nga Preç Zogaj
Vendosja në vijë të drejtë i disa planeteve si dukuri astronomike ka fituar një përdorim të gjerë në artin e retorikës si metaforë e kombinimit të një serie faktorësh e rrethanash që paralajmërojnë një sukses të madh.
Tre “planetet” në vijë të drejtë në realitetin politik të Shqiperisë së sotme janë:
1- Protesta rinore popullore e përmbrëmshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
2- Hetimet e pandalshme të krimit dhe korrupsionit të lartë nga SPAK.
3- Bashkimi Europian në fazen vendimtare të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Sekush në korsinë e vet. Të gjithë për një arritje të madhe. Që për ekonomi fjale mund ta quajmë “Shqipëri e re”, duke huazuar një slogan të bukur të protestës.
*
Protesta po afirmohet si ngjarje madhore demokratike e Shqipërisë së tranzicionit postkomunist. Ajo zhvillohet në bulevard, por spektri i gjerë i bindjeve dhe interesave të grupimeve pjesëmarrese dhe sidomos kërkesat e tyre përbashkuese bëjnë që të shtrihet e buçasë në mbarë vendin, shtëpi më shtëpi.
Numrat e saj, megjithese të shumtë, nuk janë vetëm të paepurit që mblidhen mbrëmje për mbrëmje në bulevard. Janë shumëfishi i tyre në familjet shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Në thelbin e saj kjo protestë është e tillë që nuk heq vija ndarëse të prera me ata që nuk i bashkohen. Sepse arsyet e saj të thella janë pothuajse mbarëpopullore.
Zverneci ishte pika që derdhi gotën. Por gota ishte mbushur vit pas viti.
Fotot nga ajri apo entuziazmi i qeveritarëve kur ndonjë mbrëmje ka më pak protestues si një mbrëmje më parë janë inerci e raportit të tyre me tubimet e sforcuara të PD. Nuk kuptojmë se numrat janë fizarmonikë, nuk janë qëllim në vetvete, madje as esenca e një proteste popullore që zgjat me javë e muaj. Forca e saj janë arsyet e saj.
Sa më shumë të vonohet kryeministri Rama të lexojë dhe reflektojë rreth arsyeve të saj të thella, aq më shpejt afron dita e një plebishiiti që nuk është parë në anët tona. Një protestë popullore nuk mund të dështojë. Një protestë e tillë nuk mund t’i bëjë keq vendit. Vetëm mirë i bën.
*
SPAK-u, “planeti” tjetër në vijë, u duk sikur ishte mbyllur në guackën e vet pasi u sfidua në Kuvend për çështjen “Balluku” dhe anatemimeve të kryeministrit Rama. Perceptim i gabuar. Paska qenë duke vijuar punën pa zhurmë, pa u kompleksuar as nga sulmet e politikanëve, as nga bota e krimit të organizuar dhe narkotrafikut. E dëshmojnë urdhër arrestët e shumtë të javëve të fundit. E dëshmojnë akuzat e reja kundër Belinda Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë.
Produkti i SPAK e ushqen vetiu protestën qytetare. E forcon atë. I jep lëndë dhe arsye të shtuara të vazhdojë me vendosmëri edhe më të madhe.
Nga ana tjetër protesta i ofron SPAK mbështetjen popullore që nuk ia dha dot siç do të duhej PD për shkak të Berishës si subjekt i hetuar dhe në hetim.
*
Në fazën ku ndodhet ëndrra jonë europiane, akoma në det të hapur por gjithnjë e më afër portit, BE del në pah si një aleat i madh i protestave jo thjesht sepse ato janë një e drejtë demokratike themelore, por mbi të gjitha sepse po shtron kërkesa dhe çështje që u bëjnë jehonë standardeve të integrimit në familjen europiane. Këtu nuk kemi parasysh vetëm standardet mjedisore të përfshira në kapitullin 27, por standardet e demokracisë pjesëmarrëse, të zgjedhjeve, të sundimit të ligjit, të llogaridhënies, të trasparencës, të aksesit të publikut në vendimmarrje, të perspektivës së re opozitare, të europianizmit si shtëpia jonë e re.
Nga kjo pikëpamje populli i protestës në bulevard dhe në zgjatimin e bulevardit shtëpi më shtëpi deri në fshatin më të largët është pararojë. Ai mbërrin në BE para qeverisë dhe kastës politike Rama-Berisha, që ka ngrirë dialektikën e demokracisë. Ai është aleati dhe garanti i pazëvendësueshëm i vlerave europiane në Shqipëri. Hëm tani që standardet fillojmë e kalojnë në fill të gjilpërës për si po zbatohen. Hëm në vijimësi nesër kur të jemi vend anëtar.
Ky shkrim është pjesë e projektit 'PRODEMOCRATIA, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe media MAPO, për te analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.
Lini një Përgjigje