Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë, por jo të “manipulohen”, ndaj mos lejoni t'ju “rrëmbejnë” protestën!

11 Qershor 2026, 18:30Blog TEMA
Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë, por jo

Nga Rigels Seliman

Prej disa ditësh rrugët e Tiranës vazhdojnë të mbushen nga zëri i protestuesve që marshojnë pa ndërprerje nëpër kryeqytet. Ajo që nisi si një grumbullim në Sheshin Skënderbej dhe më pas para Kryeministrisë, është shndërruar në një lëvizje të vazhdueshme që përshkon akset kryesore të qytetit. E njëjta tablo po përsëritet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa protesta dhe pakënaqësia qytetare janë bërë një fenomen që shfaqet sot në shumë vende të botës. Qytetarët kanë çdo të drejtë demokratike të protestojnë. Protesta është një instrument legjitim për të kërkuar llogari, transparencë dhe ndryshim. Pikërisht në këtë pikë, ku frymëmarrja e sheshit duket e lirë dhe e pastër, çdo qytetar i sinqertë duhet të ndalet dhe të shohë me sy kritik se kush po ecën krahas tij në trotuar. Një pyetje deduktive duhet shtruar me urgjencë përpara se të jetë tepër vonë: A po marshojmë për hallet tona, apo po bëhemi dekor për pushtetin e radhës? Fakti që në rreshtat e këtij marshimi po shfaqen hapur demokratë, socialistë të pakënaqur, ish-anëtarë të LSI-së dhe militantë të partive të reja që organizohen ethshëm çdo ditë, nuk është thjesht një statistikë kalimtare. Ky fakt duhet të ngrejë menjëherë një alarm ulëritës tek ata qytetarë që e kanë mbushur sheshin nga dhimbja e vërtetë - nga lodhja prej korrupsionit 35-vjeçar, varfëria e trashëguar dhe pamundësia për të ndërtuar jetën në vendin e tyre. Prania e strukturave të gatshme partiako-militante është sinjali i parë i një rreziku fatal: përpjekja për të rrëmbyer protestën dhe për të manipuluar masën. Kur makineritë politike dhe militantët futen në shesh, ata nuk vijnë për të zgjidhur hallet e qytetarëve. Ata vijnë për të peshkuar pakënaqësinë, për të kanalizuar zemërimin drejt interesave të tyre elektorale dhe për ta kthyer frymën e pastër qytetare në një monedhë të ftohtë shkëmbimi politik.

Mjafton të shohim se si vetë Sali Berisha e pranoi publikisht këtë përfshirje, duke e quajtur lëvizjen si një "teren mobilizimi" për bazat e tij. “Çdo demokrat e demokrate, çdo mbështetës dhe mbështetëse e jonë duhet të mbështesë me të gjitha mënyrat atë protestë. Duhet ta mbështesë kësaj here pa simbolet e partisë. Le të jenë rinia, sepse është protestë qytetare, rinore. Ndaj dhe ftesa ime është që çdo mbështetës, çdo simpatizant, çdo anëtar dhe anëtare e Partisë Demokratike duhet të jetë në protestë. Protestën do ta themi më rinore, më qytetare që ka parë vendi gjer sot. Kështu është ajo”, deklaroi Berisha nga selia blu këtë të mërkurë (10 qershor 2026). Por kur liderët e vjetër politikë fillojnë ta shohin revoltën shoqërore si një pronë të tyren apo si një mundësi ekskluzive për të ricikluar veten, alarmi qytetar duhet të jetë maksimal. Nëse sheshi nuk reagon, kauza e tij fisnike rrezikon të kthehet në një karburant të thjeshtë për të ushqyer të njëjtat figura që kanë ndërtuar vetë sistemin që sot po na mbyt.

Po aq e gabuar dhe e manipuluar është edhe tentativa për ta kthyer këtë revoltë në një luftë verbale kundër çdo investimi të madh privat, qoftë ky anti-amerikan, anti-perëndimor, por edhe anti-Izraael. Lufta kundër korrupsionit nuk duhet ngatërruar kurrë me luftën kundër zhvillimit ekonomik. Shqipëria ka nevojë ulëritëse për transparencë, por ka nevojë edhe për investime që krijojnë vende pune. Kush tenton ta devijojë protestën drejt ekstremizmave të tillë, thjesht po kërkon të krijojë kaos pa vizion dhe pa asnjë program real zgjidhjeje. Sot, protesta ndodhet në një udhëkryq jetik ekzistencial. Qytetarët që janë në shesh nuk duhet të lejojnë në asnjë mënyrë që zëri i tyre të shndërrohet në një aleancë të çuditshme interesash politike, ku kundërshtarët e egër të së djeshmes bëhen bashkëpunëtorët e sotëm vetëm për të rrëzuar kundërshtarin e radhës. Nëse ndodh kjo, protesta do të humbasë plotësisht legjitimitetin dhe pastërtinë e saj morale. Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë, madje e kanë detyrim moral. Por thirrja e prerë e këtij momenti historik është: Mos lejoni t'ju rrëmbejnë protestën! Ruani autenticitetin e saj me fanatizëm dhe izoloni çdo tentativë manipulimi nga militantët dhe politikanët që për dekada të tëra kanë qenë vetë pjesë dhe arkitektë të problemit. Në të kundërt, ajo që nisi si një thirrje e madhe për ndryshim të vërtetë, do të përfundojë thjesht si spektakli i radhës për riciklimin e së njëjtës klasë politike që ky vend po përpiqet dëshpërimisht të lërë pas.

Lini një Përgjigje