Shteti shqiptar ka përmbyllur me sukses një nga proceset më të gjata dhe më të rëndësishme juridike në fushën e hidrokarbureve, duke siguruar të drejtën për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura nga shoqëria “Bankers Petroleum Albania”. Gjatë një interpelance të zhvilluar sot në Kuvend, Ministri i Financave, Petrit Malaj, paraqiti një analizë të hollësishme faktike dhe kronologjike të ecurisë së kësaj çështjeje, duke vënë theksin te mbrojtja e interesit publik dhe legjitimitetit të institucioneve shqiptare.
Në qendër të mosmarrëveshjes, e cila ka zgjatur më shumë se një dekadë, ishte pagesa e akcizës për disa produkte energjetike (holluesi/diluenti) të përdorura në proceset e nxjerrjes së naftës bruto në vendburimin e Patos-Marinzës.
Historiku i marrëdhënies daton që nga qershori i vitit 2004, kur qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen hidrokarbure me afat 25-vjeçar me shoqërinë “Saxon International Energy” (sot Bankers Petroleum). Kjo marrëveshje parashikonte përjashtimin nga akciza të lëndëve të përdorura në proceset teknologjike, status që mbeti i legjitimuar deri më 1 prill 2014, kur hynë në fuqi ndryshimet e paketës së re fiskale që hoqën këto lehtësime.
Pasi administrata doganore mbajti qëndrimin se produktet energjetike nuk përfitonin më përjashtim, në shtator të vitit 2014 u lëshua njoftimi i parë për një detyrim të papaguar prej 589 milionë lekësh. Kompania e ankimoi këtë akt, duke nisur një kalvar gjyqësor që kaloi në të gjitha hallkat e sistemit, deri në Gjykatën e Lartë. Në mars 2022 Gjykata e Lartë i dha përfundimisht të drejtë administratës doganore për arkëtimin e akcizës. Përpara këtij vendimi, në maj të vitit 2019, Dogana kishte nxjerrë një tjetër akt administrativ me një detyrim prej 3.09 miliardë lekësh dhe një gjobë sa trefishi i tij (rreth 9 miliardë lekë), duke e çuar totalin në 12.48 miliardë lekë. Ekzekutimi i këtij akti u pezullua përkohësisht në korrik 2019, në pritje të zgjidhjes së gjyqit të parë. Përplasja u zhvendos edhe në rrafshin ndërkombëtar. Në qershor të vitit 2024, Gjykata e Arbitrazhit rrëzoi pretendimet e Bankers Petroleum, vendim i cili u konfirmua përfundimisht nga gjykatat ndërkombëtare në dhjetor të vitit 2024.
Sipas ministrit Malaj, pas një serie betejash të tjera në gjykatat administrative të Lushnjës dhe Tiranës, që zgjatën deri më 9 dhjetor 2025, të gjitha pretendimet e shtetit shqiptar u deklaruan plotësisht të legjitime.
Ekzekutimi i detyrimit dhe marrëveshja me këste
Me përfundimin e pengesave juridike, autoritetet nisën menjëherë procedurat e ekzekutimit. Megjithatë, nga verifikimet rezultoi se shoqëria nuk kishte likuiditet të mjaftueshëm (rreth 120 milionë euro) në llogaritë e saj bankare për të bërë shlyerjen e menjëhershme të të gjithë shumës së pretenduar në aktin e vitit 2019.
Në kushtet kur çështja e gjobës administrative prej 9 miliardë lekësh vijon të shqyrtohet në themel nga gjykatat shqiptare, administrata doganore arriti një dakordësi me kompaninë për rikuperimin e detyrimit kryesor.
“Në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, është arritur një marrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimit kryesor prej rreth 3 miliardë lekësh (30 milionë euro),” bëri me dije ministri Malaj.
Marrëveshja, e cila u zyrtarizua më 4 shkurt 2026, përcakton një kalendar strikt pagesash mujore:
Ministri i Financave konfirmoi se marrëveshja është duke u zbatuar rregullisht dhe se deri më tani janë arkëtuar suksesshëm 1.5 milionë dollarë në favor të buxhetit të shtetit, duke garantuar se institucionet do të ndjekin deri në fund çdo procedurë ligjore për të siguruar rikuperimin e plotë të këtyre fondeve.
Lini një Përgjigje