Dalldia e Besës

26 Korrik 2026, 17:29Editorial Mero Baze

 

Ka një dalldi kombëtare për të shpjeguar "Besën" e Edi Ramës. Udhëheqësit e shumtë të protestës janë në garë me njëri-tjetrin për t'i thënë se nuk do t'ia japin "besën". Madje janë aq të ekzaltuar nga ndjesia se ai ua ka kërkuar atyre besën, sa për një moment duket sikur kanë arritur objektivin e revolucionit. Kanë filluar të komentojnë Dokumentin "Besa 1", ende pa e lexuar udhëheqësit e shumtë socialistë.

Pastaj vijnë gazetarët e protestës. Edhe këta janë në qiell të shtatë. Përveç thirrjes së përditshme "mos i jepni besën", shkojnë edhe më tej, duke u kujtuar udhëheqësve të shumtë të protestës se, nëse i japin besën këtij, presin në besë Shqipërisë.

Pastaj vijnë socialistët e vjetër, të zemëruar natyrisht me Edi Ramën. Këta e quajnë të pabesë, pasi kur erdhi në PS largoi njerëzit e Fatos Nanos dhe solli të vetët. Dhe si zgjidhje propozojnë të rikthehen ata të Fatos Nanos, ata që brenda dy mandatesh u larguan nga një pushtet plebishitar që morën më 1997, me damkën e hajdutëve. Sipas tyre, këta të Edi Ramës nuk dinë të vjedhin dhe duhet t'a marrin punën në dorë ustallarët.

Pastaj janë vetë socialistët, të cilëve Edi Rama u ka lënë në dorë dokumentin e "Besës" dhe pret përgjigje prej tyre. Ata janë në hall më të madh, sepse secilit i duket sikur dokumenti është shkruar kundër tij. Por kjo është e keqja më e vogël. Problemi është se çfarë propozimesh do të bëjnë dhe çfarë propozimesh pret prej tyre kryeministri.

Në këtë dalldi kombëtare, ndërsa kthehesha nga Jugu për në Tiranë, pak para mesditës të premten, më ngriti dorën një burrë që donte ta merrja me makinë.

Sapo hipi brenda më njohu dhe u habit pak që e mora si pasagjer.

– Ku do shkosh? – i thashë.

– Në Tiranë. E kapim dot orën gjashtë?

– Patjetër që e kapim. Ke ndonjë hall?

– Jo, jam për protestë.

– Shumë mirë. Rri pa merak, e kapim.

– Ku punon?

– Jo, jam në pension tani, por dua të shkoj në protestë. Ishalla ndodh ndonjë gjë e ndryshon ky vend. E kam për fëmijët. Ne të vjetrit e hëngrëm çairin.

– Patjetër do ndryshojë diçka. Tani është vapë, por nga shtatori besoj do të ndodhë diçka.

– Të lumtë goja. S'të kam parë më në televizor. Ai Bushati del.

– Po, po. Atë e kemi deleguar për revolucionin. Unë jam në prapavijë, ilegal.

– E të lumtë goja.

– Po fëmijët ku i ke, i thashë? Pa punë, apo në emigracion?

– Jo, mo. Në punë i kam. Mirë janë, të rregulluar, por thashë mos bëhet edhe më mirë.

– Ku i ke?

– Djalin e kam shef të degës ushtarake. Vajzën e kam në Bashki, në financë. Dhëndrin e kam drejtor në Ministrinë e Financave. Nuk e di mirë, po Ben Ahmetaj ma ka rregulluar.

– E shumë mirë. Qenke tamam njeri parimor që po shkon në protestë për bindjen tënde. Mendova se doje të rregulloje fëmijët në ndonjë punë.

– Jo, mo, jo. Mirë janë fëmijët. Por pse të mos bëhen edhe ata si gjithë bota, të marrin ndonjë gjë më të mirë.

– Përpiqu të afrohesh pak me këta udhëheqësit e protestës, se mos po fitojnë e t'i heqin fëmijët nga puna.

– Jam përpjekur, po ata kryesorët s'i njoh akoma. Rri aty nga cepi. Një ditë isha afër Dash Shehit. Edhe ai më tha: "Ishalla bëhet ndonjë gjë e mirë."

– Vetë ç'punë ke bërë?

– Shofer pas të mëdhenjve kam qenë gjatë komunizmit. Në fund e mbylla shofer prefekti. Mirë kam qenë, po ishalla bëhet ndonjë gjë tani e t'i heqim këta që janë.

– Po, po, patjetër do bëhet diçka.

– Po ky Edi Rama nuk ka frikë se mund ta vrasin? Se shumë kërcënime po i bëjnë.

– S'e di, por me sa duket i ka krahët e ngrohta nga socialistët.

– Atë e di, po ishalla e hedhin këta të protestës, se këta kanë nga pas edhe Amerikën, edhe Evropën dhe Erdoganin dhe grekët.

E lashë para Universitetit dhe i tregova sheshin.

Për gati tre orë në makinë nuk lamë socialist e demokrat pa marrë nëpër gojë. Ironia ishte se, ndërkohë që bënim gjithë ato analiza, në radion e makinës dëgjonim debatet për Dokumentin "Besa", që Rama ua kishte shpërndarë socialistëve.

Dhe po mendoja se në mbrëmje ky do të shkonte në shtëpitë e fëmijëve të tij, të punësuar mirë në administratë. Shumë kurioz jam si funksionon "Besa" në këtë rast.

Në Labëri, kur të shajnë, thonë: "Të q... besën."

3 Komente

  1. A
    Ari

    Hahaha! Sa komike!

    Përgjigjjuni
    1. A
      Adr

      Mero ska nevoj per koment.Une po e bej punen time nepermijet nje te treti ti kerkoj Rames se paku te lexoj rreshtin e fundit

      Përgjigjjuni
      1. E
        E bukur

        ... personazhi pensioner gjetje bukur. Po ai Bushati del akoma ne tv ..po po po del haaa nuk shikoje tv .....

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje