Ekspozohen kontaktet private të yjeve të Hollywood-it, Angelina Jolie dhe Robert De Niro në listën e publikuar

27 Korrik 2026, 10:29Lifestyle TEMA
Ekspozohen kontaktet private të yjeve të Hollywood-it, Angelina Jolie

Një ekspert i sigurisë kibernetike pretendon se të dhënat personale të disa prej emrave më të njohur të Hollywood-it janë ekspozuar në internet pas një rrjedhjeje të lidhur me Festivalin e Filmit Tribeca.

Sipas Jeremiah Fowler, studiues në kompaninë amerikane Black Hills Information Security, numra telefoni, adresa private emaili dhe informacione të tjera kontakti u bënë të aksesueshme publikisht, duke i ekspozuar personazhet e njohur ndaj rrezikut të mashtrimeve kibernetike dhe sulmeve me programe keqdashëse.

Mes emrave që Fowler pretendon se ka identifikuar janë Angelina Jolie dhe Robert De Niro, një nga themeluesit e Festivalit Tribeca. Ai thotë se në databazë figuronin gjithashtu emra të njohur si regjisori britanik Danny Boyle, aktorët Michael Douglas, Rami Malek, Neil Patrick Harris, Sharon Stone, si dhe regjisorët George Lucas dhe Martin Scorsese.

Sipas ekspertit, të dhënat u gjetën mes rreth 666 mijë regjistrimeve që lidheshin me Festivalin Tribeca. Shumica e materialeve ishin njoftime për media dhe materiale marketingu të ruajtura në një platformë cloud për periudhën 2019–2026.

Megjithatë, në një prej databazave ai zbuloi një kopje rezervë (backup), ku ndodhej një dosje e quajtur "contacts", që përmbante të dhëna personale të individëve.

"Është, pa diskutim, koleksioni më i madh i të dhënave të personazheve të famshëm që kam parë ndonjëherë. Kishte shumë emra të njohur, numra telefoni dhe adresa emaili që mund të përdoreshin për sulme kibernetike," deklaroi Fowler për The Sun on Sunday.

Eksperti beson se rrjedhja ka ndodhur si pasojë e një gabimi njerëzor dhe jo si rezultat i një sulmi të organizuar nga hakerët.

Ai shpjegoi se, përveç adresave të emailit, databaza përmbante edhe informacione teknike mbi pajisjet e përdoruesve, si modeli i iPhone-it, versioni i sistemit operativ dhe shfletuesi i internetit, të dhëna që mund të ndihmojnë mashtruesit në organizimin e sulmeve të sofistikuara.

Fowler tha se kontaktoi organizatorët e Festivalit Tribeca pak ditë përpara nisjes së edicionit të këtij viti. Sipas tij, databaza u hoq menjëherë nga qasja publike dhe më 4 qershor ai mori një përgjigje nga përfaqësuesit ligjorë të Tribeca Enterprises, të cilët konfirmuan se po hetonin rastin.

Ndërkohë, Tribeca nuk ka bërë një deklaratë zyrtare publike për incidentin. Megjithatë, një burim pranë organizatorëve tha se organizata nuk e mohon ekspozimin e informacionit, por theksoi se "pjesa dërrmuese" e kontakteve të publikuara i përkisnin menaxherëve dhe agjentëve, dhe jo vetë personazheve të famshëm.

Deri më tani nuk ka prova që të dhënat të jenë shfrytëzuar nga hakerë apo mashtrues, por eksperti paralajmëron se informacioni i ekspozuar mund të ishte përdorur për sulme të synuara përmes email-eve të rreme ose programeve keqdashëse./E.K 
Burimi:The Sun

Lini një Përgjigje