Modele të reja biznesi po ndihmojnë në uljen e mbetjeve, krijimin e vendeve të gjelbra të punës dhe zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri.
Në Divjakë, një nga projektet fituese të sfidës së inovacionit për bio-mbetjet po teston rikthimin në ekonomi të mbetjeve bujqësore të biodegradueshme.
Të mbështetura nga Bashkimi Europian dhe të zbatuara nga GIZ, këto nisma synojnë të adresojnë një problem të madh mjedisor, pasi mbi gjysma e mbetjeve urbane në Shqipëri janë të biodegradueshme, por ende përfundojnë në landfill ose në vendgrumbullime të paligjshme.
“Të gjitha mbetjet që ngelnin nga produkti final kompostohen. Ky proces mundëson që fermerët të punojnë me pleh organik të freskët, duke sjellë një risi në bujqësi. Ky është një produkt që ndihmon në shmangien e shumë problemeve në sektorin bujqësor dhe kontribuon në përmirësimin e cilësisë së tokës. Kërkesa për këtë produkt është shumë e madhe, jo vetëm në tregun e brendshëm”, tha Robert Kokoneshi.
Në industrinë kozmetike, kompania e Nerta Bushit u mundëson klientëve të ripërdorin ambalazhet përmes stacioneve të rimbushjes dhe pastrimit, duke reduktuar përdorimin e plastikës së re.
“Një qytetar mund të marri paketimin nga shtëpia e vet ose mund të blejë si fillim paketimin e aluminit që gjendet në makineritë përkatëse dhe ta rimbushit me makineritë tona dhe mbron ambientin”, tha Bushi
Nga ana tjetër, produktet e kompanisë së Nertës sjellin më të mirën e natyrës shqiptare.
“Ne mbledhim bimë medicinale nga jugu dhe nga veriu i Shqipërisë. Bimët më të shumë përdorshme që ne kemi janë dafina, sherebela, livando, rozmarina, kamomili”, tha ajo.
Deri në maj të vitit 2026, kjo nismë ka shmangur hedhjen e mbi 6 mijë e 600 shisheve plastike në mbetje dhe ka krijuar katër vende të reja pune të gjelbra, duke treguar se ekonomia qarkulluese mund të funksionojë edhe në jetën e përditshme të konsumatorëve shqiptarë. /rtsh.al
Lini një Përgjigje