"Vox populi, vox Dei, thënë shqip "Zëri i popullit është zëri i Zotit."
Është një shprehje e vjetër, e fuqishme dhe e rrezikshme njëkohësisht. E bukur kur përdoret për të mbrojtur lirinë. E frikshme kur përdoret për të justifikuar marrëzinë.
Sot në Shqipëri po dëgjojmë gjithnjë e më shumë zërin e popullit në mbrojtje të lirisë, demokracisë, transparencës e llogaridhënies. E mrekullueshme kjo ndjesi.
Por nuk jam dakord me pretendimin se mjafton që një turmë ta thotë diçka që ajo të bëhet e vërtetë. Mjafton që një shesh të brohorasë një parullë dhe ajo të shndërrohet në drejtësi. Mjafton që zemërimi të jetë i madh dhe argumenti konsiderohet i panevojshëm.
Gjithsesi historia është plot me raste kur populli ka gabuar. Turmat kanë duartrokitur tiranë. Kanë djegur libra. Kanë dënuar të pafajshëm. Kanë zgjedhur aventurierë dhe kanë rrëzuar njerëz të arsyeshëm. Nëse zëri i popullit do të ishte gjithmonë zëri i Zotit, atëherë njerëzimi nuk do të kishte njohur kurrë katastrofa politike.
Madje, "vox populi" bëhet edhe më i rrezikshëm kur përdoret nga politikanët për të justifikuar marrëzitë e tyre. Sa herë që një lider nuk ka argumente, ai fshihet pas popullit dhe votuesve të vet. Sa herë që kërkon të shmangë përgjegjësinë, ai shpall veten interpretues ekskluziv të vullnetit popullor. Kështu, kritika ndaj tij paraqitet si sulm ndaj vetë popullit.
Kjo është arsyeja pse demokracia nuk është vetëm pushtet i shumicës, por edhe kufizim i pushtetit. Politikanëve nuk u jepet mandat për të bërë gjithçka që duan në emër të votës së marrë. Përkundrazi, institucionet ekzistojnë pikërisht për t'u vënë fre. Sepse një politikan që thotë "Populli apo partia ime më ka zgjedhur, prandaj kam të drejtë!" është po aq i rrezikshëm sa turma që thotë: "Jemi shumë, prandaj kemi të drejtë". Numrat nuk e zëvendësojnë arsyen dhe vota partiake nuk e zëvendëson ligjin.
Demokracia, gjithashtu, nuk është adhurim i turmës, por kufizim i pushtetit të saj përmes ligjit, institucioneve dhe arsyes.
Sikundër demokracia nuk është ekskluzivitet i liderëve të politikës, por kufizim i arrogancës dhe çimentimit të pushtetit të tyre.
Po, zëri i qytetarëve duhet dëgjuar.
Por në çastin kur fillojmë të besojmë se shumica ka gjithmonë të drejtë, kemi hyrë në territorin ku mendimi pushon dhe fillon fanatizmi.
Prandaj ndoshta ka ardhur koha të "korrigjojmë" shprehjen e famshme latine.
Jo "Vox populi, vox Dei!" Por: "Vox populi, vox populi."
Zëri i popullit është zëri i popullit. I rëndësishëm, i domosdoshëm, por jo domosdoshmërisht duhet të fshihemi pas tij. Dhe aq më pak një "çek i bardhë" për politikanët që, sa herë u leverdis, fshehin ambiciet, dështimet dhe arbitraritetin e tyre pas emrit të popullit.
Ndaj ka ardhur koha për t'i thirrur mendjes, para se t'i japim turmës ose pushtetit atribute hyjnore.
Lini një Përgjigje