Pas miratimit të procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjit për huanë prej 302 milionë dollarësh nga SHBA për pajisje ushtarake, deputetëve u është vënë në dispozicion një kopje e marrëveshjes për ta lexuar përpara seancës së radhës, e parashikuar sot në orën 15:00.
Dokumenti, i cili sipas procedurave konsiderohet i klasifikuar, është vendosur në dispozicion të të gjithë deputetëve. Për ta konsultuar, deputetët duhet të firmosin deklaratën e konfidencialitetit, në përputhje me rregullat për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.
Por në një video të publikuar nga ambientet e Kuvendit, shihet se deputeti Agron Shehaj ka hyrë në sallën ku ndodhej kopja e marrëveshjes, e ka marrë atë dhe është larguar me shpejtësi pavarësisht thirrjeve për të ndaluar
Pamjet e publikuara kanë sjellë reagimin e mazhorancës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar që Shehaj të arrestohet, duke e akuzuar për shkelje të ligjit.
“Agron Shehaj duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka nisur të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale”, deklaron Balla.
Ndërkohë, opozita ka kundërshtuar procedurën e ndjekur për miratimin e marrëveshjes me SHBA-në, duke kërkuar më shumë transparencë dhe kohë për shqyrtimin e saj. PD ka deklaruar se nuk është kundër marrëveshjes, por kundërshton mënyrën e përshpejtuar të procedimit të saj në Kuvend.
Lini një Përgjigje