Arroganca e injorancës së kastës, të cilës i ka mbaruar koha

20 Qershor 2026, 19:20Blog TEMA
Arroganca e injorancës së kastës, të cilës i ka mbaruar

Nga Ardi Stefa

Për çdo kastë politike vjen një çast që humbet kontaktin me realitetin. Jo kur humbet pushtetin, por kur humbet aftësinë për të kuptuar se pushteti nuk i përket asaj.

Pikërisht atëherë lind forma më e rrezikshme e arrogancës: arroganca e injorancës.

Kjo është arroganca e njerëzve që nuk kuptojnë më shoqërinë që pretendojnë se përfaqësojnë. E njerëzve që vazhdojnë të flasin me gjuhën e së shkuarës, ndërkohë që qytetarët jetojnë problemet e së tashmes, dhe vizionin e së ardhmes.
E atyre që ngatërrojnë, propagandën me të vërtetën dhe karrigen me legjitimitetin.

Kur një kastë politike i afrohet fundit të ciklit të saj, (kujtoni edhe vitin 1990) ajo nuk bëhet më e përulur. Përkundrazi. Bëhet më agresive, më nervoze dhe më arrogante. Sepse ndien se koha po i rrëshqet nga duart. Nuk ka më argumente, prandaj përdor etiketime. Nuk ka më vizion, prandaj prodhon frikë. Nuk ka më besim te qytetarët, prandaj kërkon bindje të verbër.

Dhe sa më shumë dobësohet, aq më e fortë përpiqet të duket. Sa më pak e dëgjojnë njerëzit, aq më shumë bërtet, shpik skenare, kërcënon, bullizon. Sa më shumë i rrënohet autoriteti moral, aq më shumë kërkon nënshtrim.

Por pikërisht kjo nuk është forcë. Është dëshmia klasike e një sistemi të plakur.

Kastat politike gjithmonë besojnë se janë të pazëvendësueshme. Mendojnë se pa to gjithçka do të shembet. Por...

Historia vazhdon rrugën e saj dhe i lë pas.

Një kastë e plakur nuk është problem, sepse plakja politike, ashtu si ajo fizike është e natyrshme. Problemi është kur ajo refuzon të pranojë se koha e saj ka mbaruar. Atëherë injoranca shndërrohet në arrogancë dhe arroganca në pengesë për shoqërinë dhe gurin e varrit të kastave politike.

2 Komente

  1. V
    Vota e ndan këtë punë

    E ke fjalën për gjyshin Sali apo Lubonjën e çakërdisur

    Përgjigjjuni
    1. g
      ganiu

      Shkrim i qëlluar. Bravo të madhe. Një e vërtetë e thënë, pa emra të përveçëm, ku i përfshin të gjithë.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje