Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e Ballkanit Perëndimor vijojnë të rriten, por me ritme të ndryshme mes partnerëve. Të dhënat për pesëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se Kosova mbetet partneri më i rëndësishëm rajonal, ndërsa rritje të ndjeshme shënohen edhe me Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Në të kundërt, importet nga Mali i Zi kanë pësuar një tkurrje të fortë.
Gjatë periudhës pesëmujore të këtij viti, eksportet shqiptare drejt Kosovës arritën në rreth 16.8 miliardë lekë, me një rritje prej 13.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke konfirmuar këtë treg si destinacionin më të madh të mallrave shqiptare në rajon.
Rritje të fortë regjistruan edhe eksportet drejt Bosnje Hercegovinës, me 19.1%, si dhe drejt Maqedonisë së Veriut me 14.4%. Edhe eksportet drejt Serbisë u zgjeruan me 7.4%, ndërsa ato drejt Malit të Zi u rritën me 7%, duke treguar forcim të përgjithshëm të pranisë së produkteve shqiptare në tregjet rajonale.
Në anën tjetër të bilancit, importet paraqesin një tablo më të përzier. Shqipëria rriti importet nga Kosova me 13.4% dhe nga Bosnje Hercegovina me 4%, ndërsa importet nga Mali i Zi ranë me 37.6%, rënia më e madhe mes vendeve të rajonit. Në tkurrje rezultuan edhe importet nga Maqedonia e Veriut me 13.9% dhe nga Serbia me 6.3%.
Të dhënat tregojnë se, ndërsa eksportet shqiptare po fitojnë terren në të gjithë rajonin, importet po përqendrohen gjithnjë e më shumë te Kosova, ndërsa furnizimet nga disa partnerë tradicionalë ballkanikë kanë ardhur në rënie. Kjo sugjeron një forcim të rolit të Kosovës si partneri më dinamik tregtar i Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor.
Lini një Përgjigje