U pat thënë se dikur në vitet 1970, gjatë një shfaqjeje të një drame për Skënderbeun te një teatër i vogël province, heroi ish ulur mbi një shkëmb butaforik, kish nxjerrë paketën e cigareve dhe ua kish ofruar atyre që e rrethonin: hajdeni ta ndezim nga një!
Anakronizmin e kanë përkufizuar si shkarje kronologjike, ku një send, një ngjarje a një koncept vendoset një periudhë historike të gabuar. Një i tillë do të ishte edhe sikur Skënderbeu – në skenë a në ekran – të ulej e ta merrte Papën në telefon, ose të hapte një profil në Facebook (kjo e dyta nuk është se nuk ka ndodhur).
Mund të jetë aksidental dhe të ndodhë ngaqë “autori” nuk e njeh historinë; por mund të jetë edhe i qëllimshëm, i përdorur si figurë narrative.
Që të funksionojë, duhet megjithatë të njihet nga lexuesi a nga publiku. Shekspiri përmend një orë muri te Jul Qesari, por nuk dimë nëse publiku i tij e pat vënë re. Edhe Skënderbeun që pinte duhan jo të gjithë në sallë do ta kenë kapur si anakronizëm.
Javët e fundit ka pasur debat të nxehtë për një zgjedhje aktori (casting) të regjisorit Chris Nolan, i cili rolin e Helenës së Trojës, në filmin ende të pashfaqur por shumë të trumbetuar The Odyssey, ia ka dhënë aktores Lupita Nyong’o (lindur nga dy prindër kenianë), të cilën shumë e kanë gjykuar si fizikisht të papërshtatshme për rolin.
Brezi im është mësuar që Helenën ta përfytyrojë me pamjen e Rossana Podestà-s, nga Helen of Troy i vitit 1956, aq popullor në Shqipëri; por të tjerë, më të rinj, do ta kujtojnë si Diane Kruger, nga filmi Troy (2004). Edhe pse mitet në poemat homerike kanë qarkulluar prej mijëra vjetësh në kulturën europiane, filmat kanë ndihmuar për t’u dhënë fytyra heronjve.
A mund ta luajë një aktore afrikane Helenën e Trojës në ekran?
Pyetja e shtruar kështu është absurde. Çiftimi i një njeriu me një rol në skenë, si akt artistik, varet nga vizioni dhe vullneti i regjisorit – i cili ka aq liri sa edhe të përfshijë, me vetëdije, një anakronizëm në produksion.
Ndryshe nga ç’mund të pretendojnë kritikët naivë dhe sociologjikë të filmit, Nolan nuk ka ndonjë detyrim estetik për realizëm. Prandaj diskutimi – nëse ia vlen të bëhet – mbase ia vlen që të fokusohet në suksesin e këtij casting-u. Sa kohë që zgjedhja e Lupitës, për të luajtur Helenën, i kundërvihet një pritjeje kolosale të publikut të Odisesë, një film – në analizë të fundit – i destinuar për publikun e gjerë dhe të padiferencuar.
Ka një traditë të dhënies së Helenës në ekran – si mishërim i bukurisë femërore supreme dhe që tashmë është integruar edhe në mit. Një traditë që Nolan-i ka vendosur t’i shkojë kundër, mbase edhe me vetëdijen se ashtu do të tërheqë vëmendjen duke provokuar.
Çështjes mund t’i qasemi nga shumë anë. Në krye, nga pozitat e një semiotike të receptimit – sa për qind e publikut të pritshëm të Odisesë do të shqetësohen me zgjedhjen e regjisorit për Helenën? Sa për qind e njohin mitologjinë greke dhe e kanë bërë të tyren aq sa të refuzojnë një Helenë afrikane? Ose edhe thjesht zgjedhjen e një Helene afrikane?
Një lexim tjetër do të ishte ai historik, që niset nga premisa se imazhi që ka kultura europiane sot, për Greqinë homerike, u detyrohet poemave vetë, aq edhe vizionit romantik për lashtësinë greke, të kultivuar në shekullin XIX, dhe që përfundoi në tezat raciste të historiografisë gjermane, për qytetërimin grek si model të një qytetërimi ideal të bardhë.
Ka një rrymë revizioniste në historiografi, e cila tani kërkon të rivlerësojë marrëdhëniet e Greqisë arkaike me Egjiptin, dhe ku bën pjesë edhe një vepër si Athina e zezë, e Martin Bernal-it; e cila është refuzuar nga establishmenti akademik.
Bernal-i ka të paktën meritën që ka risjellë në vëmendje praninë e Egjiptit në fëmijërinë e qytetërimit grek; dhe, më gjerë, ndikimin e qytetërimeve semite të Mesdheut, në lulëzimin e këtij qytetërimi indoeuropian, duke filluar nga alfabeti.
Aq më tepër që, siç del nga dëshmitë e shumta arkeologjike, grekët e lashtë i njihnin afrikanët e zinj dhe kishin kontakte me ta – veçanërisht me banorët e Nubisë, etiopët (jo dhe aq larg nga Kenia, në analizë të fundit); edhe pse, me gjasë, koncepti i “racës” në lashtësi nuk ekzistonte.
Ironikisht, në dramën Helena të Euripidit, gjejmë një Helenë e cila nuk shkoi kurrë në Trojë, por i kaloi vitet e luftës duke e pritur të shoqin, Menelaun, në Egjipt; teksa Hera e zëvendësoi, në shtratin adulter të Paridit, me një kipc, një fantazmë. Ky degëzim absurd i historisë – a, nëse duam, i mitit – e ka origjinën te një poemë e mëhershme, tashmë e humbur, nga Stesichorus-i.
Nolan-i i ka dhënë Lupitës, tek Odiseja, edhe një rol paralel – atë të motrës së Helenës, Klitemnestrës, që ishte edhe gruaja e Agamemnonit. Nga Orestia e Eskilit do ta mbajmë mend që Klitemnestra, e lënë vetëm në Mikenë nga i shoqi, zuri një të dashur, Egjistin, dhe bashkë me të komplotuan për ta vrarë Agamemnonin duke e goditur me sëpatë, teksa ky po këndellej në vaskën e banjës.
Në mit, Klitemnestra shfaqet si e kundërta edhe e Helenës, edhe e Penelopës; duke qenë të treja mishërime të një variacioni të pasur për gruan në lashtësinë greke. Njëherazi, të dy motrat – bija binjake të Ledës së përdhunuar prej Zeusit, që pat marrë marrë formën e një mjellme (!) – i kundërvihen Penelopës, sepse i tradhtuan burrat e tyre, ndërsa kjo i ndenji besnike Odiseut. Vendimi artistik i Nolan-it për të pasur të njëjtën aktore, Lupitën, në rolet e dy motrave, rishkruan – në strukturën e thellë narrative – mitin e kipcit (sozisë); duke e nxjerrë lakuriq gramatikën logjike pas këtyre dy personazheve.
Në çdo rast, diskutimet nëse Helena e Homerit ka qenë apo jo “flokëverdhë”, e bardhë apo e zeshkët e kështu me radhë harrojnë të marrin parasysh që Nolan-i regjisor nuk ka asnjë detyrim për të qenë “fotografik” ndaj poemave homerike dhe miteve që ndërthuren atje dhe aq më pak ndaj pritjeve të një segmenti specifik – sado kulturalisht dominues – të publikut të sotëm, ndaj pamjes së personazheve mitike.
Sikurse i rrafshojnë, do të thoja brutalisht, nuancat tejet të pasura të mitit grek.
Zgjedhja e regjisorit, që Helenën – një personazh gjithsesi dytësor në film – ta luajë një aktore afrikane si Lupita, mund të kritikohet për efektet që mund të ketë te publiku, jo për besnikërinë ndaj një imazhi të traditës.
Me kusht që regjisori të jetë motivuar artistikisht, dhe jo nga ndonjë ideologji oportuniste e momentit.
Hollywood-i gjithnjë i është falur një estetike realiste, paçka se filmat më të suksesshëm kanë krijuar jo vetëm një model specifik të kinemasë – shumë larg realitetit; por edhe një estetikë artificiale, me efektin real tejet të koduar (p.sh. filmat western, ose ato që mbështeten në heronjtë aq të pagjasë të folklorit urban, si Superman-i ose Spiderman-i).
Mbase pyetja që duhet bërë është nëse narrativa e Luftës së Trojës, ashtu siç është rrëfyer nga Homeri, mund t’i mbijetojë një modifikimi si ky i Nolan-it, që bie ndesh me perceptimet e atyre që e përdorin dhe e nderojnë mitin sot e kësaj dite.
Kujtoj si filmi i dikurshëm, Helena e Trojës, u largohej mjaft klisheve narrative të poemave të Homerit; për shembull, Paridin atje e vriste tradhtisht rivali në dashuri Menelau, në një skenë të paharrueshme.
Me sa duket, ndërrimi i racës së një protagonisti ndërhyn te një rrafsh më i thellë i gramatikës narrative, duke prekur drejtpërdrejt përdorimin që ia bëjmë mitit ne sot.
Kujtoj sa nerva ka prekur dhe sa diskutime ka ngjallur fakti – ose pretendimi – se nëna e Skënderbeut ka qenë sllave, i cili nuk metabolizohet kollaj në kontekstin e mitit tonë kombëtarist modern, që mëton pastërti etnike.
Përballë këtij pretendimi kaq kontroversial, anakronizmi i Skënderbeut që ndez cigaren në skenë mund të duket si shaka dashamirëse.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje