Në Shkodër, në 50-vjetorin e ndarjes

21 Qershor 2026, 11:55Blog Nga Hamdi Jupe

Më 27 qershor, ditën e shtunë para dite, nga ora 10 deri në orën 12, do të jem në qytetin e Shkodrës, qiri (në venitje) para Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Qëllimi: për të përkujtuar me nderim 50 - vjetorin e mbarimit të studimeve të larta në Institutin Pedagogjik tre - vjeçar, dega gjuhë dhe letërsi shqipe dhe nisjen, pas kësaj, të udhëtimit të jetës nëpër Shqipëri e në botë, me misionin e lartë të mësuesit. Të nderojmë, gjithashtu, pedagogët tanë të shquar të asaj shkolle, sot nën dhe e mbi dhè. Drejtorët e Institutit Mihal Prifti dhe Dhora Lloja; Profesorët: Vehbi Bala, Jup Kastrati, Neki Lezha, Selami Tabaku, Mina Gero, Kolë Ashta, Nuri Abdiu, Fatbardha Fishta, Fadil Kraja, Tomorr Osmani, Islam Disdari, Vildan Tufi, Safet Hoxha, Simon Pepa  etj.

Ishim 115 studentë atëherë në degën tonë, shumica femra nga e gjithë Shqipëria, me ëndrën rilindase në mendje, se drita e diturisë, përpara do të na shpjerë. 115 mësues të rinj për shqiptarinë,  vetëm në një vit shkollor, të diplomuar në një ditë të vetme. Më i largëti prej tyre isha unë nga Konispoli, që përfundova me punë për katërmbëdhjetë vjet në veri, midis cucave dhe vocave dibranë.

Për 40 vjet i shërbyem me përkushtim gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare anembanë vendit, në gjurmë të mësuesve dhe pedagogëve tanë, derisa dolëm në pension. E “brujtëm” bukën e mendimit me fjalën e lashtë e të bukur shqipe. Gjuha jonë, sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë, sa e lehtë, sa e lirë, sa e bukur, sa e vlerë. E ka thënë Naimi i madh, që sapo mbushi 180 vjet jetë.

Atëhere ishim 22 - vjeçarë, të birt e shekullit që po rrokullisej, sot i kemi kaluar të shtatëdhjetat. Atëherë ishim të rinj, të bukur, të fortë, ambiciozë, ëndërrimtarë, moskokëçarës, siç tregohet në fotografinë e mëposhtme të grupit tonë studentor, (ishin pesë grupe gjithsej në kursin tonë). Sot jemi të rrëgjuar nga mosha dhe hallet, me flokë të thinjura nga bora e jetës, me gjunjë që na dridhen prej artritit, por ende me shpirtin të ri, siç na pëlqen neve të besojmë. Do jem atje për t’u takuar me poetët e gjallë e të pagjallë të kursit tonë studentor: Petrit Ruka, Vojsava Nelo, Vasil Dede, Xhahid Bushati, Vasil Tabaku e të tjerë.

Nuk masa organizative për këtë ngjarje, sepse nuk jam unë njeriu i duhur i organizimeve. Unë vetëm fjalën kam dhe fjala gdhënd gurin. Kush të dëshirojë, le të marrë përsipër organizimin. Organizimi e vret bukurinë e spontaneitit të momentit të pikërishëm. Nuk dihet ende gjithashtu, nëse  do te ketë edhe kolege e kolegë të tjerë të çartur si puna ime, që do të marrin rrugët e largëta të botës ku ndodhen, për të ardhur në atë takim, sepse nuk  dihen rrethanat individuale dhe familiare të jetës së secilit në këtë botë të trazuar. Dihet me siguri që Shkodër - locia do t’i ketë dyert e hapura për ne që do të shkojmë. Ah, moj Shkodër, moj mizore, pak na u duke e shumë na dole!

Dihet gjithashtu, se shoqet tona të dikurshme studente simpatike me yll në ballë, me aromë trëndeline ne faqe, tani janë gjyshe të kërrusura, me mbiemra të tjerë dhe me flokë të lyera me bojëra artificiale të lloj – llojshme, prandaj ka vështirësi komunikimi me to. Me leje gjyshe, cili ka qenë mbiemri juaj i vajzërisë gjysmë shekulli më parë, ju lutem, që të mund të kuptoj më mirë se cila jeni? Një pjesë tjetër e shokëve dhe shoqeve  kanë përfunduar tanimë përgjithmonë në parajsë, përkëdhelin atje barin që ka mbirë mbi kurmin e tyre. Kali i zi i pikëllimit, i poetit Frederik Reshpja, vjen rrotull për fatin e zi të  parakohshëm të tyre. Qoftë i lehtë dheu i atdheut mbi ta.

E sigurtë tani për tani është që unë do të jem atje, qoftë edhe i vetëm, dëshmitar i gjallë i dy shekujve dhe dy epokave, në vendin dhe kohën e duhur. Vetëm zoti mund të më pengojë, por unë jam ateist, dishepull  i Migjenit të madh dhe prandaj nuk  besoj te paçavrat që zunë myk ndër tempuj. Na vaftë mbarë pra më 27 qershor. Duket Buna nën një kodër, duket Drini nën një mal.

3 Komente

  1. M
    Miti

    Ju lumt per mendimet per shoket dhe e universitetit luigi gurakuqi

    Përgjigjjuni
    1. I
      Ilir

      Rrespekt

      Përgjigjjuni
      1. U
        Une

        *te pagjalla" - ????????????, paskeni qene i vetem mes shoqesh, ju erdhi turp ndoshta, te na reminishoni (ju pelqen kjo fjale???) ne lidhje me kete fakt te vogel, por shume te rëndësishëm per meshkuj qe kane qene pjesëtarë te grupimeve te tilla - do ju jete dukur vetja si gjeli ne kotec, aq shume, sa edhe tani ndiheni i vetem ne kete moshe te plakur qe vete, po parashtroni qe keni - kushedi c'mori mendimesh te çuditshme duhet te kete shkaktuar kjo dispozitë e rralle, por jo e pamundur!!!..... Drini dhe Buna si vella e moter, do ju kenë qene deshmitare te kushedi sa peripecive, qe kurre s'do na i permendni, dhe nga varri i pambyllur akoma, nepermjet fijeve magjiko-telepatike te barrit mbi te, do na rrefeni!!!........ ????????????????????

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje