diasporës” nga Kosova e Tetova. Të përdorën ty, për të sjellë në Tiranë me vrazhdësinë brutale të hordhive pushtuese, mllefe politike sallahanash të pjesëve të tjera të kombit tonë. Kundër qeverisë tënde në Shqipëri, të cilën ti nuk je asfare i detyruar ta duash. Nuk je as i ndaluar ta luftosh. Por nuk ke as të drejtën të lejosh të tjerë të vendosin për të dhe të flasin në emrin tënd; djemtë e axhallarëve dhe cucat e hallave, nuk vijnë dot në shtëpinë tënde për të vendosur.

Ikën sigurisht, edhe ata që algoritmi dhe partitë e partiçkat e gurëve të hedhur e të duarve të fshehura, i mblodhën për të burgosur Ramën duke e kthyer bulevardin e kryeqytetit të Europës së Ballkanit, në një shesh mesjetar ku turmat e inkuizicionit ulërinin në kor për djegien e gjallë të shtrigave. Ikën qorrallapajt. Ikën ballibullistat. Ikën sypuliturat opozitare që të vinin rrotull duke folur me pasqyrën e tualetit digjital para fytyrës së tyre hipokrite. Ikën lëtyrat parlamentare që nxirrnin kokën pas shqiponjës mbi kurrizin tënd…

Së bashku me armatat armike të profileve fallco e të raketave digjitale, që hidhen papushim nga Lindja tutje Europës drejt sheshit televiziv të revolucionit të flamingove dhe shpërndajnë në mijëra thërrime lajkesh e follouerash fallco, çdo bombë që gjuan një gënjeshtër, lajm të rremë, video të manipuluar, ikën edhe ata që u dyndën në bulevard nga emigracioni në shtete të huaja, si shqiponja shpëtimtare të mëmëdheut të nxjerrë nga algoritmi në sheshbetejën e kundërshtisë globale, politike, ideologjike me Presidentin e Amerikës.

Ikën të tërë!

Iku madje edhe një sorrë kobzezë, që predikonte hakmarrjen ndaj amerikanëve që vranë “vëllaun tonë”, gjeneralin iranian Kasem Suleimani, kasapin e pamëshirshëm të regjimit terrorist të Teheranit.

Ti mbete vetëm, me hallin tënd dhe pa askënd që ta qan, shembëlltyrë njerëzore e proletariatit të algoritmit, sepse algoritmi nuk ka ndjenja, nuk njeh njerëz, nuk do ideale, nuk pyet kush ka të drejtë. Ai interesohet vetëm për çfarë prodhon më shumë kuriozitet, eksitim, zemërim dhe varësi prej tij.

Ti në fakt mbete siç ishe. Ai që ishe kur u nise drejt bulevardit për të ndryshuar botën. I vetëm përballë ditës së gjatë. Me sytë e hapur në boshin që të rrethon, pas kthimit në tokë nga nata në qiellin e iluzioneve revolucionare. Ndërsa ata që u ngjitën lart në vëmendjen e dynjasë falë teje, duke të mbushur mendjen se befas u bëre ai që nuk je, forca e një revolucioni që nuk është, për përmbysjen e realitetit dhe zëvendësimin e tij me një realitet të krijuar vetëm për të të joshur ty, gatuan pa mëshirë në tiganin e pakufishëm të algoritmit, ushqimin e tyre me mishin e me shpirtin tënd.

Dhe u zhdukën.

Ti mbete aty.

Në këtë fotografi të trishtë unë nuk shoh assesi dështimin tënd. Shoh veten time dhe vështirësitë e hallet e tua. Po, sepse luftoj përditë e zemërohem jo pak, me ata që nuk ua ndjen për ato vështirësi dhe jo nuk dinë as të t’i qajnë hallet, po më keq akoma, t’i përçmojnë si ti të ishe një koment anonim në fejsbukun e tyre, jo një rob Zoti me barrën e problemeve të tua në pragun e derës së shtetit tënd.

Por shoh tek kjo fotografi e zgjimit në sheshin e zbrazët edhe shijen e tradhëtisë së gjithkujt që të përdori mbrëmë për interesat e veta. Ji i sigurtë se sado e çuditshme të të duket, më ndodh edhe mua të kem zgjime të zbrazëta me të njëjtën shije. Po njësoj, fotografia është e imja ndërsa tradhëtia është e të tjerëve, herë një bashkëpunëtor, herë një vartës i njohur a të tjera herë vartës të panjohur të vartësve, që për interesat e tyre e përdhunojnë besimin tim në forma të ndryshme. Sillen keq me njerëzit. Përçmojnë meritën. Stimulojnë farefisin. Promovojnë tarafin. Kërkojnë lekë nën dorë. Favore. E mbi të gjitha, harrojnë që ajo karrige është nder, jo uturak. Fatmirësisht, ndryshe nga ti, dita ime vazhdon me punë të pandalur, falë energjisë së mirë të plot e plot të tjerëve, që punojnë bashkë me mua.

Pra siç e sheh, kjo e imja nuk është letra e dikujt që të qan hallin duke të parë nga lart apo nga larg. Eshtë një letër e ndjerë respekti për ty që besove, luftove dhe mbete vetëm. Po njëkohësisht është edhe një shtrirje dore nga dikush që e di ç’domethënë të ndjehesh vetëm, kur besimi që jep shpërdorohet dhe lufta që bën tradhëtohet.

E di që sot mund të më shohësh si kundërshtarin tënd. Ndoshta edhe si shkakun e zemërimit tënd. Kjo letër nuk është një përpjekje që ti të më shohësh ndryshe. As një kërkesë që ta drejtosh gjetkë shigjetën e zemërimit tënd. 

Pyete vetë veten nëse armiku yt jam unë, që përpiqem papushim mes njiëmijë vështirësish që Shqipëria të bëhet çdo ditë më e mirë se një ditë më parë, apo ata që të kthyen në heroin e mbrëmjes për të të lënë në rrugë, vetëm, si shishe boshe të hedhur tutje pa kokëçarje pas një dehjeje kolektive.

Nëse përgjigja jote do të jetë akoma se armiku yt jam unë, patjetër që do ta respektoj. Sepse demokracia jeton edhe nga kjo e drejtë dhe nga respekti për këtë të drejtë. Por nëse një ditë do të kuptosh të vërtetën e thjeshtë, se halli yt nuk është asfare larg hallit tim, atëherë mos i prit aty ata që do të kthehen përsëri në mbrëmje.

Eja tek unë.

Jo të më duartrokasësh. Jo të heqësh dorë nga kritikat e tua. As të më votosh nëse nuk do të të mbushet mendja, se jo thjesht nuk jam unë e keqja e madhe që ata të kanë mbushur mendjen se jam, po unë sot jam e vetmja pengesë mes këtij vendi e teje dhe të këqijave të mëdha, që ata mund t’i bëjnë Shqipërisë po t’u hapet rruga.

Eja pra tek unë, qoftë edhe vetëm për të mos lënë askënd ta përdorë hallin tënd kundër Shqipërisë dhe as të përdorë hallet e Shqipërisë kundër teje.

Eja, sepse Shqipëria nuk bëhet as me ata që brohorasin verbërisht, as me ata që zemërohen verbërisht. Shqipëria po bëhet nga çdo shqiptar e shqiptare, që në vend se të mallkojë errësirën ndez përditë qiriun e kontributit të vet, duke shtuar në çdo hap dritën e Shqipërisë Europiane dhe pakësuar errësirën e trashëguar nga kohërat e vjetra e më të reja.

Kush do që drita të shtohet më shumë dhe errësira të tretet më shpejt është i bekuar, sadoqoftë jo dakord me mua. Ndërsa ata që do të rikthehen sonte në mbrëmje për të përdorur trupin e mishin tënd, janë vetë errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë.

Unë jam miku, jo armiku yt.

25 Komente

  1. B
    Beni

    I vetmi hall qe ka ky protestues dhe gjith shqipetaret je ti,Prandaj kete hall ketij KOMBI

    Përgjigjjuni
    1. D
      Dire Straits !!!!!

      Ne fakt Palloshi eshte duke folur tamam per veten e tij ne 21 Janar. U foli me entuziazem njerezve qe te dilnin ne proteste , dolen njerezit bashke me ta edhe Palloshi ...dhe me pas kur u ndje nje rrezik jete , Palloshi iku dhe u fsheh dhe i braktisi dhe i la njerezit e tij nen meshiren e fatit te plumbave te Saliut......pastaj "shyqyr tha" qe pati ca te vrare te cilet i perdori per te ardhur ne pushtet.......Si rrjedhim ky funderrine nuk duhet te flase me shprehje te tilla per kete protestues !!!!

      Përgjigjjuni
      1. R
        Ram mallkimi

        Po ca mik je ti mor qr. ti je mallkimi shqiperise

        Përgjigjjuni
        1. A
          A

          Per kete mendje te kam votuar e votoj EDI RAMA!

          Përgjigjjuni
          1. R
            Reply to Beni

            Keshtu e mendon ti ,ore Ben ? Ai qe eshte ulur atje nuk ka emrin tende dhe ti nuk mund tja dish hallin qe ka per menyren si eshte ulur ri mendohet dhe mbase dyshon : po une cfar dua ketu ???

            Përgjigjjuni
            1. a
              armand

              Ja iku po pastaj , cila eshte alternativa? Ju jeni njerez qe anarkine dhe kaosin e keni pjese te ADN . Eshte e kot te merresh me ju. Njerez qe dhunen verbale dhe fizike i shohin si mjetin e vetem per arritjen e objektivit. Hiqeni dhe kthehuni pas ne vite kur shurrosnit shkurreve ne mes te Tiranes dhe bota ju shihte si qenie laboratori , si qenie te paafte per te bere jete normale .

              Përgjigjjuni
              1. P
                Psiko

                Vetem rama qe s’mund te kete miq. Gjithe miqte e tij ose jane ne burg ose jane hapur kunder tij dhe psikopatise se tij qeverisese.

                Përgjigjjuni
                1. K
                  Kafe e futboll

                  Beni mos je cuni xhajes se ketij personi ne foto qe llap ne emer te tij? Poshte Irani?

                  Përgjigjjuni
                2. P
                  Protesta 24

                  Gent Progni n'burg Olsi Jazexhi n'burg Luçiana Kokaj n'burg Arben Kola n'burg Ilir Xhemalaj n'burg Edison Nika n'burg Arilda Lleshi n'burg Vladimir Thano n'burg Sidorela Vatnikaj n'burg

                  Përgjigjjuni
                  1. A
                    Aa

                    Gjigand

                    Përgjigjjuni
                    1. A
                      Aa

                      GJIGAND

                      Përgjigjjuni
                      1. B
                        Bla bla

                        Mjafton që ministrat e tu, të realizojnë konkurse reale, dhe të bazohen në njerëz që përfaqësojnë institucionet dhe jo lidhjet nepotike. Megjithëse ti je i pabesueshëm, pasi theve protestën studentore me joshje me vende pune, nuk bere asnjë reformë as për plagjiaturat, as në arsminin e lartë, as në kërkimin shkencor, të cilat janë katandisur më keq se administrata publike, ku mbizotëron parazitizmi dhe nepotizmi.

                        Përgjigjjuni
                        1. S
                          Shqiptari

                          Pene e forte, e shkruar me shpirt dhe zemer

                          Përgjigjjuni
                          1. D
                            Daku

                            Ti ke te drejte por shpellaret nuk te kuptojne! Fondamentalistet antisemite kane ngritur krye, kjo mund te jete fillimi i fundit te ekzistences tone si komb. Nese ne humbim aleatet strategjike dhe shkojme mbas histerizmit te Jazexhiht dhe Goxhajt dite te zeza na presun. Duhet te mbledhesh mendjen se perpos propogandes fondamenatliste ka edhe mijra hallexhinj e njerez me vlera qe dalin ne proteste. Ndrysho kurs e meru me hallet e njerezve e jo me luksin e oligarkeve. Jepi fryme biznesit se administrata po e rjep te gjallle cdo dite., Shkurto administraten se ne 15 vite e ke dyfishuar numrin, kerko konsensus me opoziten per kete, ne 500 mije te punesuar kemi 195 mije ne administrate, hiqi gjysmen e tyre dhe dyfisho pagat e atyre qe ngelen. Korupsioni eshte ne gen si asnjehere me pare. Thiri mendjes KM.

                            Përgjigjjuni
                            1. P
                              Pa protesta politike nuk ka Demokraci

                              Pa protesta politike dhe ekonomike e gjithefaresoji eshte alternativa e vetme qe i keni lene ZERIT TE QYTETAREVE! Nje populli qe i vidhet vota, parate e qytetareve, i perzihen femijet nga shtepia, nuk eshte aksioner asgjekundi ne pasurite e bizneset ne vend, qe mashtrohet 24 ore ne dite, 7 ditet e javes dhe 12 muajt e vitit, cfare prisni prej tij?! Ti o zagar me Sali pazar menduat qe po hyjme ne NATO, nuk i le NATO protestat se do dale NATO e do thote stop protestes se na prishni pune, ti perzeme femijet shqiptareve nga vendi se pastaj nuk ka kush proteston me ketu! Mjerane qe mes shqiptareve e ne krye te Shqiperise ju privilegjuam dhe ju kurre nuk e njohet shqiptarin pellazg ilir arberesh e modern!

                              Përgjigjjuni
                              1. k
                                kasemi

                                ore protestues ju qe bertisni do rrime aty derisa te iki Rama, ku jeni? apo paradite plazh pasdite xhiro ne bulevard? ti o i gjore qe rri aty ik se sakrificen tende nuk do ta kuptoje kurre asnjeri, asnjeriu nuk i behet vone nese ti rri aty apo jo.

                                Përgjigjjuni
                                1. r
                                  realisti

                                  O njerez te mire, ju te mirevet ju bej thirrje se te keqinjte e dijne vete rrugen sepse ata pyesin SHEJTANIN dhe ai i udheheq,mos shkoni mbas berihajt e mbas djallit. Degjojeni kte thirrje,jo timen por,te ktij kryeministri qe nuk e ka pasur dhe nuk do ta kete ndonjehere Shqiperia. Ka dhe Ai te meta si gjithe njerzit,ben dhe Ai mekate si gjithe njerzit por, Ai nuk ben mekate me qellim. Protestoni per ate qe u duket e padrejte se kte te bukur ka demokracia,behuni nje qind,nje mije,njeqindmije,nje milion po deshet por, mos shkoni pas djallit...

                                  Përgjigjjuni
                                  1. K
                                    KOMENTI

                                    Pena jote mban notën 10 sigurisht kur i sheh gjërat nga jashtë aty ke dhe realitetin.. Poo njërzit kanë halle plot në gjithë këto vite dhe shumë herë probleme shumë të vogla të cilat duke u përsëritur kanë rënduar shumë jetën e njerëzve të thjeshtë. Ata që mban afër të bëjnë qefin nga frika dhe servilizmi. Shqiptarëve të thjeshtë ju është mohuar toka e tyre në gjithë gjatësinë e vijës bregdetare ata që kanë grabitur ato shërbime në bregdet sillen arrogant e pa edukate, plazhet publike që thuhet për ca rripa rëra si ti aksesoj z. Kryeministër, me tren nuk shkoj me autobus jo me makinë ska parking si ta marrë atë çadrën nën krahë dhe torben me bukë e djathtë dhe të rri ca orë në diellin tim ku më ka lënë perëndia, si.. Si është e mundur që të kemi pronar në rërë dhe det si...?!! Gjykatat ok po kur këto gjykata të korruptuara sigurisht pranohet bëjnë këtë gjë me tokën publike ti a je në pushtet me shumicë në parlament nxjerr një ligj që të verifikohen të gjitha pronat në vijën bregdetar sidomos... dhe të shikosh se të gjitha janë fallco... E di mbase se prish dot po hiqet pronësia dhe le tu kthehet përsëri shqiptarëve dhe pas 200 viteve!!!. Si nuk arrite të gjesh njërzit e duhur për t'i vendosur në krye të punëve pyeti strukturat e tua thuaj me gjeni more njërzit e ndershëm të garantoj se janë shumica dhe promovoj dhe të mos kenë frikë që të kundërshtojnë gjej, këta njërëz nuk i gjen brenda partisë aty ke militant... Kaq vite në pushtet ju bëjnë përgjegjës duke zbehur shumë dhe gjërat e mira që janë bërë!!!!

                                    Përgjigjjuni
                                    1. L
                                      Lezhjani

                                      E sikur ta lexojne dhe mbi te gjitha ta kuptojne kete shkrim

                                      Përgjigjjuni
                                      1. S
                                        Sufllaqe

                                        Ky flet sikur ka 2 dite qe ka hy ne kryeministri e po i qan hallin. Protesta qenka errësirë per vendin, jo ky e Sala qe e ropen. I kane ngel akoma keto qe i cojne gruan drejtorit per 1 rroge, po gjynah dhe ata se e lane rrogen kolinoz

                                        Përgjigjjuni
                                        1. L
                                          LORA

                                          Perfeksion,pergjegjshmeri e kulluar e Kryeministrit Rama me cdo shtetas te Shqiperise tone. Mirenjohje zoti Rama.

                                          Përgjigjjuni
                                          1. S
                                            Sokol, NY

                                            Nje pyetje qe lind natyrshem: nese ne 13 vjet ne pushtet absolut ende ka probleme me legalizimin, me ujin e dritat, me mungesen e ilaceve apo te formalizimit, a mos valle duhet te provojme dike tjeter ne krye te qeverise per ti rregulluar keto?

                                            Përgjigjjuni
                                            1. N
                                              Nje i Moshuar

                                              Ju bej thirje , ta lexojne te gjithe ate LETER drejtuar protestesit te deshperuar dhe te gjithe duhet te nxjerim mesim para se teveprojme per te mos na denuar pas-ardhesit e brezave tane , ndoshta dhe do te na mallkojne ??? Bravo Edi Rama per ndjeshmerine qe ke treguar , ai qe ka mend dhe e do kete vend kjo LETER eshte nje PASQYRE ku ne duhet te shihemi te gjithe ...!!!! Ju uroj te jeni gjithmone OPTIMIST dhe gjak ftohte nga tymnajat qe hidhen kunder jush ? Suksese .

                                              Përgjigjjuni
                                              1. P
                                                Pelikani

                                                O kryeminister! Ky hartim është sa naiv aq dhe shqetësues për qytetarët e këtij vendi që të kanë dhënë të drejtën për të qeverisur vendin, me kusht që të zbatosh ligjet. Ti mendon se zonat e mbrojtura të natyrës me rregullat e tyre janë një fatkeqësi administrative, ligjore për të cilën ti ke te drejtën morale ti luftosh si të mundesh. Ti nuk beson dhe kupton moralin e mbrojtjes të natyrës. Kjo është injoranca jote dhe botëkuptimi jot i kufizuar. Fatkeqësisht për ty, ti je një lider i një vendi të voçkël që nuk ka mundësi tjetër veçse ti bashkohet vendeve Europiane ku vlerat mjedisore dhe sundimi i ligjit është i shenjtë. E shoh që adhuron Trumpizmin, por je në vendin e gabuar gjeografikisht. Mohimi i realitetit dhe mundimi për ta shpjeguar problemet me faktorë të jashtëm është shenjë e keqe e një mendje të mbyllur! Ti mendon se ajka e rinisë së kryeqytetit në disa qindra mijëra qenka e manipuluar ndërkohë që ti i vetëm paske monopolin e të vërtetës? Po parlamenti Europian, edhe ai është i manipuluar?! Po raportet e përsëritura të Komisionit Europian qysh në 2025, edhe ata janë të manipuluara?!

                                                Përgjigjjuni
                                                1. C
                                                  Cubi

                                                  O rome jam shum dakort ke bere nje postim te papare, jo un qe jam shqipetare, por edhe nje shtetas tjeter po ta kuptoj do thot qe jam dakort te jetoj ne shqiperi qe sado pak te kontriboj edhe un qe shqiperia te perparoj. Por monstrat e saliut sikur sot tjua shtrosh me flori su mbushet mendja, jo se nuk e duan,por nga kan ardhur as e kuptojn as do ta kuptojn, mbase mbas nja 60-70 vjetesh.

                                                  Përgjigjjuni

                                                  Lini një Përgjigje