Lamtumirë, Zvërnec!

13 Qershor 2026, 11:31Blog Nga Ilir Yzeiri

Në një kohë kur vendi zien nga lajmet për protestën që po mbahet çdo ditë në Tiranë, 96 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për rishikimin me prioritet të politikave qeveritare që prekin zonat e mbrojtura, pas zhvillimeve të fundit në peizazhin e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Sipas tyre, shqetësimet e ngritura që në vitin 2024, lidhur me ndryshimet në ligjin 81/2017 « Për zonat e mbrojtura », po materializohen. Ato argumentojnë se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në shkurt 2024 kanë krijuar hapësirë për zhvillime që cënojnë integritetin e zonave të mbrojtura, duke përmendur si shembull investimin e planifikuar në zonën qendrore Pishë-Poro-Nartë. Ky peticion do të duhej të ishte vazhdimi i natyrshëm i protestës që nisi nga kundërshtimi që i patën bërë qysh në fillim këtij projekti organizatat e mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit natyror në Shqipëri, PPNEA apo AOS, organizata shqiptare për mbrojtjen e shpendëve, ato që u gjendën atje të parat kur mjetet e rënda nisën të futen në zonën e rrethuar me tela me gjemba. Mirëpo, tani është vonë. Këto organizata jo vetëm që nuk po dëgjohen më, por, mesa duket, janë spostuar dhe manifestimet e mëdha në Tiranë janë kthyer tani në një festival pasionesh që kanë bërë bashkë të gjithë, të rinjtë e Shqipërisë, por edhe të gjithë ata që në këta vjet kanë mbushur profilet e tyre me frustrimin e pakënaqësisë që vjen nga një tranzicion i gjatë dhe i lodhshëm, nga kriza e modelit dhe nga keqqeverisja në disa raste. Protesta që ka marrë vëmendje të madhe edhe në botë, i ka të gjitha ngjyrat. Ajo është një refuzim ndaj klasës politike dhe ndaj establishmentit publik. Mirëpo ajo ka edhe një anë tjetër; komentatorë nga e gjithë bota kanë mbetur të mahnitur me qytetarinë dhe kulturën e lartë që po tregojnë shqiptarët në këtë manifestim. Ajo që i ka tërhequr më shumë, është, sidomos, argumenti. Të protestosh në mënyrë masive për të mbrojtur ambientin, natyrën, të kundërshtosh sot betonizimin në emër të ruajtjes së vlerave që natyra i ka krijuar prej miliona vjetësh, është një vetëdije moderne dhe e ngre këtë manifestim në një nivel të lartë qytetarie. Europa është mësuar me kundërshtime të dhunshme nga ato që i quan grupe sociale që janë ose ekstreme të djathta si « Autonomous » në Gjermani apo « Blak Bloc » në Europë, të cilat mblidhen nga e gjithë Europa sidomos në rastet e evenimenteve të mëdha siç ndodhi me samitin e G 20-s në vitin 2017, apo ajo që hyri në histori si protesta e jelekverdhëve në Francë. Këto ditë, fjala vjen, qyteti i Gjenevës është bllokuar i gjithi dhe askush nuk hyn dot për shkak se  në rrethinat e tij , matanë në Francën fqinje, do të mbahet samiti i radhës i radhës i G 7. Në fakt, ai do të mbahet në një qytezë franceze Evian-les-Bains, në kufi me Gjenevën. Autoritetet e Gjenevës presin manifestime të dhunshme nga të rinjtë që vijnë nga e gjithë bota dhe që njihen me emrin « Blak Bloc ».  Protesta e të rinjve në Tiranë është e një formati krejt tjetër. Mirëpo, si çdo protestë e këtyre përmasave, pra si çdo manifestim që nis si një zgjim nga një ëndërr e keqe, apo që nis nga një aksident dhe pastaj vjen e zmadhohet, edhe kjo protestë, tani ka arritur në një pikë që kërkon një zgjidhje. Nëse do të kthehet në një lëvizje politike, ajo nuk ka përse të ngurrojë, por mund të zgjedhë një përfaqësi dhe të nisë takimet dhe organizimin qytet më qytet, pikërisht tani që fryma dhe patetizmi janë të ngritura. Nëse ajo do të parapëlqejë modelin e teatrit me denoncime që bëhen nga të gjithë ata që duan të shfaqen në publik, kjo është një gjë tjetër. Është e natyrshme që të gjithë duan të përfitojnë prej saj. Por askush nuk duhet të harrojë se manifestimet e mëdha mund të shërbejnë edhe si valvul shkarkimi për emocionet negative që ka secili prej nesh në një botë të padrejtë. Në historinë e re të shqiptarëve, protesta e studentëve e vitit 2018 ishte, po ashtu, manifestim i një brezi të zemëruar. Për fat të keq, ajo u shua sapo aty ndërhynë për ta manipuluar për interesat politike partitë e opozitës. Asnjë kërkesë dhe asnjë shqetësim që ngritën studentët në atë protestë nuk u realizua ashtu siç patën kërkuar studentët. Arsimi i lartë dhe universitetet si edhe kërkimi shkencor vijojnë të njëjtën krizë. Pikërisht këto ditë ka dhënë dorëheqjen rektori i Universitetit të Shkodrës, pas një përplasjeje me Ministrinë e Arsimit për shkak të ligjit të keq të Arsimit të Lartë. Në protestë ka edhe studentët që kanë mbushur përsëri sheshin në këtë manifestim, sepse ata përsëri ndihen të përjashtuar ngë jeta në këtë vend. Protesta tani ka arritur në një pikë që duhet të kthehet në një qëndrim shoqëror e politik, nëse është e nevojshme. Ajo nuk mund të shndërrohet në një vitrinë ku të ekspozojnë mllefet partitë e opozitës apo personazhe nga partitë e vogla që duan të barazojnë narrativën e tyre me atë të protestës. Por, nëse drejuesit e kësaj proteste duan të bëjnë aleancë me opozitën dhe të krijojnë një front të përbashkët, kjo është e drejta e tyre. Vetëm se protesta nuk mund të imitojë shëtitjet që bënte Lulëzim Basha nëpër rrugët e Tiranës, sepse ashtu do të humbiste anën e bukur dhe sublime që po shfaq këto ditë, por pa marshimet nëpër rrugë që shkatërrojnë jetën e pafajshme të atyre që kthehen nga puna e lodhshme dhe përballen me trafikun vrasës në Tiranë. Dhe më në fund, protesta nuk duhet ta harrojë fillimin dhe nuk duhet të braktisë ata që u bënë shkak për këtë shpërthim të zemërimit dhe që janë zonat e mbrojtura. Nëse pas këtij manifestimi qeveria dhe parlamenti nuk rishikojnë ligjin për zonat e mbrojtura, atëherë pas shumë vitesh të gjithë do të kujtojnë se shqiptarët dhe rinia e tyre protestuan në mënyrën më të bukur, por e harruan Zvërnecin.

2 Komente

  1. B
    Bio intelligence

    Zajednizimi I Shqiperise nuk ben vaki te ndodhe. Vlora qe e votoi e voton Ramen te mos e fale Zvernec. USA nuk do te perdoren prej cifuteve si Kushner ne kete rast. Vetem marreveshje me Departamentin amerikan te Tregtise do te pranohen. Aty eshte siguria dhe ndarja e drejte e perfitimeve. Keto bypasset informale nuk jane mire.

    Përgjigjjuni
    1. M
      Murgu

      Po bëj një absurd... Kondravers. Jam dakord që Shqipëria të rrijë në statukuonë ambientale që është: male, shkrepa, brinjë e gërxhe dhe pyje të gjelbëruar. O ho ho... abitati natyror në vendin dhe për qefin e vet. Kurse banorët, edhe ata vendas (apo janë alienë këta, njerëzit) të marrin arratinë gjetkë për të jetuar, për hir të habitatit të egër. Të mos hamë mish, se duhen ruajtur speciet e kafshëve. Dakord jam. Hamë fruta e perime, po këto, ç'janë?! Mirë, mirë, por Shqipëria të mbetet getoja e virgjërisë natyrale, madje edhe ekonomike e sociale. Por, nga këta që flasin, meqënëse jemi në një sistem kërkesë-ofertë, a është i gatshëm që të na paguajë një kundravleftë, për nëse investimi do të bëhej. Se mëndjellinj, në kurriz të të tjerëve bëhesh kollaj. E, o, është e gatshme BE-ja, a kushdo pretendent të ruajtjes së egërsisë natyrale të paguajë. Të paguajë, trëng-trëng, para të thata, si kundravleftë, pse u habitët, me këtë "lajthitje". Psh: të derdhë në arkën e shtetit shqiptar nga 4,5 miliardë euro në vit? Ndoshta jo kaq, po e ulim pazarin, 2,5 miliardë... shumë?, a, më poshtë nuk e ul pazarin. Po këto ligatinat, lugina, lumenjtë, nuk duan mirëmbajtje, se degradojnë pastaj... si i bëhet, kur prishen nga zoti? Çështë kështu, ju ka zënë sëmundja me shumë se ata që e kanë organizuar, për qëllimet e tyre, pa pyetur shumë se njeriu është kapitali më i çmuar i tokës. Zhvillimi i integruar i zonave dhe mjediseve ekonomike, të mbrojtura apo jo, është zgjidhja e vetme e ekzistencës njerëzore, jo konservimi. Njerëzit shtegëtuan nga afrika dhe populluan gjithë rruzullin për ekzistencë; bënë edhe dëme... nuk jemi në këtë fazë, gjithsesi si fakt. Edhe turizëm, edhe ekologji; a mundet t'i bëjmë bashkë, kjo është çështja. Dhe kjo nuk zgjidhet me kundërshti dhe admirim për kundërshtinë e rrugës, qoftë edhe në dukje e qytetëruar, kur kërkon të imponojë vullnetin e saj (nuk i ka votuar kush), por me bashkëpunim, mirëkuptim dhe konsensuse profesionale dhe shoqërore. Sa i takon pjesës tjetër, të kërkesave politike, kemi 35 vjet që i dëgjojmë dhe votojmë kush na është dukur versioni më i mirë qeverisës; ata le të vazhdojnë të protestojnë si ngahera, politikisht është misioni i tyre. Kërkesat e njerëzve janë të ndryshme dhe nuk mund të plotësohen të gjitha menjëherë. Duhen krijuar kushte materialo-teknike, ke mësuar dikur në shkollë, o Yzeir, që të plotësosh nevoja. Edhe nevojat po ashtu, dhe jo të gjithë mbeten të kënaqur, por bëhet krahasimi, përdorin statistika, sondazhe, studime, për sa më mirë. Nuk matet zhvillimi me popullsinë që lëviz, por me si jeton tani, nga më parë. Bota është globale sot, me lëvizje të kapitalit konstant dhe njerëzor. Amerikën e bënë emigrantët. ----- Sa për shqiptarët e Kosovës, është njëlloj si të protestonin ne, për Tec-et e thëngjillit të tyre dhe ndotjen e Drinit prej tyre, në Prishtinë; nuk shkon; menjëherë do të na thonin: mos ndërhyni në Dardani (paguajnë gjë ata për këtë ndotje?!). Etj si këto. Pra i dashur mik, nuk janë siç duken problemet dhe s'kanë pse njerëzit t'i thonë lamtumirë Zvërnecit, përkundrazi. Bota zhvillohet mes kontradiktash e interesash, por edhe mes konkurencës në një ekonomi tregu të lirë kapitalist. Kapitali nuk po ka kombësi, është i përbotshëm dhe konkurues. Çështja është kush përfiton më mirë dhe më shumë, duke shfrytëzuar mundësitë, në të mirë të mirëqenies së njerëzve, përfshi dhe abitatin, ndaj bëhet investimi.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje

      Blog Tema