Z. Jaho, nga aq sa keni patur mundësi, që nepërmjet medias, të njiheni me funksionimin e instituconeve të ekzekutimit të vendimeve penale, cila është përshtypja juaj?
“Ashtu siç permendet në pyetjen tuaj, me aq sa kam patur mundësi të ndjek median elektronike, informimi ka qenë për çështje të vecanta dhe të ndryshme siç janë përshembull, në Durrës një i burgosur u arratis në mënyrë spektakolare; nga kontrollet e ushtruara në disa IEVP janë gjetur celularë dhe sende të tjera të ndaluara. Janë forcuar masat e sigurisë dhe parandalimit të shkeljeve. Për personelin përgjegjës, janë marrë masa disiplinore, janë proceduar për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion. Shpesh ka patur njoftime për levizje drejtorësh të IEVP-ve, por edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Të gjitha njoftimet e mësipërme i kam vlerësuar të rëndësishme dhe të nevojshme për publikun, por për mendimin tim ato nuk janë të mjaftueshme.”
A do të thotë kjo se media duhet të informonte edhe per çështje të tjera?
“Nuk bej vlerësime për median. Ajo e di më mirë se kushdo tjetër funksionin dhe statusin e saj të vecantë : të marrë informacionin dhe t’ia transmetojë atë publikut ; t’i japë atij mundësinë që kur është rasti të kritikojë, të debatojë të propozojë dhe të kerkojë më tepër transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet shtetërore.”
Sipas jush, për informimin e publikut për çështje të rëndësishme të situatës në burgje, a nuk do ishte më e drejtë që kjo të bëhej me iniciativën e vetë drejtuesve të IEVP-ve?
“Shprehjes ‘a do të ishte më e drejtë’ do t’i shtoja fjalët: ‘dhe e detyrueshme’. Në këtë veshtrim , nuk them asgjë më tepër nga permbajtja e pikës 7 të nenit të ligjit 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të denuarve me burgim dhe të paraburgosurve”ku thuhet : ‘Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon në mënyrë të vazhdueshme publikun për veprimtarinë e saj, në mënyrë që të kuptohet më mirë roli i sistemit të burgjeve në trajtimin e të burgosurve.’
Në zbatim të këtij detyrimi ligjor mendoj se ka arsye të reflektohet. Por, pavarësisht nga kjo, disa të dhëna që herë pas here janë publikuar,si dhe me bisedat që kam patur me kolegë të angazhuar vite të tëra me monitorimin e burgjeve, rezulton se në këto dhjetë vitet e fundit kanë ndodhur ndryshime me kahje pozitive si në respektimin e të drejtave të të paraburgosurve dhe të denuarve, ashtu edhe në infrastrukturën e burgjeve.”
Cila do të ishte veprimtaria kryesore që duhet të realizonte administrata e burgjeve?
“Rehabilitimi i të burgosurve që nënkupton riedukimin me synim riasocimin e tyre në shoqëri. Ashtu sic thuhet edhe në nenin 12 të Ligjit, trajtimi i të burgosurve synon rehabilitimin e tyre, riintengrimin e tyre në jetën familjare, shoqërore dhe ekonomike, që fillon në paraburgim, vazhdon gjatë kryerjes së denimit (për ata që deklarohen fajtorë me vendim gjyqësor të formë së prerë) dhe vazhdon mbas lirimit apo pas përfundimit të kohëzgjatjes së vuajtjes të denimit.
Me këtë detyrë ngarkohet i gjithë personeli, pavarësisht nga sektori ku vepron, por sidomos dhe posaçërisht ato persona ose ai grup, që është ngarkuar me riedukimin e planifikuar dhe të diferencuar.”
Sipas jush cila është hallka fillestare, por kryesore në rehabilitimin e të burgosurve?
“Rekrutimi i personelit duke filluar qysh nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtorët e IEVP-ve përkatese, krejt personeli i burgjeve dhe policia e burgjeve. Është e vërtetë se kriteret për emërimin apo punësimin e tyre janë parashikuar në ligj (shih nenet 26, 30 dhe 31 te ligjit), por midis tyre ka edhe kritere disi të përgjithshme. Praktika ka vërtetuar se disa levizje të shpeshta që përmendem më lart, deri në një farë mase, tregojnë se përzgjedhja e tyre nuk ka qenë rigoroze dhe e thelluar.
Në këtë drejtim kam parasysh: 1. Rregullat Europiane të Burgjeve të parashikuara në Rekomandimet e 2006 2 të Këshillit të Ministrave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ku theksohet se gjatë përzgjedhjes së personelit të ri duhet t’i kushtohet rëndësi e madhe nevojës për integritet, kapacitet profesional dhe qëndrueshmëri personale për punën komplekse që duhet të bëjnë. 2. Rregullat minimale standarte të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve. Duke iu referuar këtyre rregullave, tërheq vëmendjen e faktit se kur bëhet fjalë për personelin e specializuar kërkohet përfshirja e një numri të mjaftueshëm psikiatërësh, psikologësh, punonjes socialë, mësues etj… Po në këtë rregullore thuhet se kualifikimi duhet të perfshi të paktën fushat e mëposhtme : njohuri kushtetuese, të drejtën penale materiale dhe proceduriale që aplikohen në burgje, njohuri për rregullat standarte minimale të OKB-së, njohuri për të drejtat e njeriut, për kriminologjinë, njohuri se si duhet vepruar me të burgosurit e dhunshem, me ato që kanë tendencë për vetvrasje.
Kam mendimin se zbatimi i këtyre rekomandimeve është i domosdoshëm.”
Sipas jush cili mund të vlerësohej si element I rëndësishëm për të patur rezultate konkrete në fushën e rehabilimit?
“Kam mendimin, se veç atyreve që përmendem më lartë, është e nevojshme të konceptohet drejtë se megjithëse kushtet e burgut nuk mund të jenë normale, ato duhet të jenë jodiskriminuese. Sistemi i burgjeve nuk duhet të shtojë vuajtjet. Masat ndeshkimore të tepruara ose të pamotivuara nuk i shërbejnë rehabilimit . Edukimi i njeriut në përgjithësi nuk është i lehtë, riedukimi është edhe më i vështirë.Ai kërkon durim, këmbëngulje, trajtim njerëzor me programe të personalizuara dhe në grupe. Mendimi se ky apo ai i burgosur që është denuar rëndë është i pakorigjueshëm dhe si pasojë nuk jep shpresë për rehabilitim, është i dëmshëm.”
Cilat janë fushat që ndikojnë më tepër në riedukimin dhe rehabilitimin e të denuarve?
“Më të rëndësishmet mendoj se janë: kujdesi shendëtesor në përgjithësi dhe sidomos ai ndaj të semurë kronikë dhe mendorë; takimi me familjarët, të afërmit dhe të njohurit; korrespondenca; mundësi arsimimi dhe punësimi; aktivitete kulturore; kujdesi i veçantë për të miturit dhe gratë; etj…
Negativisht ndikon mbipopullimi, i cili eshte shqetësues dhe krijon mundësinë e trajtimit çnjerezor.”
Cilat mund të ishin masat për ta reduktuar apo për ta normalizuar numrin e të paraburgourve dhe të denuarve në qeli?
“Mund të ishin nga më të ndryshmet si përshembull, masat e arrestit me burg vetëm në raste të domosdoshme, lirimi me kusht kur plotësohen kriteret, amnistitë (siç është amnistia që së shpejti do të miratojë Kuvendi) etj..”
Thuhet se në burgjet tona ka një numër jo të vogël përsëritës në krim – si mund të shpjegohet kjo?
“Nuk di të ketë ndonjë studim për këtë. Edhe pse mund të jepen të dhëna statistikore ato nuk janë të mjaftueshme për të arritur në disa përfundime, qoftë edhe të përaferta.
Disa studime që janë bërë në vende të tjera, ka rezultuar se për një pjesë të mirë të përsëritësve në krim, nuk është treguar vemendja dhe kujdesi i duhur nga organet lokale të pushtetit, shoqatat e ndryshme etj… Kjo ndodh mbas lirimit nga burgu ose mbas vuajtjes së denimit. Ka persona që nuk kanë familje, nuk kanë mjete jetese, nuk kanë strehim, nuk i punësojnë, shikohen me sy të shtrembur, u rikujtohet denimi, etj…Në këto rrethana ai është person i predispozuar për tu bërë preh i elementeve me prirje kriminale, madje edhe i grupeve kriminale.
Vazhdimisht ne flasim për parandalim por relativisht pak bëhet në këtë drejtim. E keqja është se sipas paragrafit të tretë të nenit 64 të Kodit Penal, përsëritësve për krime me dashje (pavarësisht nga masa e denimit) u ndalohet lirimi me kusht, ndersa i denuari me burgim të përjetshëm mbas 35 vjetëve (në raste të jashtëzakonshme) mund të kërkojë lirim me kusht.”
Çmendim keni për legjislacionin në fuqi që rregullon veprimtarinë e burgjeve?
“Ligji i mëparshëm ishte ai i vitit 1998 me të meta dhe boshllëqe serioze. Përmirësime të dukshme dhe më afër standarteve u bënë me miratimin e ligjit në fuqi të vitit 2020. Por, pavarësisht nga kjo, e rëndësishme është si dhe sa zbatohet ai. Prandaj është e nevojshme, që herë pas here të ushtrohen monotorime dhe inspektime të thelluara dhe të pavarura. Veç kësaj, mendoj se në këtë drejtim do të ndihmonin edhe trajnimet cilësore.”
Intervistoi
Zylyftar Bregu
Lini një Përgjigje