Përballja me vatrat e zjarrit gjatë stinës së verës po kthehet në një sprovë përvitshme e me përmasa gjithnjë e më serioze për kapacitetet e emergjencave civile në Shqipëri.
Raporti më i fundit i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për periudhën janar–tetor 2025 zbulon një bilanc të rëndë ekonomike dhe mjedisore për shkak të flakëve që përfshinë fondin pyjor, kullotat dhe zonat e mbrojtura në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 10 muajve të vitit të kaluar u regjistruan 346 vatra zjarri—prej të cilave 282 në pyje të menaxhuara nga bashkitë dhe 64 në fondin pyjor shtetëror e zonat e mbrojtura.
Dëmi ekonomik dhe sipërfaqet e prekura
Sipërfaqja e përshkuar: 33,524 hektarë.
Sipërfaqja e djegur plotësisht: 16,180 hektarë.
Dëmi në lëndë drusore: Janë shkatërruar 128,598 $m^3$ dru, nga të cilat vetëm 25,634 $m^3$ rezultuan të përdorshme pas djegies.
Fatura ekonomike: Dëmi i përllogaritur në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar kap shifrën e afro 77 milionë eurove (pa përfshirë dëmet anësore në banesa, bujqësi dhe blegtori).
Harta e dëmeve: Vlora mban peshën kryesore
Vlora: Humbjet më të mëdha ekonomike u regjistruan në këtë qark, ku u dogjën plotësisht 10.2 mijë hektarë. Vlora përballoi mbi 50% të dëmit kombëtar (rreth 41 milionë euro), e ndikuar veçanërisht nga zjarret masive të gushtit 2025.
Gjirokastra dhe Elbasani: Gjirokastra renditet e dytë për nga vlera e dëmit me me rreth 2 mijë hektarë të shkrumbuar, ndërsa Elbasani pësoi humbjen më të madhe të fondit drusor me 1 mijë hektarë të djegur plotësisht.
Shkodra: Ishte qarku me numrin më të madh të vatrave të identifikuara (37 vatra).
Faktorët njerëzorë dhe kushtet klimatike
AKM nëgjeron se ndërthyrja e kushteve ekstreme klimatike me faktorin njerëzor është shkaku kryesor i përhapjes së flakëve.
"Shkaqet kryesore të zjarreve në fondin pyjor dhe kullosor janë aktiviteti njerëzor dhe kushtet klimatike ekstreme. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rrezikut dhe përhapjen e flakëve në sipërfaqe të gjera natyrore," thuhet në raport.
Ndër aktivitetet njerëzore më problematike përmenden djegia e mbetjeve bujqësore pa masa sigurie, hapja e kullotave të reja përmes zjarrit dhe hedhja e pakujdesshme e cigareve.
Gjatë vitit 2025 u konfirmuan 23 zjarre me origjinë nga aktiviteti njerëzor (3 prej të cilave të qëllimshme). Megjithatë, për 150 raste në nivel bashkie shkaku mbetet zyrtarisht i panjohur, ku përfshihen edhe defektet teknike apo shkëndijat nga mjetet motorike në terrene të thata.
Lini një Përgjigje