VIDEO/ Zekthi: Rama dhe Berisha përballë protestës që kërkon fundin e tranzicionit

23 Qershor 2026, 18:00Politika TEMA
VIDEO/ Zekthi: Rama dhe Berisha përballë protestës që

Zekthi: Rama dhe Berisha përballë protestës që kërkon fundin e tranzicionit

“U desh vetëm një ngjarje e vogël në dukje, por e madhe në thelb, për të nxitur angazhimin e një mase të madhe shqiptarësh kundër elitës politike që ka drejtuar vendin për më shumë se tri dekada.” Kështu e sheh politologu Fitim Zekthi shpërthimin e reagimit qytetar ndaj qeverisë dhe klasës politike që, sipas tij, ka sunduar më shumë sesa ka qeverisur Shqipërinë gjatë 35 viteve të fundit.

Në intervistën për Tema, Zekthi e cilëson këtë si protestën më të rëndësishme që nga rënia e diktaturës komuniste, jo vetëm për shkak të përmasave, por edhe sepse ajo erdhi pas një periudhe të gjatë apatie shoqërore, mosreagimi dhe dorëzimi përballë realitetit politik.

Sipas tij, reagimet e kryeministrit Edi Rama ndaj protestës tregojnë se ai beson se është duke bërë gjënë e duhur dhe se problemi  sipas Zekthit, është se Rama nuk po arrin të kuptojë realitetin e ri që po formësohet përballë tij. Dëshpërimi më i madh i kryeministrit, thotë ai, lidhet me humbjen e kontrollit mbi narrativën publike.

“Rama ka menduar gjithmonë se e kontrollon ligjërimin publik, se është ai që e dikton debatin dhe përcakton temat e ditës. Por në këtë rast është rinia shqiptare ajo që e ka mundur pikërisht në pikën e tij më të fortë”, argumenton Zekthi. Sipas tij, fakti që protestuesit e ironizojnë dhe e vendosin në qendër të satirës publike është diçka që kryeministri nuk e pranon dot.

Por, sipas politologut, as lideri i opozitës nuk gjen pika takimi me frymën e protestës. Zekthi mendon se Sali Berisha qëndron po aq larg kërkesës për rinovim politik sa edhe kundërshtari i tij. Berisha wshtw njwsoj I shwnjestruar nga protesta.

Madje, në një situatë hipotetike, nëse Berisha do të vendoste të jepte dorëheqjen dhe të largohej nga politika, ai do të korrigjonte një pjesë të rëndësishme të bilancit të tij politik, veçanërisht në kapitujt më pak të lavdishëm të karrierës së tij. Megjithatë, Zekthi nuk e konsideron këtë një skenar realist, duke iu referuar tipareve që Berisha ka shfaqur gjatë gjithë historisë së tij politike.

Duke komentuar incidentin me flamurin izraelit, Zekthi këmbëngul se protesta nuk ka asnjë lidhje me qëndrime kundër Izraelit. Përkundrazi, ai ngre dyshime se ngjarja mund të jetë stisur apo inskenuar dhe se po përdoret politikisht si nga Rama ashtu edhe nga Berisha.

Për të shpjeguar dyshimet e tij, politologu sjell në vëmendje një prej episodeve më të errëta të historisë së diktaturës komuniste, kur Sigurimi i Shtetit vendosi armë në kisha dhe xhami për të fabrikuar akuza ndaj klerit fetar, çka u pasua më vonë me burgosje dhe ekzekutime.

“Do të ishte një ngjarje e shëmtuar nëse rezulton se kemi të bëjmë me një inskenim të tillë”, thotë Zekthi, duke kujtuar se ambasada e Izraelit, ashtu si përfaqësitë e tjera diplomatike, ruhet në mënyrë rigoroze nga institucionet ligjzbatuese dhe se çdo incident i tillë kërkon hetim serioz, jo shfrytëzim politik.

1 Komente

  1. V
    Vlonjati i inatosur

    O zekthi sa artikuj ke shkruar fsllco për njerëzit, që gjoja janë në ndjekje, janë në asmëri, me qëllim që këto artikuj të paraqiten nga këto njetzë për të kërkuar azil politik.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje