Nga Eduard Zaloshnja
Më 3 maj përfundoi anketimi në terren i 1200 banorëve të rritur të vendit, në kuadër të një sondazhi të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI). Në atë sondazh, të anketuarit u pyetën edhe për vlerësimin e tyre rreth punës së qeverisë Rama – plot 49% anonin nga vlerësimi pozitiv për të. Dhe meqë ndër shqiptarët qeveria Rama ka vite që identifikohet me vetë atë, mund të konkludohet se 49% e banorëve të rritur të vendit anonin deri më 3 maj nga vlerësimi pozitiv për punën e Ramës.
Më 13 qershor zhvillova një sondazh për ‘Zërin e Shqiptarëve’, ku linkun e pyetësorit e shpërndava me SMS krejt të rastësishme në të gjithë vendin. Nga përgjigjet e 1382 të anketuarve, rezultoi se 44.1% anonin nga opinioni pozitiv për Ramën.
Më 25 korrik zhvillova një sondazh, ku linkun e pyetësorit e shpërndava me SMS krejt të rastësishme në të gjithë vendin. Nga përgjigjet e 1513 të anketuarve, rezultoi se 49.1% anonin nga opinioni pozitiv për Ramën.
Të përmbledhura këto rezultate mund t’i shihni në grafikun e mëposhtëm.

Në raportin e publikuar nga IRI për sondazhin që e përfundoi më 3 maj, nuk është përfshirë një analizë e mënyrës sesi votuan vjet ata që anonin nga opinioni pozitiv për Kryeministrin Rama. Ndërsa në sondazhet e mia, kam të dhënat analitike për ta kryer këtë analizë.
Kështu, nga 44.1% që anonin më 13 qershor nga opinioni pozitiv për Ramën, 35.4% kishin votuar vjet për PS-në, 0% për PD-ASHM-në, 1.5% për partitë e tjera dhe 7.2% nuk kishin votuar fare (shihni Tabelën 1).
Nga 49.1% që anonin më 25 korrik nga opinioni pozitiv për Ramën, 37.8% kishin votuar vjet për PS-në, 0.1% për PD-ASHM-në, 1.9% për partitë e tjera dhe 9.3% nuk kishin votuar fare.

Meqë të tria sondazhet bazoheshin në kampione kombëtare të anketuarish, mund të thuhet se ato përfaqësonin statistikisht popullsinë e rritur të vendit. Pra mund të ekstrapolohet me afërsi se rreth 931 mijë banorë të rritur anonin nga oponioni pozitiv për Ramën më 3 maj, rreth 838 mijë më 13 qershor, dhe rreth 933 mijë më 25 korrik (shihni Tabelën 2).
Më tej mund të ekstrapolohet se nga rreth 765 mijë që kanë votuar vjet për PS-në (rreth 32 mijëve u rezultuan votat të pavlefshme), vetëm 673 mijë anonin më 13 qershor nga opinioni pozitiv për Ramën – një firo prej 92 mijësh. Ndërsa më 25 korrik, firoja ishte vetëm 47 mijë.
