Pikat e kalimit kufitar në Shqipëri do të funksionojnë me një sistem të ri sinjalistike dhe orientimi për udhëtarët. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përcakton standardet e tabelave dhe simboleve që do të përdoren në të gjitha pikat kufitare të vendit, në zbatim të kuadrit të ri ligjor për kontrollin e kufirit shtetëror.
Qëllimi i këtij ndryshimi është krijimi i një sistemi të unifikuar informacioni, i cili synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të rrisë qartësinë e procedurave për hyrjen dhe daljen nga territori shqiptar. Tabelat orientuese do të jenë në gjuhën shqipe dhe anglisht, duke i bërë më të aksesueshme edhe për udhëtarët e huaj.
Sipas vendimit, zonat ku kryhen kontrollet kufitare do të identifikohen me sinjalistikë të posaçme në aeroporte, porte dhe në akset rrugore që të çojnë drejt pikave kufitare tokësore. Gjithashtu, çdo pikë kalimi do të pajiset me tabela standarde identifikuese, ndërsa aty ku funksionimi kryhet me orar të kufizuar do të afishohen edhe oraret zyrtare të shërbimit.
Risi sjell edhe organizimi i korsive të kalimit. Autoritetet parashikojnë ndarje të dedikuara për kategori të ndryshme udhëtarësh, në varësi të statusit të tyre dhe procedurave të kontrollit që duhet të ndjekin. Në këtë mënyrë, synohet menaxhim më efikas i fluksit, veçanërisht gjatë periudhave me ngarkesë të lartë lëvizjeje.
Në portet detare dhe aeroportet ndërkombëtare do të identifikohen qartë edhe zonat e tranzitit, ndërsa hyrja dhe dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë do të shënohet përmes tabelave standarde të unifikuara.
Vendimi parashikon gjithashtu mundësinë e krijimit të korsive të veçanta për automjete të ndryshme, përfshirë autovetura, autobusë dhe mjete të transportit të mallrave, në përputhje me nevojat operacionale të çdo pike kufitare.
Me hyrjen në fuqi të këtij akti, shfuqizohet vendimi i mëparshëm i vitit 2016, duke hapur rrugën për një model të ri administrimi të sinjalistikës kufitare. Për zbatimin e standardeve të reja do të angazhohen operatorët e aeroporteve, autoritetet portuale, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe institucionet përgjegjëse shtetërore.
Autoritetet vlerësojnë se ndryshimet do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, përmirësimin e orientimit të udhëtarëve dhe harmonizimin e praktikave shqiptare me standardet bashkëkohore të menaxhimit kufitar.
Mbylle me kosoven sa me pare kufirin sepse Albin Terroristi kerkon te destabilizoj vendin nese nuk e ben sot neser do jete shume vone