Herceg Novi – Forumi Ministror i Procesit të Berlinit për Ekonominë Kreative, i organizuar nga Mali i Zi në cilësinë e Kryesuesit të sivjetshëm të Procesit të Berlinit, u hap sot në Herceg Novi, duke mbledhur ministra përgjegjës për kulturën dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor dhe pjesa tjetër e Europës për të diskutuar rolin e industrive kreative në zhvillimin e qëndrueshëm, punësimin e të rinjve dhe konkurrueshmërinë rajonale. Forumi vazhdon dialogun e nisur në vitin 2025 gjatë Kryesimit të Mbretërisë së Bashkuar me Procesin e Berlinit dhe organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, në bashkëpunim me British Council.
“Ballkani Perëndimor nuk mund të konkurrojë globalisht vetëm përmes kostove të fuqisë punëtore. Ne duhet të konkurrojmë me ide, autenticitet, aftësi digjitale, kulturë, përvojë dhe identitet. Industritë kreative nuk janë aktivitete kulturore margjinale. Ato krijojnë vende pune, gjenerojnë eksporte, tërheqin vizitorë, forcojnë imazhin e rajonit dhe u japin të rinjve një arsye për të qëndruar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Kreativiteti nuk është dekor. Kreativiteti është konkurrueshmëri,” tha Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC),Amer Kapetanović, gjatë diskutimit ministror të Forumit, të drejtuar nga Stephen Stenning, Drejtor i programit Culture in Action në British Council.
Kapetanović theksoi se rajonit nuk i mungon talenti krijues, duke nënvizuar: “Nuk na mungon kreativiteti; na mungon një sistem i industrisë. Nuk na mungon talenti; na mungon shkalla. Dhe nuk na mungojnë historitë; na mungojnë platformat e nevojshme për t’i shndërruar ato histori në vlerë të qëndrueshme ekonomike. Secila ekonomi e Ballkanit Perëndimor është e vogël më vete, por së bashku mund të krijojmë shkallën rajonale që u nevojitet bizneseve kreative.”
Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së bëri gjithashtu thirrje që industritë kreative të integrohen më ngushtë në Tregun e Përbashkët Rajonal, Planin e Rritjes së Bashkimit Europian dhe agjendën më të gjerë të konkurrueshmërisë rajonale, dhe përfundoi: “Ekonomia kreative përfshin njëkohësisht shërbimet, eksportet, turizmin, inovacionin, zhvillimin e bizneseve të vogla, aftësitë, punësimin e të rinjve dhe brendimin rajonal. Ajo duhet të jetë në zemër të agjendës sonë të konkurrueshmërisë, jo në periferi të saj. Industria do të ofrojë kreativitetin. Detyra jonë është të ndërtojmë strukturën, shkallën dhe qasjen në tregje rreth tij.”
Lini një Përgjigje