Tre gra, njëra prej tyre shtatzënë, u sulmuan me thikë pranë një stacioni tramvaji, në veri të Parisit.
Autoritetet franceze raportuan se dy nga të plagosurat u dërguan në spital në gjendje të rëndë, ndërsa njëra pësoi lëndime më të lehta.
Për ngjarjen u arrestua një 31-vjeçar, i cili sulmoi gratë në rrugë me dy thika kuzhine. Sipas policisë, të plagosurat në veri të kryeqytetit ishin të moshës 19, 24 dhe 36 vjeçe.
“Pamë një burrë që kaloi me dy thika dhe goditi tre persona. Pastaj një i ri e goditi autorin me çantën e tij, duke e rrëzuar përtokë”, thanë dëshmitarët nga vendngjarja.
Ndërkohë, një oficer policie jashtë detyrës ndërhyri menjëherë, duke neutralizuar dhe arrestuar autorin. Identiteti i të dyshuarit dhe motivi i sulmit nuk janë ende të qarta.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, tha se i dyshuari ka bërë deklarata të paqarta para grupit hetimor, ndërsa kërkoi të mos nxirreshin përfundime të nxituara mbi motivin e sulmit.
Referuar dëshmive dhe videove nga vendngjarja, Reuters shkruan se menjëherë pas sulmit, autori i dyshuar është dëgjuar të thotë “Allahu më urdhëroi ta bëj këtë”.
Zyra e Antiterrorizmit në Francë bëri të ditur se po ndjek procedurën e zhvilluar nga Prokuroria e Parisit.
Lini një Përgjigje