Studentët e Dhjetorit '90 dhe protestuesit e Qershorit 2026, të përbashkëta dhe dallime

23 Qershor 2026, 17:00Blog TEMA
Studentët e Dhjetorit '90 dhe protestuesit e Qershorit 2026, të

Nga Ardi Stefa

Nuk e mohoj që si pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore ’90 të bëj një krahasim mes Dhjetorit ’90 dhe qershorit 2026, pasi për të evidentuar ngjashmëritë dhe dallimet thelbësore duhet të shmang romantizimin e së shkuarës dhe idealizimin e së tashmes.

Gjithsesi...
Historia rrallë përsëritet në të njëjtën formë, por shpesh rimon. Për këtë arsye, krahasimi mes studentëve të Dhjetorit 1990 dhe protestuesve të Qershorit 2026 është joshës dhe i rrezikshëm. Joshës, sepse në të dy rastet kemi qytetarë që dalin në rrugë kundër një realiteti që e konsiderojnë të padrejtë. I rrezikshëm, sepse kushtet, qëllimet dhe konteksti historik janë thelbësisht të ndryshme.

Ajo që i bashkon është refuzimi i status quo-së. Ne, Studentët e Dhjetorit u ngritëm kundër një sistemi që kishte humbur legjitimitetin moral dhe politik. Protestuesit e Qershorit janë ngritur kundër një sistemi që shumëkush e konsideron të kapur nga interesat e një elite politike që riciklon vetveten prej dekadash. Në të dy rastet, rruga është bërë vendi ku qytetarët kërkojnë të dëgjohen kur institucionet nuk arrijnë t'i përfaqësojnë.

Në Dhjetor ’90 i njëjti person që erdhi emisar për të shuar protestat e studentëve dhe më pas i përvetësoi, sot në 2026- ën do të përvetësojë frytet e mundshme.
Një tjetër ngjashmëri është roli i rinisë. Edhe pse protesta e vitit 2026 nuk është ekskluzivisht rinore, energjia, revolta dhe kërkesa për ndryshim vijnë kryesisht nga breza që ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja dhe të tradhtuar nga premtimet politike.

Por këtu fillojnë edhe dallimet.
Ne, Studentët e Dhjetorit luftonim për pluralizmin politik. Kërkonim të drejtën për të zgjedhur. Protestuesit e Qershorit jetojnë në një sistem formal pluralist. Ata nuk po kërkojnë të drejtën për të votuar, por të drejtën që vota të prodhojë ndryshim real. Në Dhjetor ‘90 luftonim për demokracinë; protestuesit e vitit 2026 po sfidojnë cilësinë e saj.

Dhjetori kishte një kundërshtar të qartë: regjimin komunist.
Qershori ka një kundërshtar më të paqartë dhe më të vështirë për t'u identifikuar. Establishmentin. Ai përfshin pushtetin, opozitën tradicionale, oligarkinë politike dhe kulturën e mosndëshkimit që është ndërtuar gjatë tranzicionit. Pikërisht për këtë arsye, protesta e sotme është më komplekse, sepse nuk synon të rrëzojë një qeveri, por të ndryshojë mekanizmin që riprodhon të njëjtët aktorë.

Një dallim tjetër është raporti me liderët. Studentët e Dhjetorit “prodhuan” liderë të rinj. Protestuesit e Qershorit, të paktën deri tani, shfaqin një mosbesim të thellë ndaj çdo lideri. Kjo tregon forcë, sepse e mbron protestën nga kapja politike, por edhe dobësi, sepse çdo lëvizje që synon ndryshimin afatgjatë ka nevojë për organizim, drejtim dhe përfaqësim.

Të qartë ideologjikisht ishim atëherë, rrëmujë janë sot. Ne ishim “injorantë” jo nga mungesa e dëshirës për të ditur..., sot janë mediokër e “gdhë” nga “dija e tepërt”...

Megjithatë, ndoshta dallimi më i madh qëndron te zhgënjimi historik. Studentët e vitit 1990 kishin përpara një të ardhme që dukej e hapur. Protestuesit e vitit 2026 protestojnë pikërisht sepse ajo e ardhme nuk u realizua plotësisht. Ata janë fëmijët politikë të tranzicionit. Janë brezi që po i kërkon llogari elitës që doli nga Dhjetori.

Krahasimi mes Dhjetorit 1990 dhe Qershorit 2026 nuk duhet të bëhet për të shpallur fitues apo trashëgimtarë. Studentët e Dhjetorit shembën një sistem. Protestuesit e Qershorit po përpiqen të thyejnë një cikël.

Të parët kërkonin lirinë. Të dytët kërkojnë që liria të ketë kuptim. Kjo është lidhja më e fortë mes Dhjetorit e Qershorit, bindja se Shqipëria mund dhe duhet të jetë më e mirë sesa është sot.

4 Komente

  1. S
    Syzet

    Pa e lexuar fare shkrimin, rrobt vlla ku ti kesh me gjithe syze

    Përgjigjjuni
    1. D
      Dire Straits !!!!!

      Dhjetor 90 : Studentet u ngriten per te permbysur diktaturen , vendosen ne krye nje klase politike te re dhe i dhane 1 detyre : " Ta bejme Shqiperine si gjithe Europa ".........Qershor 2026 : Klasa politike , per 35 vjet me radhe , detyren e lene nga Dhjetor 90 , e zevendesoi me " Te grumbullojme sa me shume pasuri per veten , per familjet , per brezat e femijeve tane".......Atehere ?????? Te shporret kjo klase politike e korruptuar qe perdhosi idealet e Dhjetor 90 !!!!!!!

      Përgjigjjuni
      1. G
        Gjeka

        Te paret donin te binin lirine Keta te dytet edhe pse kane vetem dite me shume ne proteste nuk e kane akoma haberin se cfare kerkojne. Keshtu mos ja fut kot edhe ti

        Përgjigjjuni
        1. B
          Bedriu!

          Ardi! Studentet e dhjetorit,i nxiti dhe i perkrahu regjimi Hoxhist,ish sigurimi dhe falangat e tjera të dal boje,ajo protest ku keni qene juve po edhe unë,me. një ndryshim,juve ishit të perzgjedhur nga komitetet ekzekutive me biografi të mirë. Ndersa unë,shkollën e mesme me mesataren 9.7,provova kazmën në kooperativë,se më ishte arratisur vëllai. Kur unë mbaja e ndaja tesera të partisë Demokratike, e haja dajak nga ato që më vonë zunë poste e detyra ,Ti flije tek dhoma jote tek godinat e studenteve,duke u mburrur se ishte student i dhjetorit dhe hidhje grepat për ndonjë detyrë të privilegjuar. Prodhuat lider të rekomanduar nga Komiteti Qendror me Ramizoviçin në krye,dhe këto lidera ishin në mbrojtje të policisë 24 orë,dhe kishin qenë ish bashkpuntor të ish sigurimit(e ku ta dinim neve të mjerët) Ndersa tani nuk guxon të mar autorsinë,sepse falangat kriminale që i ke në pushtet,mund edhe ti eliminojnë fizikisht,dhe nuk është zgjuarsi të dalësh kundër mafjes që licensohet nga shteti,se të ikën familja dhe vete personi. Kam shumë o mik,por nuk kam kohë,troç kjo protest që juve mendoni se është pakrye,është mbledhur për të ndrequr atë që shkatëruat juve në 1991,pra Demokracinë,po se si duhet parë,edhe sikur të deshtoj,prapë qellimin e ka harritur,ju tregoi shqiptarve moçalin politik 30 vjecar.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje