Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka deklaruar se angazhimi i Aleancës për sigurinë në Kosovë mbetet i fortë dhe i pandryshuar.
Në një intervistë për RTK-në, ajo theksoi se aleatët janë të gatshëm dhe të vendosur për të mbështetur Kosovën, si vend me rëndësi strategjike për rajonin.Shekerinska vlerësoi bashkëpunimin e mirë që NATO ka me institucionet e sigurisë në Kosovë, bashkëpunim ky që ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve, njohurive dhe ekspertizës vendore.
Ajo u shpreh gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, ku çështja e Ballkanit Perëndimor mori vëmendje të veçantë.
Pas sulmeve të vitit 2023 ndaj personelit të KFOR-it, Aleanca reagoi menjëherë duke rritur praninë e saj. Tani, me stabilizimin e situatës, nga janari janë ndërprerë dislokimet rotative dhe po zhvillohet një proces optimizimi i misionit.
Sipas Shekerinskës, kjo tregon se institucionet vendore të sigurisë janë bërë më të afta, ndërsa misioni i KFOR-it mund të realizohet në mënyrë efikase edhe me një prani më të përshtatur.
“Angazhimi ynë ndaj KFOR-it mbetet i palëkundur”, nënvizoi ajo, duke shtuar se qëllimi kryesor i misionit që prej 27 vitesh ka qenë garantimi i sigurisë, stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. NATO mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit.
Shekerinska theksoi se rezultate konkrete nga ky dialog janë thelbësore për të siguruar paqen afatgjatë, prosperitetin dhe një bashkëpunim më të mirë rajonal, ndërsa shtoi se aleanca pret që palët të avancojnë në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe në forcimin e marrëdhënieve fqinjësore, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar po ashtu se Kosova është partner i rëndësishëm për Aleancën, duke vlerësuar përmirësimin e situatës së sigurisë në vend.
Lini një Përgjigje