“Protesta i ka marrë Berishës trofeun e fundit që i kishte mbetur: sheshin, thonë kritikët e kreut të PD-së Sali Berisha. Për vite me radhë, protesta ishte territori politik ku Berisha ndihej më i fortë. Ishte mjeti përmes të cilit mobilizonte mbështetësit, impononte axhendën dhe demonstronte force për të mbajtur me një grusht mbështetësish PD-në e skllavëruar. Kur nisi kjo protestë, ndosha elita e PD-së dhe vetë Berisha nuk e kishin parashikuar përmasën që do të merrte.
Në ditët e para, kur protesta nisi të artikulonte kundërshtimin ndaj projektit të Zvernecit dhe akuzat për kapjen e shtetit nga politika e vjetër, Sali Berisha zgjodhi të mos ishte në anën e protestuesve. Përkundrazi. Ai doli kundër saj duke e justifikuar qëndrimin si mbështetje të investimit amerikan në Zvernec dhe u distancua qartë nga protesta. Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar këtë qëndrim si përpjekjen e një politikani që, “me sjelljen e një skllavi pa dinjitet”, kërkoi ta shiste veten si mbrojtës të Familjes Trump dhe të investimit amerikan. Por shumë shpejt u bë e qartë se protesta nuk ishte ngritur kundër investimeve të huaja dhe as kundër Amerikës. Sheshi kishte një tjetër adresë.
Çdo mbrëmje, pa pushim, një pjesë e madhe e protestuesve brohorasin të njëjtën parullë: “Rama në burg, Berisha në burg”. Një slogan që nuk kursen askënd nga establishmenti politik i tri dekadave të fundit. Një thirrje që nuk bën dallim mes pushtetit dhe opozitës, mes kryeministrit aktual dhe ish-kryeministrit.
Pikërisht këtu nis edhe paradoksi. Si mund të jetë Sali Berisha mbështetës i një proteste që e ka vendosur emrin e tij në qendër të akuzës? Si mund të ftojë demokratët t'i bashkohen një sheshi që e konsideron pjesë të problemit dhe jo pjesë të zgjidhjes? Ndërkohë protesta vazhdon të artikulojë të njëjtat kërkesa dhe të përdorë të njëjtat slogane. Nuk ka hequr dorë nga thirrja “Rama në burg, Berisha në burg”. Nuk ka zëvendësuar kritikën ndaj klasës politike me mbështetje për opozitën. Përkundrazi, sa më shumë kalojnë ditët, aq më e dukshme bëhet distanca e saj nga partitë tradicionale. Këtë e provoi edhe përplasja e fundit e protestuesve në dyert e Partisë Demokratike.
Por mesa duket përpjekjet do ti shkojnë kot sepse për herë të parë pas shumë kohësh, në bulevard po zhvillohet një protestë që nuk e kontrollon, nuk e organizon dhe nuk e drejton ai. Ndoshta pikërisht për këtë arsye zgjedhja e tij është e qartë: më mirë të deklarosh se je në anën e protestës sesa të pranosh se protesta po zhvillohet pa ty.
Por dilema mbetet.
Nëse kjo është vërtet protesta më historike që ka ndodhur ndonjëherë, siç thotë Berisha, atëherë ai duhet të pajtohet edhe me mesazhin e saj më të fortë. Dhe mesazhi që dëgjohet çdo mbrëmje nga sheshi nuk është vetëm “Rama në burg”. Është edhe “Berisha në burg”.
Xhemalaj n'burg Kokaj n'burg Thano n'burg Nika n'burg Kola n'burg Progni n'burg Jazexhi n'burg