Rektori i Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga detyra, duke akuzuar Bordin e Administrimit për ndërhyrje që, sipas tij, cenojnë autonominë e institucionit dhe shkelin ligjin.
Në një letër drejtuar ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, Gjuraj thekson se mandati i tij buron nga komuniteti universitar dhe se drejtimi i universitetit duhet të mbështetet në transparencë, përgjegjësi publike dhe respekt për autonominë universitare.
“Mandati që buron nga komuniteti universitar nuk është vetëm një e drejtë për të drejtuar, por një detyrim për ta ushtruar atë me integritet, në respekt të autonomisë universitare dhe në shërbim të universitetit e qytetit të Shkodrës”, shkruan ai.
Në letër, ai kundërshton veçanërisht vendimet e Bordit të Administrimit lidhur me emërimin e administratorit të universitetit, të cilin e konsideron të paligjshëm. Po ashtu, ai kritikon vendimet për shtyrjen e moshës së daljes në pension dhe procedurat e rekrutimit të stafit administrativ.
Tonin Gjuraj ka një karrierë të pasur akademike dhe profesionale. Ai ka kontribuar në mënyrë të ndjeshme në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në promovimin e vlerave demokratike dhe fetare në Shqipëri dhe më gjerë.
Gjuraj ka arritur një nivel të lartë akademik me një Ph.D. në Sociologji nga Universiteti i Tiranës. Pas përfundimit të doktoraturës, ai vazhdoi me studime dhe kërkime postdoktorale në Kolegjin St’ Anthony të Universitetit të Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Për më tepër, ai zotëron një Master në Shoqëri dhe Politikë nga Universiteti i Evropës Qendrore në Pragë, Republika Çeke, dhe një Bachelor në Filologji Angleze nga Universiteti i Tiranës.
Po ju drejtohem me këtë letër, për të ripohuar një parim themelor, i cili udhëheq mënyrën se si e kuptoj dhe ushtroj detyrën që më është besuar, si dhe përgjegjësinë institucionale që buron prej saj. Ky parim duhet të mbetet i qartë dhe i pandryshueshëm në çdo rrethanë, që lidhet me funksionimin dhe drejtimin e universitetit.
Detyra e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” më është besuar përmes një procesi konkurrimi dhe votimi akademik. Mandati buron nga komuniteti universitar dhe, mbi këtë bazë legjitimiteti, mbështetet drejtimi i këtij institucioni publik.
Kandidimi për këtë detyrë nuk ka qenë një hap për të përmbyllur një karrierë personale, tashmë të konsoliduar prej kohësh në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe diplomaci. Përkundrazi, pranimi i këtij funksioni lidhet me bindjen se, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” meriton një proces të mirëfilltë transformimi institucional, mbështetur në transparencë, përgjegjësi publike dhe respekt për autonominë universitare, në përputhje me rolin e rëndësishëm që ky institucion zë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.
Detyra e rektorit nuk është as mision personal, as një mekanizëm imponimi, por një funksion institucional, që kërkon partneritet dhe mbështetje për forcimin e cilësisë akademike, përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe afirmimin e universitetit në rolin që i takon në jetën publike dhe zhvillimin intelektual të qytetit të Shkodrës e më gjerë. Kjo është një përgjegjësi, nderim dhe detyrim ndaj traditës së këtij institucioni dhe këtij qyteti, por, mbi të gjitha, prindërve dhe studentëve që ia besojnë këtij universiteti formimin dhe të ardhmen e tyre.
Që në fillim të ushtrimit të detyrës sime kam theksuar se, universiteti duhet të qëndrojë larg çdo ndikimi politik. Rektori nuk përfaqëson interesa politike, por ai shërben në funksion të komunitetit akademik dhe publikut. Në këtë kuptim, çdo mbështetje institucionale, përfshirë edhe ajo e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Shkodrës, që, në fakt, nuk kanë munguar, ka qenë dhe mbetet e mirëpritur, sa kohë që respekton këtë parim dhe kontribuon në zhvillimin e universitetit.
Në këtë frymë, kam kërkuar mbështetje për përpjekjet e nisura dhe jo krijimin e barrierave artificiale, që pengojnë një proces transformimi të domosdoshëm për universitetin dhe rolin që ai duhet të ketë në jetën e qytetit.
Kjo qasje, mesa duket, nuk gjeti mirëkuptimin e duhur dhe nëse ushtrimi i këtij funksioni shoqërohet me ndërhyrje që cenojnë autonominë institucionale, atëherë nuk po hezitoj të lë në tavolinë dorëheqjen time dhe t’i rikthehem jetës akademike si profesor. Rektori është i përkohshëm, Bordi i Administrimit (BA) i jashtëkohshëm, por Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është dhe mbetet i përhershëm.
Vendimi i BA-së për emërimin e administratorit është, sipas meje, i papranueshëm dhe një qëndrim të tillë, siç dihet, unë e kam bërë publik. Por, kjo thellohet më tej, kur, po ky Bord, pa bazë ligjore, në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese në raport me stafin tjetër akademik e administrativ, merr vendimin për t’i shtyrë moshën e daljes në pension.
Përveç kësaj, BA, përfshirë dhe 4 përfaqësuesit e MA në të, injoron dhe hedh poshtë me arrogancë, Raportin Final të Grupit të Punës të ngritur prej jush, pas kërkesës time, për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të konkursit publik për rekrutimin e personelit administrative, në vitin 2025, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ky Raport i jep të drejtë pretendimeve të rektorit, ku konkludon qartë se: “shpallja për punësim nga BA është e pavlefshme”. Vendimi i BA, nr. 2015, datë 15. 07. 2025 “Për miratimin e kritereve për procedurat e rekrutimit të stafit në varësi të administratorit”, është në kundërshtim me ligjin nr. 80/2015, dhe si i tillë është nul dhe nuk duhet të sjellë pasoja juridike.
Bordi i Administrimit vijon shkeljet ligjore, duke paguar honorare projektesh në mënyrë preferenciale, pa vendime Bordi, por direkt nëpërmjet administratorit, pa filtër shkencor dhe të pacertifikuar nga drejtoria përkatëse dhe rektori, siç ka qenë dhe është praktika normale.
Sa sipër, unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej BA, kurse ata, të gjithë së bashku, kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar.
Mandati që buron nga komuniteti universitar nuk është vetëm një e drejtë për të drejtuar, por një detyrim për ta ushtruar atë me integritet, në respekt të autonomisë universitare dhe në shërbim të universitetit e qytetit të Shkodrës.
Lutem, zj. Ministre, t’i referoheni nenit 39 të Ligjit 80/2015, pika 9, për të garantuar vijimin normal të funksionimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, pas dorëheqjes time të parevokueshme, në dobi të studentëve dhe komunitetit akademik.
Përulem me mirënjohjen më të thellë dhe shpreh ndjesën më të madhe para dhe për qytetarët e Shkodrës, prindërve të studentëve, stafit akademik, administratës dhe studentëve, veçanërisht atyre që mbështetën projektin tim të përditësimit të traditës, nxitjes së transparancës, si dhe nisjes së transformimit institucional, i cili, edhe pse me barriera e vështirësi nga më të ndryshmet, sapo kishte filluar të shfaqte frytet e para.
I uroj përjetësi UNISHK-ut dhe suksese në punën tuaj, zj. Ministre!
????
Njeri me integritet rektori i Shkodres. Keshtu njihet jo njeri i korrupsionit dhe kulisave. Respekte!