Hotel Priam ishte plot këtë fundjavë. E kuptueshme. Pas gjithë zhurmës mediatike, kur hyn brenda pret të shohësh të paktën një tub azoti në cep, ndonjë valvul të dyshimtë ose ndonjë drejtor gjerman me çelës anglez në dorë.
Për fatin tonë, “drejtori gjerman”që, sipas legjendës urbane, paskësh komanduar rubinetat e azotit, u sigurua që nuk ishim çifutë dhe nuk na hapi asnjë rubinet. Madje, sa kërkuam nëpër hotel, nuk gjetëm as gjerman, as rubinete azoti, e aq më pak ndonjë specialist të ardhur nga Dakau.
Parashikimi i motit për Vlorën ishte pesimist. Thuhej stuhi. Shkuam me idenë se do na priste apokalipsi. Nuk pamë asnjë stuhi. Deti ishte pak i trazuar, por më shumë dukej sikur po debatonte me veten për “Besën” e Ramës. Kishte ca dallgë që ngjanin si mbledhje grupi të Partisë Socialiste me Braçen: pak zhurmë, pak kundërshti dhe në fund secila dallgë merrte rrugën e vet.
Përndryshe, koha ishte e mrekullueshme.
Në hotel na pritën aq ngrohtë, sa për një çast menduam se ndoshta kjo ishte strategjia e vërtetë e helmimit. Jo me azot, por me mikpritje. Aq shumë buzëqeshje, aq shumë kujdes, sa të lindte dyshimi: “Mos vallë kështu fillon helmimi?”
Duke kërkuar për tubat e azotit, përfunduam në një tarracë spektakolare. Aty nuk gjetëm as tuba, as bombola. Gjetëm vetëm një nga ato pamje që të lënë pa fjalë: perëndimin e diellit mbi det, Sazanin përballë, ose, siç e quajnë tani me humor në Blorë, “me pamje nga Trumpi”.
E aty, po, u mbytëm edhe ne.
Jo nga azoti; por nga bukuria.
Perëndimin e diellit e kemi parë mijëra herë, por ai perëndim kishte diçka tjetër. Të helmonte me qetësi, me dritë, me ngjyra që të bënin të harroje gjithë budallallëqet që kishim dëgjuar gjatë javës.
Pastaj, si çdo kurë e mirë kundër helmimit, u ulëm, pimë, qeshëm, kënduam deri në mesnatë dhe e nxorëm “helmin” me gota të ngritura e humor të mirë.
Prandaj, nëse keni mundësi, shkoni e “helmohuni” edhe ju në atë vend të mrekullueshëm, në Hotel Priam, në Esbjergun e mrekullueshëm apo në cilindo prej hoteleve të asaj zone.
Ju garantoj se drejtuesit atje do t’ju infektojnë vetëm me mikpritje, bujari dhe me një pamje që nuk ta jep asnjë tub azoti në botë.
Shkruar bukur e me kuptim,por nje vrejtje kam:cilesimin "cifut" pos e perdor,eshte cilesimin pezhorativ per hebrejte. Ka prejardhje nga turqishtja me kuptim kerme. Flm per mirkuptimin.
Bukur,etyd shume i kendshem dhe domethenes.Respekt per shkrimet qe.