Nga Musta Kurtulaj
Deklarata e Kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë dhe Grupit Parlamentar të PS, se puna e qeverisë nuk duhet të vlerësohet më nga krahasimi me të kaluarën, por nga pritshmëritë e qytetarëve, përbën një tezë politike teje të guximëshme që meriton analiza të thelluara. (Reflektimi mbi "Orotesten Flamingo" ). Kjo tezë për shkak se jo vetëm ndryshon mënyrën e argumentimit politik, por sepse prek vetë filozofinë e qeverisjes.
Për shumë vite, krahasimi me të kaluarën ka qenë argumenti kryesor i çdo qeverie. "Sot jemi më mirë se dje" ka shërbyer si argument për sukseset, por edhe si mburojë për mangësitë. Ky është një standard i kuptueshëm në veçanti për vende që dalin nga periudha të vështira tranzicioni. Por ai nuk mund të mbetet përgjithmonë kriteri kryesor i gjykimit, ndonëse ka jo pak qeveri edhe në vënde konsiderueshëm të zhvilluara që i referohen shumë krahasimit me të kaluaren !
Nëse Shqipëria ka hyrë në një fazë ku standardi nuk është më "nga erdhëm", por "ku duhet të jemi", atëherë kemi të bëjmë me një ndryshim të rëndësishëm konceptual. Në këtë kuptim, deklarata është tejet e guximshme. Ajo nënkupton se vetë qeveria pranon se nuk mjafton më të tregojë se ka punuar më mirë se paraardhësja; tashmë duhet të përmbushë pritshmëritë e një shoqërie që kërkon standarde më të larta. Por pikërisht këtu fillon sfida.
Pritshmëritë janë një kriter shumë më i vështirë se krahasimi me të kaluarën. Ato nuk maten vetëm me statistika ekonomike apo kilometra rrugësh. Ato maten me cilësinë e jetës, me funksionimin e institucioneve, me drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, sigurinë, mundësitë për të rinjtë, pagat, pensionet dhe mbi të gjitha me besimin që qytetari ka tek shteti.Në demokracitë e zhvilluara, qeveritë nuk gjykohen sepse janë më të mira se ato të djeshmet. Ato gjykohen sepse arrijnë ose jo të përmbushin standardet që kërkojnë qytetarët e kohës së tyre. Pikërisht për këtë arsye, sa më shumë zhvillohet një vend, aq më shumë rriten edhe pritshmëritë. Kjo nuk është shenjë pakënaqësie; është shenjë e një shoqërie që kërkon të ecë përpara. A e ka arritur Shqipëria këtë stad?
Përgjigjja nuk është as "po" dhe as "jo". Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në disa sektorë, por njëkohësisht vazhdon të përballet me probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve: emigracioni, pabarazitë sociale, korrupsioni i perceptuar, cilësia e shërbimeve publike, drejtësia që ende nuk ka fituar plotësisht besimin e njerëzve dhe ekonomia që nuk u përgjigjet gjithmonë pritshmërive të familjeve shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye, krahasimi me të kaluarën nuk mund të hiqet nga analiza. Historia tregon se sa është ecur, ndërsa pritshmëritë tregojnë sa larg jemi ende nga objektivi. Njëri kriter nuk e përjashton tjetrin; përkundrazi, ato plotësojnë njëri-tjetrin.
Nëse kjo deklaratë nuk mbetet vetëm një formulë politike, por shndërrohet në një standard të ri të llogaridhënies, atëherë ajo mund të konsiderohet një hap shumë pozitiv për vëndin. Por a i ka bërë Kryeministri Rama mirë llogaritë se sa do të ia arrijë që të realizojë pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe të ballafaqohet me publikun, pa i krahasuar me të kaluaren?! Nuk duhet harruar se një qeveri që pranon të matet me pritshmëritë e qytetarëve, pranon në të njëjtën kohë të gjykohet nga standarde gjithnjë e më të larta.Në fund të fundit, e kaluara shpjegon rrugën që kemi bërë, por nuk mund të jetë strehë e përhershme për të justifikuar të tashmen. Qytetarët jetojnë me hallet e sotme dhe ëndrrat për nesër. Prandaj, çdo qeveri është njëkohësisht para dy prova: të dëshmojë se e ka bërë vendin më të mirë se dje dhe të bindë qytetarët se është në gjendje ta bëjë më të mirë se sot.Faktikisht, kjo është diferenca midis qeverisjes që mbështetet te kujtesa dhe qeverisjes që ndërtohet mbi besimin për të ardhmen.Mendoj se ky formulim e vendos debatin në një plan institucional dhe filozofik, pa rënë në retorikë partiake, ku secili në mënyren e tij ka hapësirë për të reflektuar mbi këtë tezë të Kryeministrit
Lini një Përgjigje