Burgu është institucioni më demokratik në Shqipëri; nuk bën dallime, pranon edhe të pafajshëm, edhe të fajshëm
Janë dy kategori të dënuarish që ligji i ndan me një nen, dhe që burgu i bashkon me një derë e dryn hekuri. Njëri e vuan dënimin, kurse tjetri vuan pritjen. Ndoshta kjo është forma më e avancuar e barazisë para ligjit: i dënuari dhe i prezumuari i pafajshëm trajtohen njësoj. Fajtori dhe i pafajshmi hanë të njëjtën ushqim, shohin të njëjtat mure, respektojnë të njëjtën disiplinë dhe numërojnë të njëjtat ditë. Ndryshon vetëm emërtimi: njëri quhet i burgosur, tjetri "i prezumuar i pafajshëm". Është si të veshësh të njëjtën uniformë, por me etiketa të ndryshme. Diferenca ekziston vetëm në dosje. Në teori, je i pafajshëm derisa të provohet e kundërta. Në praktikë, je i pafajshëm me qira të lartë. Kontrata rinovohet çdo muaj në paraburgim, derisa një ditë dikush zbulon se ke konsumuar tashmë aq kohë sa dënimi duket si formalitet administrativ. Matematikë e thjeshtë:Paraburgim + kohë + mungesë ballafaqimi efektiv me provat = burgim i legalizuar. Burgu, në këtë kuptim, mbetet institucioni ynë më "demokratik". Nuk diskriminon. Hyrja është e hapur si për fajtorin, ashtu edhe për të pafajshmin. Diferenca është se i pari e di pse ndodhet aty, i dyti pret ta mësojë. Prezumimi i pafajësisë ditën e parë është parim kushtetues. Pas disa muajsh bëhet formalitet proçedurial. Pas dy vjetësh trajtohet si etiketë e vjetruar, paska edhe afat skadence. Provat mund të mos kenë lëvizur asnjë milimetër, por kalendari ka ecur mjaftueshëm për t'i zëvendësuar ato.
Në ecje e sipër drejt standardeve evropiane, kemi aftësinë të krijojmë risi juridike origjinale që bazohen në prezumimin e pafajësisë. koncept që me kalimin e kohës, fermentohet vetvetiu në fajësi.
Nuk ke nevojë të provosh fajin; mjafton të zgjasësh mjaftueshëm pritjen. Koha bën pjesën tjetër. Është alkimia moderne e drejtësisë: e fut njeriun të pafajshëm në laborator dhe, pas disa vitesh, pafajësia e supupozuar fermentohet mjaftueshëm deri sa arrin gradët për t'a nxjerrë fajtor me vulë. Shkenca njeh fermentimin e rrushit në verë. Drejtësia jonë, njeh fermentimin e të pafajshmit në fajtor. Proçesi është po aq "natyror", e mbyll në enë, e lë të pushojë dy-tre vjet dhe në fund del një produkt i gatshëm për statistikë. Kur provat nuk piqen, piqet i paraburgosuri. Edhe pse faji nuk provohet, prapeseprapë maturohet. Fermentimi është ndoshta i vetmi proçes ku, nëse ndodh në fuçi, quhet traditë; nëse ndodh në organizëm, quhet diagnozë; ndërsa nëse ndodh në dosje, quhet proçedurë. Gjykatat kombëtare shpesh e servirin fajësinë të papjekur, ndërsa Strasburgu e kthen në kuzhinë për ta gatuar edhe një herë.
Kështu Kryetari i bashkisë në burg, i supozuar i pafajshëm, pas disa muaj i mbyllur në “enë fermentimi”, pyet një ditë të burgosurin fqinjë me qelinë e tij: Kryetari: Për çfarë je dënuar? Tjetri: nuk e di ende. Si nuk e di? Ende jam në fazën e fermentimit. Ç'domethënë? Ende nuk jam shpallur fajtor, por po maturohem. Pse habitesh, si puna jote, o Lali. Unë jam në proçes fermentimi prej tre vjetësh. Ti je akoma te dy vite. Sipas sistemit, Koha bën atë që nuk e bëjnë provat. Pra, je i dënuar? Jo të thashë, jam i prezumuar i pafajshëm... në proçes fermentimi. Po kur përfundon fermentimi yt?
Kur të jetë gati produkti. Pastaj etiketa ndryshon vetë: nga “i pafajshëm” në “i fajshëm”. Pa ndryshuar përmbajtja. Po mirë, po gjykimi? Ohu, o Kryetar, sa prapa qënke ti. Është si data e skadencës. Vjen me kohë, natyrshëm, pa bujë, rrjedhshëm, pasi produkti ka ndryshuar. Ëhë, po me sa vite të dënuan? Or Lali, nuk më dënuan me vite. Më dënuan me maturim. Pra nuk je në burg? Po jo pra, t'a thashë or Lalë, Jam në Kantinën e Drejtësisë. Proçedura quhet "fermentim juridik". Është specialitet vëndas, autentik shqiptar. Proçesi i fermentimit juridik kërkon vetëm një gjë: KOHË. Pjesa tjetër ndodh vetë. Po provat? E ke fjalën për faktet? Ohu, ato janë si erëzat. Ç'është e vërteta mirë është të jenë, por receta del edhe pa to. Dhe prezumimi i pafajësisë? Është lënda e parë. Futet e freskët në sistem dhe lihet të fermentojë. Pas ca vitesh del produkt i maturuar, Fajtor. Me pak fjalë or Lalë, “Fermentimi” fillon me prezumimin e pafajësisë, vazhdon me paraburgimin e zgjatur dhe përfundon me maturimin e fajësisë. Kalendari është katalizatori kryesor i “fermentimit juridik”, pastaj vijnë provat të cilat quhen ndihmëse. O sa ke për të dëgjuar dhe mësuar ti Lali këtu. Po ata që dënohen me proçes penal? Ohu, proçesi penal klasik është për amatorët. Ai kërkon prova, ballafaqim, debat dhe vendim. Avokatët e tu bënë gabim që në fillim, që zgjodhën të të fusin në proçes klasik penal. Rri or Lalë mirë e bukur në fermentim juridik, ke më pak telashe, më pak shpenzime monetare, se është si një lloj “Ujdi” që fillon me rrush, me prezumim pafajësie, me pak erëza derisa përfundon në autoklavën juridike. Aty dosja penale nuk është më dosje, është fuçia juridike ku prezumimi 60 mijë faqesh i pafajësisë pret të marrë aromën e fajësisë. Ty or Lalë, siç duken bathët, do të marri shumë kohë. Fermentimi dhe maturimi yt ha gjatë, se ka dy lloj bërsish, edhe mashkull edhe femër përzjer me shumë erëza, për të njëjtin qëllim. Megjithatë mos u mërzit se edhe ti do kapësh fazën tënde të aromës “Fajësia”. Një shpikje shqiptare që nuk kërkon patentë, sepse askush tjetër nuk do të guxonte ta kopjonte. Bëjnë sikur, këta perëndimorët, por kur vjen puna, zënë hundët me dorë.Fermentimi juridik zgjatet me vite në korridoret e institucioneve, piqet në raftet e burokracisë dhe vuloset nga sistemet juridike evropiane si produkt me origjinë të mbrojtur. Në fund, statistikat duken bukur, proçedurat duken në rregull dhe formularët plotësohen me përpikëri. Vetëm një gjë mbetet pa u plotësuar: Drejtësia. Mirënjohje pa fund për metodën e “fermentimit juridik”, një arritje e rrallë e inxhinierisë institucionale.Si çdo fermentim cilësor, edhe ky zhvillohet në errësirë, me temperaturë të kontrolluar dhe me sa më pak ndërhyrje nga realiteti. Në fund, etiketa ndryshon, përmbajtja jo domosdoshmërisht. Nga prezumimi te fermentimi, historia e gjatë e një përparimi që u prish pa skaduar.
Lini një Përgjigje