Andrea Pirlo nuk do të jetë trajner i Italisë. Zyrtarizimi ka ardhur nga vetë Pirlo me një postim në Instagram: “Mbrëmë kam vendosur të mos jem më kandidat për stolin e kombëtares italiane”.
Trajneri aktual i United FC ka publikuar këtë përditësim sot në mëngjes, duke saktësuar kështu postimin e së dielës, ku përpiqej të shpjegonte pozicionin e tij në lidhje me “Fonbet”. Pirlo theksonte se raporti i tij me Rusinë ishte vetëm për qëllim komercial.
Në mesazhin e së dielës shkruhej: “Ditët e fundit kam ndjekur me hidhërim debatin rreth emrit tim dhe mundësisë për të marrë drejtimin e Italisë. Në respekt të institucioneve, Federatës dhe gjithë personave të përfshirë, kam heshtur. Por duhet të qartësoj disa gjëra.
Gjatë karrierës sime, si lojtar dhe tani si trajner, e kam zhvilluar aktivitetin, duke respektuar ligjet e vendit ku kam punuar dhe kontratave që kam nënshkruar. Bashkëpunimi profesional që është bërë objekt i polemikave lind nga rrugëtimi im i punës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është vetëm i natyrës sportive e komerciale. Nuk ka asnjë domethënie politike”.
Pastaj Pirlo ka kaluar te falënderimet: “Dua të falënderoj Maldinin dhe Leonardon për vlerësimin dhe besimin ndaj meje. E njoh kompetencën e tyre, seriozitetin që i kanë dhënë gjithmonë futbollit italian. Më trishton fakti që një zgjedhje e karakterit sportiv u spostua me shpejtësi në një përballje politike, duke më atribuuar gjëra që nuk më përkasin. Dashuria për Italinë nuk varet nga detyra. Është pjesë e historisë sime dhe identitetit tim. Do të më shoqërojë gjithmonë”.
Lini një Përgjigje