
Nga Ylli Pata
Prej dy ditësh në Kosovë ka nisur një debat politik i fortë në lidhje me një akronim viral në rrjetet sociale që linçon prej vitesh politikanë e gazetarë që janë kundërshtarë politik të Albin Kurtit.
Ky akronim ka një emërtesë sa tragjikokomike, aq edhe ngjall teoritë konspirative. Quhet “Lule Gjeli”, llogaria e të cilit është vënë nën hetim si pjesë e një sulmi jo thjesht agresiv e urrejtjeje, por me një qëllim të caktuar. “Lule Gjeli”, i cili shfaqet prej vitesh duke shpërndarë lajme të rreme, linçime e akuza pa fund, nuk del rastësisht në kohën e postimeve të tij. Ai para pak javëve shpërndau një lajm të rremë për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Abdullah Hotit, një figurë e rëndësishme e LDK-së dhe rival i rëndësishëm i Albin Kurtit.
Sipas investigimeve që po vijojnë në Prishtinë, kryesisht nga gazetari Berat Buzhala dhe media që ai drejton Gazeta Nacional, prapa këtij emri anonim qëndron një personazh i lidhur me call centerin me të cilin Vetëvendosja gjeneron furinë e saj digjitale për të prodhuar një betejë, e cila është më shumë virtuale sesa reale.
Në investigimin e saj, Gazeta Nacional, tregon një ushtri të tërë profile me emra “vajzash revolucionare”, që nuk janë gjë tjetër veçse raketa balistike digjitale të luftës hibride.
Një histori që në Kosovë, jo vetëm po bëhet debat publik, por edhe pjesë e një hetimi të thelluar penal, që sipas të gjitha gjasave do të zbërthejë skemën e një balistike konvencionale që në kohën e sotme ka peshë ndoshta sa predhat me barut apo TNT.
Ndërkaq, pikërisht kjo ngjarje e kthyer në debat, është një homologim i realitetit që sot ndodh rëndom edhe tek ne, apo kudo në Europë e botë.
Ku “Lule Gjeli” ka qenë prezent prej vitesh në sheshin politik, jo si një actor real, por si një forcë virtuale. E cila si e tillë, kërkon të imponohet me axhendë dhe prioritet.
Një zhvillim që pati zenithin pikërisht në fillimin e revolucionit të flamingove, ku adresa me emra të rremë, lëshuan predhat e makinacioneve virtuale të “pushtimit të Zvërnecit nga kolonët izraelitë”, apo pamjet fake me lego dhe inteligjencë artificiale të gjeneruara nga faqet shtetërore të Iranit.
Ngjarje që sollën në mexhlisin virtual llogari rrjetesh sociale që debatonin, Shanin, sulmonin e akuzonin, por që në realitet nuk kishin e kanë prapa tyre një person të identifikuar, por një maskë, siç ndodh në disa nga protestat ku ata që kanë molotovin nuk e tregojnë fytyrën.
Ky fenomen nuk është se erdhi sot, por ka nisur në Shqipëri që në kohën e protestave të armëve kimike, kur u tentua të prodhoheshin revolucione në epruvetë. Identifikimi i këtyre “lilegjelëve” është i thjeshtë, pasi janë llogari që kërkojnë miqësi, ndërkohë që prapa kanë emra dhe foto krejt pa lidhje, histori të munguar dhe një portret enigmatik. Mirëpo në kohëra të rëndësishme zhvillimesh, janë pikërisht këto llogari që shumëfishohen dhe shfaqen si pasojë e algorimtish me një gjuhë ku nuk ka logjikë, por vetëm linçime, nuk ka argument por vetëm gijotinë digjitale.
Kush i gjeneron lulegjelat dhe për çfarë arsye? Politikisht, së paku në Shqipëri, kanë treguar se kanë zero rezultat; pasi zhurma virtuale nuk është asnjëherë një realitet që ka të njëjtin rezultat në shesh apo në votë në fund. Në shumicën e rastit ka rezultuar se është një boomerang që ka goditur fort në fytyrë ata që i kanë përdorur.
E megjithatë, vijojnë të jenë artileria kryesore e luftës hibride. Logjikisht, arsyeja nuk është rezlultati politik, por thjesht mbushja e fushës së betejës me tym, njësoj pikërisht për të zhvendosur apo trazuar debatin real, apo edhe tensionimin e destabilizimin e situatës.
TemA
Lini një Përgjigje